Video nga festa e lojtarëve të Kosovës mbrëm në zhveshtore
Festa e futbollistëve të Kosovës pas fitores me rezultat 2:0 kundër Malit të Zi vazhdoi edhe pasi lojtarët u larguan nga fusha e stadiumit “Fadil Vokrri”. Përmes llogarive të tyre në Instagram, djemtë e Bernard Challandes e kanë ndarë festën e tyre me tifozët.
Kosova arriti ta sigurojë mbrëmë një fitore shumë të rëndësishme kundër Malit të Zi për ëndrrat për kualifikim në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohen verën e vitit të ardhshëm.
Djemtë e Bernard Challandes arritën ta gjejnë golin e parë qysh në minutën e dhjetë të ndeshje, përmes Amir Rrrahmanit, e atë të dytën në minutën e 34-të, përmes Vedat Muriqit.
Megjithatë, statistikat e ndeshjes tregojnë për një dominim edhe më të madh të Kosovës. “Dardanët” i krijuan katër raste shumë të mira për të shënuar, përderisa malaziasit asnjë.
Pasi gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes, futbollistët e Kosovës u sillën rreth stadiumit “Fadil Vokrri” duke i duartrokitur tifozët e zëshëm e asaj nate, mirëpo u ndalën për një kohë më të gjatë te qoshja e “Dardanëve”.
E videot e mëposhtme tregojnë se festa vazhdoi edhe pasi lojtarët u larguan nga fusha e “Fadil Vokrri”, në zhveshtore
Pas kësaj fitoreje të rëndësishme, Kosovën e presin dy ndeshje të vështira në muajin nëntor – ajo kundër Çekisë si mysafire dhe pastaj në “Fadil Vokrri” kundër Anglisë. Këto do të jenë dy ndeshjet e fundit të Grupit A.
Nëse Kosova s’arrin të radhitet në dy vendet e para të Grupit A, ajo e ka një mundësi tjetër për t’u kualifikuar – përmes play-offs kualifikues. Në gjysmëfinale të play-offs, Kosova përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale e pret ose Bjellorusia ose Gjeorgjia.