Vëzhguesit e BE-së vlerësojnë pozitivisht raundin e dytë të zgjedhjeve

16 nëntor 2021 | 14:39

Misioni i vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja ka vlerësuar pozitivisht raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili është mbajtur në 21 komuna të dielën.

Në prezantimin e raportit për monitorimin e zgjedhjeve, shefi i këtij misioni, Lukas Mandl, ka thënë procesi i votimit nga vëzhguesit është vlerësuar si “shumë i mirë”.

“Në ditën e zgjedhjeve vëzhguesit e BE-së vizituan 269 vendvotime në tërë Kosovën në të 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve. Vëzhguesit e BE-së vlerësuan votimin dhe numërimin në mënyrë pozitive, votimi u vlerësua si ‘shumë i mirë’ ose ‘i mirë’ në 99.2 për qind të vendvotimeve të vizituara në të 21 komunat dhe numërimi u vlerësua si ‘i mirë’ apo ‘shumë i mirë’ në të gjitha vendvotimet e vizituara edhe pse ka pasur ca vështirësi në përputhshmërinë e fletëvotimeve në 1/3 e vendvotimeve të vëzhguara”, ka deklaruar ai.

Mandl ka deklaruar se partitë politike dhe kandidatët kanë filluar fushatën zgjedhore shumë kohë para periudhës zyrtare prej pesë ditësh.

“Fushata ishte dinamike, e gjallë dhe e qetë. Edhe pse toni i fushatës ishte pak më i ashpër sesa në raundin e parë. Në mungesë të ndëshkimeve për zhvillim të fushatës jashtë periudhës zyrtare pesëditore shumica e kandidatëve filluan ta kërkojnë votën shumë para se të fillojë fushata zyrtare. Në tubimet e kandidatëve morën pjesë udhëheqësit e partive kryesore, përfshirë kryeministrin dhe ministrat. Ne mes të dy raundeve qeveria shpalli një rritje të përkohshme të përfitimeve sociale që dërgoi në akuzat e opozitës për blerje indirekte të votës. Mungesa e hapur e transparencës që lidhet me financimin e fushatave të garuesve vazhdoi edhe në raundin e dytë, duke vazhduar zbatimin e dobët të rregullave për financim të fushatës Kuvendi i Kosovës nuk pati mundësi të garantojë auditimin me kohë të raporteve dhe KQZ-ja nuk mbështeti sa duhet zbatimin e rregulloreve që janë në fuqi”, ka deklaruar ai.

Shefi i misionit të vëzhguesve të BE-së ka deklaruar se tabelimi i rezultateve të raundit të parë vuri në pah një dobësi të theksuar në numërim dhe plotësim të formularëve të rezultateve.

Sipas tij, rinumërimi i 1000 vendvotimeve ka treguar nevojën për një rishikim gjithëpërfshirës të dizajnimit të fletëvotimeve dhe të formularëve të rezultateve.

Ai ka folur edhe sa i përket paraqitjes së kandidatëve në media.

“Mediat publike ofruan një mbulueshmëri të balancuar dhe u përpoqën të organizojnë debate me kandidatët për të gjitha 21 komunat edhe pse shumica e kandidatëve vendosën që të mos marrin pjesë. Mediat private intervistuan kandidatët në mënyrë të rregullt dhe ia dolën që të mbajnë disa debate. Mediat e transmetuara u përmbajtën nga transmetimi i përmbajtjeve të paguara politike jashtë fushatës zyrtare zgjedhore duke respektuar rregulloren, megjithatë disa kanale televizive publikuan sondazhe të pabesueshme. Derisa kandidatët ndanë informacione të dobishme përmes platformave online, disa faqe jo transparente të Facebook u përdorën që të përhapin përmbajtje çorientuese që ndikuan në mundësinë e votuesve për të marrë vendime pa ndërhyrje”, është shprehur  Mandl./KS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Prizrenit 16, Arbnor Rifati është emëruar ndihmëstrajner në…