IV. Kontributet në fushë të historisë
Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu
Prof. dr. Begzad Baliu
Pikëpamjet e profesor Rexhep Qosjes për Albanologjinë (3)
Le të thuhet këtu, se gjykimet e tij për qasjen ndaj trashëgimisë materiale e shpirtërore shqiptare, më parë se sa me kërkimet dhe studimet në Kosovë kishin të bënin me kërkimet dhe sidomos me studimet në fushë të folklorit dhe etnografisë në Shqipëri, të cilat vazhdonin t’iu nënshtroheshin qasjeve dogmatike të metodave të realizmit socialist. Në këtë rrjedhë ai orientonte kërkimet shkencore edhe në kontekst të afirmimit të tyre shkencor, duke theksuar se: “afirmimi i gjykimit objektiv, kritik, si gjykim i vetëm, vërtet, shkencor. Dhe, afirmimi i gjykimit objektiv kritik, si gjykim i vetëm, vërtet, shkencor mund të arrihet nën kushtin e evitimit të superlativizmit të shprehjes, të patetikës së ndjenjës, të vrojtimeve folklorizante të ornamentalizmit të traditës kulturore dhe historike, me një fjalë nën kushtin e evitimit të mendimit diletant, që karakterizon subjektivizmin, që cenon etikën e shkencës, dhe, ashtu, ulë dinjitetin e mendimit shkencor përgjithësisht”.
Kjo natyrisht në asnjë mënyrë nuk e nënkupton ndonjë qëndrim të veçantë kundër trashëgimisë sonë. Përkundrazi. Studiuesi që ishte lindur dhe formuar në rininë e tij në një krahinë tipike etnografike epike, studiuesi që në fillimet e tij shkencore kishte paraqitur për tezë doktorate krijimtarinë letrare të shkrimtarit më të madh të epikës shqiptare Gjergj Fishta, nuk mund të pritej që të kishte qëndrim indiferent, e aq më pak mohues ndaj folklorit. Qëndrimet e tij të ashpra ndaj folklorit dhe trashëgimisë shpirtërore si përbërës i letërsisë artistike, para se gjithash kishin të bënin me qasjen ndaj saj. Duke bërë vlerësimin e veprës së Kadaresë Autobiografia e popullit në vargje, ai veç tjerash theksonte: “të ngrihesh, më në fund, kundër provincializmit, etnografizmit dhe folklorizmit në letërsinë kombëtare doemos duhet të zotohesh sa për frymën kombëtare aq edhe për frymën universale të saj. Përse? Për arsyen e thjeshtë se një letërsi e vërtetë është, vërtet, nacionale, shpreh tamam shpirtin kombëtar, në qoftë se është, vërtet, universale. Vlerat artistike janë kuptimisht universale ose s’janë as nacionale”. Pamja përkatësisht qasja komplementare e këtyre dy përbërësve, atij kombëtar dhe atij europian, në të vërtetë atij kombëtar dhe atij universal edhe në fushë të studimit, për profesor Qosjen është një prej kushteve themelore për të arritur rezultatet e dëshiruara shkencore në fushë të studimit të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar. “Studimi krahasimtar i këtyre vlerave, – shkruante profesor Qosja, – por studimi i tyre i çliruar prej egoizmit dhe prej paragjykimeve kombëtare, në të vërtetë pseudokombëtare, doemos realizon një prej qëllimeve të rëndësishme të shkencës: zgjeron horizontet e dijes në përgjithësi dhe, sidomos, afirmon besimin e arsyeshëm se kultura jonë kombëtare ishte dhe është shumëfish e lidhur me kulturën evropiane, se i takon bashkësisë shpirtërore evropiane”.
Prej studiuesit, i cili që në fillimet e tij shkencore merrej me kritikën letrare dhe me studimet historiko-letrare njëkohësisht, ishte e kuptueshme që një ditë të pritej përkushtimi ndaj studimeve krejtësisht historiko-letrare, por prej studiuesve të tillë jo gjithmonë është pritur të bëhen edhe studiues të historisë, pjesë e saj dhe njëkohësisht bartës të kalimit të popullit të tij në kthesat e mëdha jetësore. Mbase për shkak se, që në fillimet e tij ka treguar shprehi kritike ndaj vlerave kulturore bashkëkohore dhe letrare e historike, ai njëkohësisht ka dëshmuar edhe vetëdije të lartë historike, prandaj edhe me kohë është bërë bardi i kalimit të popullit shqiptar në shtigjet më të vështira të historisë së tij në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në gjysmën e parë të shekullit XXI. Dhe, do të bëhet kështu, me jetën dhe veprën, jo vetëm studiues po edhe dëshmitar, e pjesëmarrës i saj.
