Vëzhguesit e BE-së thonë se procesi zgjedhor ishte në përputhje të standardeve demokratike

25 tetor 2019 | 18:33

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, e shoqëruar nga anëtarët e kryesisë, Doruntinë Maloku dhe Florian Dushi, kanë pritur të premten në takim përfaqësuesit e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian (BE) me të cilët kanë biseduar për procesin e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.

Përfaqësuesit e Misionit Vëzhgues të BE-së janë njoftuar nga nënkryetarja Osmani lidhur me fushatën, procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit si dhe me numërimin e rezultateve që po vazhdon ende. Me këtë rast, të dyja palët kanë vlerësuar se procesi është zhvilluar konform standardeve demokratike.

Sipas komunikatës për medie të LDK-së, udhëheqësi i delegacionit të Misionit Vëzhgues të BE-së, Dominic Howell, ka potencuar rëndësinë e këtij procesi dhe ka vlerësuar mbarëvajtjen e tij. Po ashtu, gjatë ditës së premte nënkryetarja Osmani është takuar edhe me Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP), me të cilën ka diskutuar për situatën aktuale, prioritetet dhe thellimin e bashkëpunimit me UNDP.

Osmani është takuar edhe me ambasadorin e Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend si dhe për qëndrimet e prioritetet e LDK-së në të ardhmen.

Po në këtë takim është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi argjentinas Lautaro Martinez po shkëlqen këtë sezon me Interin,…