Vigan Qorolli: Do të bëhemi shtet qesharak dhe gazi i botës nëse do të kemi dy qeveri

01 maj 2020 | 19:13

Juristi Vigan Qorrolli është shprehur i bindur se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim që ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentit Hashim Thaçi me të cilin e ka nominuar Avdullah Hotin për kryeministër.

“Vendimi do t’i ketë dy faza. Faza e parë është kërkesa që lidhet me masën e përkohshme dhe masa e përkohshme nënkupton që ajo mund ta stopojë mbajtjen e seancës për votimin e Qeverisë Hoti. Ndërsa, meritat e lëndës të vendosen në një situatë më të vonshme dhe kjo pritet të ndodhë potencialisht në 30 ose 45 ditët e ardhshme – varësisht afatit kohor sipas Rregullores së Punës, siç e cakton Gjykata Kushtetuese”.

“Zakonisht gjyqësia kushtetuese interpretohet ngushtësisht mbi premisat e një kërkese nga pala e autorizuar. 30 deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese në një arsyetim goxha të detajuar dhe në kuptim shumë të detajuar juridik vendosjen e masës së përkohshme, për shkak se dëmet nga krijimi i qeverisë së re do të ishin të riparueshme”.

“Sot, nëse doni po vëmë bast, pres që vendimi të jetë pozitiv në kuptimin që masa e përkohshme ta suspendojë mbajtjen e seancës për Qeverinë Hoti”.

Qorolli në “Klan Kosovëa”, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj duhet të japë përgjigje nëse Albin Kurti ka hequr dorë nga mandati i tij, derisa ka shtuar se Kosova do të bëhet gaz i botës nëse do të ketë dy qeveri.

“Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë dhe aty janë nëntë zëra që mund të kenë mendime të ndryshme, por e jona është që të diskutojmë përmbajtjen juridike të kërkesës. Me sa e kam parë dhe është bërë publike sot, kërkesa është e detajuar dhe kërkon interpretimin e normave që lidhen me kompetencën e presidentit dhe me një gjë shumë specifike – nëse letrat e Albin Kurtit drejtuar Hashim Thaçit përbëjnë heqje dorë nga një e drejtë kushtetuese”.

“Aktgjykimi i vitit 2014 përcakton që pa fituesin e zgjedhjeve nuk mund të bëhet qeveria as herën e dytë. Nëse gjykata kësaj radhe nxjerr aktgjykim të ri që anulon vendimin e saj të vitit 2014 dhe do ta riinterpretojë normën, nuk mund ta them se si do të vendosë”.

“Por, Gjykata Kushtetuese duhet t’i japë përgjigje pyetjeve nëse Albin Kurti ka hequr dorë dhe çfarë thonë letrat e tij. Me atë që ne e dimë Kurti s’ka hequr dorë asnjëherë nga mandati i tij, derisa presidenti i ka dhënë mandatin LDK-së si e dyta, pa hequr dorë Albin Kurti”.

“Do të bëhemi shtet qesharak nëse do të kemi dy qeveri. Do të bëhemi si Libia që ka dy qeveri – do të bëhemi gazi i botës”.

“Nëse Gjykata Kushtetuese parandalon për dy-tri javët e ardhshme votimin e një qeverie, që për mendimin tim është anti-kushtetuese sepse Kurti s’ka hequr dorë, atëherë ne do të mund të flasim kur dalin meritat”.

Por, çfarë saktësisht nënkupton masa e përkohshme?

“Nuk dua të flas për rezultatin e masës së përkohshme, por juridikisht masa e përkohshme është një masë që parandalon ose pezullon marrjen e një vendimi përfundimtar i cili, pa e paragjykuar, do të stoponte ose parandalonte një dëm që në jurisprudencë quhet i pariparueshëm”.

“Rezultati i dekretit të presidentit mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për vendosjen e dy qeverive të Kosovës duke mos lejuar tranzicion të mirëfilltë demokratik, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 thotë se qeveria e re nuk mund të bëhet pa fituesin, prandaj rreziku që pa pjesëmarrjen e partisë fituese të formohet një qeveri pa zgjedhje është shumë i madh dhe kësisoj dëmi është i pariparueshëm”.

“Nëse vendoset që një shumicë tjetër mund ta krijojë qeverinë pa fituesin duhet të arsyetohet në mënyrë që ne të bindemi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Leicester City, Brendan Rodgers, po bën një punë…