Vidhet flamuri në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë, reagon MPJ-ja

15 qershor 2020 | 16:27

Në objektin e Konsullatës së Republikës së Kosovës është vjedhur flamuri i shtetit tonë.

Me këtë rast, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, duke e dënuar këtë akt vandal.

“Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, me ç’rast është hedhur, dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës. Bazuar në vëzhgimin e situatës nga konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme për të kryer vandalizmin dhe për t’iu qasur flamurit”, është thënë në reagimin e kësaj ministrie.

Reagimi i plotë i MPJD-së:

MPJD dënon ashpër aktin vandal ndaj Konsullatës së Kosovës në Kopenhagë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin vandal ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Danimarkë.

Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, me ç’rast është hedhur, dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës.

Bazuar në vëzhgimin e situatës nga konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme për të kryer vandalizmin dhe për t’iu qasur flamurit.

Me këtë rast, Konsullata e Kosovës ka njoftuar menjëherë Policinë daneze, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës ka shkruar një notë verbale për autoritetet daneze dhe ka kërkuar që sa më shpejtë të identifikojë autorët e këtij vandalizmi dhe ata të dalin para drejtësisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsideron se fakti që Kosova sulmohet në prezencën e saj diplomatike, dëshmon edhe njëherë se puna e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës është pengesë për agjendat e dikujt.

Angazhimi ynë nuk do ndalojë, pavarësisht akteve të tilla vandale. Prandaj, si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, inkurajojmë të gjithë diplomatët që të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës së tyre, duke avancuar interesin e Republikës së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka pritur në takim drejtorin…