VIDEO/ Ja si do të bëhen pushimet e verës këtë vit
Sezoni i plazhit në shumë vende nis në prill, në Shqipëri nis në muajin Maj. Por më së shumti njerëzit i bëjnë pushimet në korrik e gusht. Kështu që ka ca shpresa që pushimet të bëhen edhe sivjet, por si kurrë më parë.
Në Itali, po publikohen projektet konkrete si do të përballohet kushti i distancimit social në plazhe.
Vetëm kështu, autoritetet sigurojnë se italianët do të mund të shkojnë në det.
Po konsiderohet mundësia e një distance prej 3 metrash largësi mes çadrave dhe ajo e përdorimit të barrierave prej peçikllasi.
Në këtë aspekt, ekspertët duket se janë më pak entuziastë. “Të mendosh për planifikimin e pushimeve në plazh këtë verë në këtë moment të vështirë, duhet të jesh më tepër se optimist”, -thotë Mario Schiavina, ish-drejtor i Njësisë Operative të Pneumologjisë dhe Terapisë Intensive në Poliklinikën Sant’Orsola në Bolonjë.
“Ky virus është shumë i shpejtë në përhapje dhe infektim. Edhe kur ka zero raste pozitive dhe zero numër vdekjesh, ai është i frikshëm. Mund të shpërthejnë vatra të reja pasi jo gjithçka mund të jetë nën kontroll”.
Në lidhje me pushimet verore para disa ditësh u shpreh edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila tha, “Mos nxitoni të rezervoni pushimet verore, askush nuk mund të bëjë parashikime të besueshme për momentin”.
Por kërshëria për të shkuar në plazh është aq e madhe saqë një kompani në Modena, në Itali ka projektuar vendrelaksimet e njerëzve; kuti transparente me mure Plexiglas-i dhe profile alumini 4,5 metra dhe dy metra të larta. Në rastin e çadrave, ato mund të vendosen të paktën 3 m larg nga njëra tjetra kurse në restorante po mendohet që tavolinat të ndahen me xham apo dhe Plexiglas për të mënjanuar sa më shumë kontaktet mes njër tjetrit.