Vezir Ademaj shpallet Hero i Kosovës, familja e tij falënderon Thaçin
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar me titullin “Hero i Kosovës”, Vezir Ademaj në 21- vjetorin e rënies së tij.
Këtë dekoratë e ka pranuar vëllai i heroit, Hasan Ademaj. Me këtë rast, Hasan Ademaj në emër të familjes Ademaj ka falënderuar presidentin Thaçi për dhënien e titullit “Hero i Kosovës” për Vezir Ademajn.
Vezir Ademaj ka rënë heroikisht në Kallavajë të Junikut. Ademaj ka lindur në fshatin Sheremetaj të Gjakovës. Vezir Ademaj e kishte lenë kurbetin për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Letra falënderuese e familjes së Vezir Ademajt:
Me rastin e 21 – vjetorit të rënies heroike në altarin e lirisë së Atdheut, të vëllait tonë të dashur, Vezir Ademaj – Alfredi
Sot u mbushen 21 vjet nga rënia juaj heroike, për lirinë e shtrenjtë të atdheut, i dashur vëlla Vezir. Njëzet e një vjet krenari, dhimbje, dashuri dhe mall për ty. Por mbi të gjitha ishe dhe do të mbetesh krenaria jonë, sepse ti u sakrifikove për këtë ditë që po e gëzojmë ne sot.
Për këtë liri të shtetit të Kosovës, të cilin shtet po e ndërtojmë me shumë sakrifica. Në këtë përvjetor, ne jemi më krenarë se kurrë, sepse vepra dhe sakrifica e juaj sublime asnjëherë nuk u harrua, por vetëm sa u përforcua edhe më shumë si kujtim, si mirënjohje dhe si nderim.
Madhështia dhe kuptimësia e veprës suaj u lartësua akoma më shumë sot në këtë ditë përkujtimi e nderimi, kur presidenti i Republikës sonë, z. Hashim Thaçi, me urdhër të veçantë e protokoll presidencial, të dekoroj me mirënjohjen më të lartë shtetërore presidenciale “Hero i Kosovës”.
Kjo na bënë që sot te ndihemi krenarë si asnjëherë më parë dhe të çmojmë lartë vendimin e presidentit Thaçi si dhe punën e tij përkushtuese në vlerësimin dhe lartësimin e figurës së luftëtarit të lirisë së atdheut e në këtë rast të djalit dhe vëllait tonë Vezirit, i cili në pranverën e vitit 1988 la kurbetin dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, për të dhënë gjithçka nga vetja për lirinë e Kosovës.
Z. President, vendimi juaj për shpalljen “Hero i Kosovës” të djalit dhe vëllait tonë të shtrenjtë, na pakëson dhimbjen e na shtonë krenarinë, na forcon respektin dhe besimin në institucionet e tona shtetërore, për te cilin u flijua ai dhe mijëra dëshmorë të tjerë të atdheut.
Faleminderit president! Lavdi Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës heroike të “Heroit të Kosovës”, Vezir Ademaj – Alfredi.
Me respekt: Familja Ademaj.
Sheremetaj, Gjakovë, Kosovë.
25 Korrik, 2019
/Epoka e re/