Vidhen 25 mijë euro në një sallë dasmash në Pejë
Një sallë dasmash në Pejë ishte cak i hajdutëve të hënën rreth orës 3 pas mesnate. Aty u vodhën 25.000 euro bashkë me një kasafortë që gjendej në njërën nga dhomat e restorantit.
Mungesat pronari i vërejti gjatë mesditës, kur edhe e lajmëroi rastin në polici. Vetë ai nuk pranoi të deklarohet rreth rastit, por tha se atë ia lë në dorë organeve të rendit.
“Policia e Kosovës janë në koordinim me prokurorin e shtetit ku janë nënshkruar disa autorizime për policinë, në mënyrë që fillimisht të identifikohet personi apo personat e mundshëm që e kanë kryer këtë vepër penale dhe të merren veprimet tjera shtesë që të ndriçohet në plotëni kjo vepër penale”, tha Zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Pronari i restorantit i tha televizionit se nuk dyshon tek askush dhe se kjo është hera e parë që përballet me vjedhje.
Megjithatë institucionet e rendit potencuan se i kanë disa pista hetimesh. Ky rast është iniciuar si vjedhje e rëndë.