Vigan Qorrolli: Gjatë fushatës mos e përmendeni dialogun me Serbinë, zhvillimin ekonomik dhe vizat
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, njëherësh analist politik, Vigan Qorrolli,
ka thënë se partitë politike gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të kenë parasysh tri gjëra për të cilat nuk duhet folur fare: Dialogu me Serbinë, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, shëndetësia dhe liberalizimi i vizave.
Ai ka thënë se dialogu me Serbinë dhe historiku i raporteve me shtetin dikur armik, që synohet të bëhet mik, nuk guxon assesi të përdoret si slogan fushate ose si ambicie për të hipur në pushtet.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe shëndetësisë, Qorrolli ka thënë se në 20 vite liri dhe në 11 vite Republikë, kjo kastë politikanësh ka treguar mrekullisht se sa e padenjë është në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit prokurorial/gjyqësor, dhe sa e pasinqertë është në adresimin e nevojave bazike shëndetësore për qytetarët e vet.
Ndërkaq rreth temës së liberalizimit të vizave, ai ka thënë se nuk ka një temë që ngjallë më shumë neveri për njeriun kosovar se sa liberalizimi i vizave, rrjedhimisht udhëtimi i lirshëm drejt Unionit Evropian
Shkrimi i plotë i tij në llogarinë e vet në “Facebook”:
TRI GJËRA PËR TË CILAT NUK DUHET FOLUR NË FUSHATË
Për të qenë maksimalisht besnik ndaj fakteve, në fushatë zgjedhore nuk flitet me mençuri por, me andralla, prapësi, goditje, urrejtje dhe me premtime për hiç gjë.
Fushata zgjedhore, nga shkaku se është një marrëzi imagjinare, hamendësimi për të, në kontekstin e Kosovës, duhet të ndërtohet mbi tri gjëra të cilat nuk duhen përmendur gjatë saj:
E PARA: Dialogu me Serbinë
Dialogu me Serbinë dhe historiku i raporteve me shtetin dikur armik, që synohet të bëhet mik, nuk guxon assesi të përdoret si slogan fushate ose si ambicie për të hipur në pushtet.
Mallkimi i dialogut me shtetin armik-mik duhet të hidhet në koshin e plehrave dhe për këtë të flas historia dhe jo politikanët shetitës me patriotizëm të plagosur.
E DYTA: Zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, shëndetësia
Në 20 vite liri dhe në 11 vite Republikë, kjo kastë politikanësh ka treguar mrekullisht se sa e padenjë është në zhvillimin ekonomik-shoqëror, në ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit prokurorial/gjyqësor, dhe sa e pasinqertë është në adresimin e nevojave bazike shëndetësore për qytetarët e vet.
Kjo katrahurë në këto tri fusha sublime për shpirtin e gjallë të njeriut kosovar, me kapje absolute dhe shkërmoqje të plotë të tyre, vërteton se mendja e kësaj elite politike është e lodhur, e gllabëruar dhe si një verë e prishur që nuk pihet, po kaq nuk duhet të votohet.
E TRETA: Liberalizimi i vizave
Nuk ka një temë që ngjallë më shumë neveri për njeriun kosovar se sa liberalizimi i vizave, rrjedhimisht udhëtimi i lirshëm drejt Unionit Evropian. Zemra e njeriut të rëndomtë është e brishtë por, ajo e një politikani, për të cilin dhembshuria nuk ekziston, është gjëja më e pamëshirshme kundrejt atyre që u shërben.
Duke mos qenë të aftë në sigurimin e mirëqenies për tjetrin (sall për veten dhe familjet e tyre), politikanët tanë nuk duhet të guxojnë kësaj radhe të flasin për “dhimbjen” e liberalizimit të vizave.
S’do mend, kjo temë është abuzuar së tepërmi dhe çdo gjë që flitet rreth saj – duhet konsideruar (vetëm) si humor i rastit dhe asgjë tjetër përveç kësaj.
Liria politike – liria prej despotizmit – është më e rëndësishmja e të gjitha vlerave politike (Karl Popper).
Dhe populli ynë kësaj radhe duhet të luftojë për lirinë e tij politike. Nuk duhet që të rrijë duarkryq.
Në regjime despotike njerëzit janë në rrezik që ta tradhëtojnë njerëzimin dhe ta humbasin njerzillëkun e tyre.
Nga ky shkak, shoqëria jonë, njerëzit tanë – janë dehumanizuar. Moralisht, financiarisht, politikisht, etj.
Për faj të regjimit, natyrisht.