“Në fushën e historisë, – shkruante Profesor Qosja në sprovën e tij Mbledhja e lëndës dhe sintezat shkencore, – shfaqet e nevojshme që përqendrimin e deritanishëm në historinë e Rilindjes Kombëtare ta shoqërojmë me studimin po aq të përqendruar të historisë së vjetër – të rezultateve të gjurmimeve arkeologjike, të historisë mesjetare, sidomos të periudhës iliro-bizantine dhe të periudhës shqiptaro-sllave. Historia e banorëve të Kosovës gjatë këtyre periudhave është mjaft e panjohur apo, sikundër sinjalizojnë rezultatet e para të disa studiuesve mbas Luftës së Dytë Botërore, është njëanshëm e njohur. Sa i përket historisë së kohës së re, e cila është mbuluar me një numër më të konsideruar kuadrosh qoftë në Universitet, qoftë edhe në vetë Institutin, kujdes i veçantë do të duhej t’i kushtohej hetimit të arkivave të proveniencës jugosllave, të shtypit, të periodikut dhe të literaturës përkatëse të shekullit të shkuar dhe të shekullit tonë. Po kjo mund të thuhet edhe për kohën ndërmjet dy luftërash botërore. Në të gjitha këto periudha do të duhej të bëhen hetime të problemeve të veçanta me synimin që të përgatiten studime komplete monografike të periudhave të tëra, që proceset historike do t’i ndriçonin, ashtu, në rrjedhat më të gjata kohore. Në këtë mënyrë i hapet rruga ndriçimit të plotë, shkencërisht të qëndruar, të historisë së këtyre trojeve”.
Po t’i bëhet një sinopsis programit të tij mbi orientimet shkencore në fushë të kërkimeve dhe studimeve historike nuk është vështirë të përcaktohen disa nga çështjet thelbësore që i ka përcaktuar dhe disa nga rrafshet kohore në të cilat është orientuar: ‘rilindja kombëtare’, ‘historia e vjetër’, ‘gjurmimet arkeologjike’, ‘historia mesjetare’, ‘periudha iliro-bizantine’ ‘periudha shqiptaro-sllave’, “historia e banorëve të Kosovës’ etj. Për shkak se sikur konstatonte Profesor Qosja, në periudhën e Rilindjes Kombëtare viteve të fundit ishin bërë kërkime të gjera dhe të thelluara, tani kishte ardhur koha të bëheshin hetime në rrafshin kohor dhe hapësinor. Ajo që të bënte përshtypje me këtë kontekst ishte kërkesa për të bërë gjurmime arkeologjike dhe për t’u përqendruar në historinë mesjetare e atë iliro-bizantine. Arsyet do t’i thoshte vetëm pjesërisht më vonë dhe ato kishin të bënin me mohimin e studiuesve sllavë të prejardhjes ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, si dhe njëanshmërinë e paraqitjes së pasqyrës etnike mesjetare në hapësirën e Kosovës. Ato kishin të bënin me njëanshmërinë e kërkimeve arkeologjike në Kosovë gjatë pothuajse gjithë shekullit XX nga shkencëtarët serbë, duke u përqendruar vetëm në trashëgiminë ortodokse e bizantine dhe kryesisht në periudhën mesjetare; ato kishin të bënin më në fund, me prirjen e shkencës serbe që historinë e banorëve të Kosovës mesjetare ta shoh vetëm në traditën kishtare ortodokse të emrave dhe të miteve të rekonstruktuara kryesisht në shekullin XIX.
Megjithëse me fjalët, sprovat dhe programet e shkruara gjatë viteve ’60 -’70 Profesor Qosja kishte bërë sinopsiset e orientimit dhe organizimit të shkencës së albanologjisë, duke i parë fushat e saj veç e veç në gjendjen dhe perspektivën e tyre, në gjendjen institucionale në Kosovë dhe në perspektivën evropiane të kësaj dijeje, askush nuk ka pritur që shumë prej këtyre fushave të bëheshin objekt kërkimi e studimi edhe nga vetë ai.
