Memli Krasniqi: Qeveria Kurti i ka futur duart në sofrat e qytetarëve, zgjedhje të parakohshme sa më parë

02 gusht 2023 | 17:47

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në reagimin e tij për aferën e grurit, ka thënë se nga keqpërdorimi i qindra miliona eurove në energji, sot, Qeveria e Albin Kurtit, me emblemën e rreme të shpresës në ballë, ka futur duart edhe në sofrat e qytetarëve, duke vjedhur edhe produktet bazike ushqimore të rezervës shtetërore.

“Afera e fundit – afera e grurit – është vulë e mentalitetit qeverisës të këtij pushteti të përqëndruar në korrupsion e keqpërdorim. Nuk ka ku shkon më poshtë se kaq. Apo ka?”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, kryetari i PDK-së ka thënë se në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve, kjo Qeveri u koordinua edhe me një kriminel si Radojçiqi. Ndërkaq, kundër shtetit dhe të ardhmes së qytetarëve, sipas tij, kjo Qeveri i tensionoi raportet me aleatët tanë ndërkombëtarë.

“Kjo tufë keqbërësish i solli edhe sanksione Kosovës, ndërsa politikat e tyre të çoroditura po e shpopullojnë vendin anembanë – vetëm gjatë qeverisjes së Albin Kurtit gati 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendlindjen në kërkim të perspektivës diku në shtetet perëndimore”, ka shkruar më tej lideri i opozitës.

Sipas tij, derisa aferat dhe skandalet korruptive po shumëfishohen, tri nga elementet bazë që e përbëjnë shtetin e së drejtës sot po mungojnë i Kosovës: transparenca, llogaridhënia, drejtësia!

“Por, që të trija këto do t’i kërkojmë e do t’i realizojmë – deshën apo s’deshën pushtetarët e sotëm. Kjo Qeveri nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Kjo Qeveri nuk i mbron më interesat e shtetit. Zgjedhjet e reja dhe rikthimi i mandatit tek qytetarët janë e vetmja zgjidhje përpara. Sa më parë, aq më mirë – edhe për shtetin edhe për qytetarët!”, ka përfunduar Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blloku rajonal i shteteve të Afrikës Perëndimore, ka thënë se…