Vidhet pajisja kompjuterike në kufirin në Bllacë
Një pajisje elektronike është vjedhur në vendkalimin kufitar të Bllacës, shkruan Alsat.
Dyshimet e para lidheshin me rrezikun për tentativë të ndonjë sulmi kibernetikë në sistem. Nga Ministria e Brendshme konfirmojnë se një shtëpizë e kompjuterit mungon tek terminali i kontrollit të udhëtarëve me trena.
Por, mohojnë të ketë mundësi për ndonjë rrezik të ndjekjes së informacioneve dhe vjedhjes së të dhënave, nga që sipas policisë, pajisja nuk ka qenë e lidhur me rrjetin softuerik të MPB-së.
Në përgjigjen me shkrim thonë se shtëpiza kompjuterike në pikën kufitare Bllacë ka qenë jashtë funksionit për një kohë të gjatë.
“Është njoftuar Departamenti i kontrollit të brendshëm, hetimeve kriminale dhe standardeve profesionale, i cili ka marr masat e duhura. Nëse në rast se konstatohen lëshime në veprimet e ndonjë zyrtari policor, do të ndërmerren masa në pajtim me Marrëveshjen Kolektive të MPB-së dhe do të njoftohet prokuroria publike kompetente”, thonë nga Ministria e Brendshme.
Gjithashtu, nga Ministria e Punëve të Brendshme theksuan se secili sistem kompjuterik mund të jetë cak i llojeve të ndryshme të sulmeve kompjuterike.
Nga Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale numërojnë disa nga arsyet që çojnë në qasje të pa autorizuar në një sistem kompjuterik.
“Duam të përmendim se, sipas përvojës sonë dhe të ekspertëve të fushës së sigurisë kompjuterike në nivel botëror, qasja e paautorizuar në një sistem kompjuterik kryhet nga persona duke përfituar nga cenueshmëria e sistemit ku janë lënë fjalëkalime të pandryshuara për një kohë të gjatë, përdorimi i fjalëkalimeve të thjeshta dhe të ngjashme”, thanë tutje nga Ministria e Brendshme.
Pas sulmeve të shpeshta të institucioneve shtetërore këtu dhe në rajon, Agjencia e Komunikimeve Elektronike i bën apel shtetit dhe kompanive që të bëjnë vlerësime të sigurisë së sistemeve të tyre të informacionit.
Ata ndanë gjithashtu një listë të aktiviteteve prioritare. AKE shton se institucionet dhe kompanitë duhet të krijojnë një plan reagimi ndaj incidenteve, dhe të caktojnë një person që do të jetë përgjegjës për regjistrimin e aktiviteteve të dyshimta kibernetike.
Një nga rekomandimet përfshin edhe trajnime falas për punonjësit se si t’i njohin mesazhet e rreme dhe kujt t’ia raportojnë ato.