Prej kërkimeve shkencore të tij në fushë të historisë së albanologjisë, pritej që historia, kultura dhe sidomos letërsia shqipe të shiheshin edhe në prizmin e studimeve ballkanike, evropiane e botërore në njërën anë dhe në prizmin e kulturave fqinje e evropiane në anën tjetër. Në të vërtetë, prej orientimeve të tij shkencore pritej që Profesor Qosja të merrej me historinë dhe përgjithësisht qytetërimin a kulturat letrare: latine, helene, perse, gjermane, franceze, italiane, sllave, greke, rumune etj., prej të cilëve janë ndikuar apo janë frymëzuar shkrimtarët shqiptarë apo veprat e tyre përkojnë me vlerat e tyre gjuhësore dhe letrare. Pas veprave të tij të periudhës së parë, të botuara kryesisht deri në fillim të viteve ’80, vështirë të besohej se Profesor Qosja, do të merret aq përkushtueshëm me fatet historike të popullit shqiptar, sa të shkruajë edhe një nga veprat më të mira për çështjen shqiptare të epokës së re. Për më tej, pas botimit të tri vëllimeve të para për Romantizmin, vështirë të besohej se do ta ndalonte përkohësisht punën në projektin e madh të Historisë së letërsisë shqipe. Ky ndalim i përkohshëm edhe më shumë se tri dekada më pas është bërë ndalesë që vazhdon. Gjatë këtyre më shumë se tri dekadave në vazhdim Profesor Qosja ka botuar vepra për historinë e letërsisë, vëllime me ese, vëllime me intervista, sprova teorike, historike, sociale, antropologjike e polemizuese, ditarë në shtatë vëllime, si dhe disa vepra shumë të rëndësishme në fushë të historisë së çështjes kombëtare: Nezasticenasudbina: O Albancima u Jugoslavijidanas (1990), Populli i ndaluar (1990), Strategjia e bashkimit shqiptar (1992), Çështja shqiptare – historia dhe politika (1994), Ligjërime paravajtëse (1996), Fjalor demokratik (1997), Paqja e përgjakshme (1999), Tronditja e shekullit I, II (2001), Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe (2005) etj., por nuk e ka botuar asnjë nga vëllimet e projektuara dhe të paraqitura në fund të parathënies së vëllimit të parë të Historisë së letërsisë shqipe! Prej vëllimeve të botuara në fushë të publicistikës, të politikës a të antropologjisë, nuk është vështirë të shihet angazhimi i tij i madh në jetën mendore dhe në jetën publike shqiptare, ndërsa prej botimeve me karakter historik dhe dokumentar nuk është vështirë të shihet se si ai i ka tejkaluar synimet e projektuara në projektet e tij të lexuara dhe të botuara në fund të viteve ’60 dhe ’70.
Vepra e tij Çështja shqiptare – historia dhe politika (1994), është modeli më i mirë i një vepre të shkruar me mbështetje të pazakonshme dokumentare, me koncepte dhe diskurs intelektual, që deri më tash i ka munguar historiografisë shqiptare, prandaj nuk është e rastit që kjo vepër në të njëjtën kohë ju shërbeu institucioneve diplomatike ndërkombëtare, atyre që një dekadë më vonë do t’iu shërbejë edhe Profesor Qosja si pjesëtar i delegacioneve shqiptare. Po kështu mund të thuhet për veprën tjetër Nezasticenasudbina: O Albancima u Jugoslavijidanas (1990), botuar në Zagreb, për t’u ribotuar e plotësuar me tekste të tjera në Prishtinë me titull, Populli i ndaluar (1990), me të cilën mori pjesë aktive në zhvillimet historike të viteve ’80, duke mbrojtur kudo historinë, identitetin dhe kulturën shqiptare, në të vërtetë, sikur shprehej në njërën prej intervistave, fjala është për albanologjinë. Me tekstet polemizuese, refleksive, sprovat, intervistat dhe diskutimet e tjera, të botuara në këto vëllime, Profesor Qosja krahas pak intelektualëve kroatë, sllovenë, serbë, boshnjakë e shqiptarë, bëri të mundur dejugosllavizimin e mendimit shqiptar dhe të popujve të tjerë të kësaj perandorie të Evropës Qendrore e Juglindore. Mision të tillë patën edhe veprat e tjera polemizuese e dokumentare edhe në vitet e dekadat në vijim, deri në rënien e ish-Jugosllavisë dhe më pastaj gjatë ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, mendja paravajtëse dhe roli i të cilit nuk mungoi asnjëherë. (VIJON)