Vihet gurëthemeli i ‘Shtëpisë Muze’ në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë
Në ‘Shtëpinë Muze’ që ndodhet në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, sot është shënuar Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Në këtë aktivitet të pranishëm ishin, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari, Faruk Mujka, zëvendësministri i MMPH-së, Gjergj Beka, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Jahja Lluka, drejtorë komunal, kryetari i organizatës ‘Zëri i Prindërve’, Bajram Çerkini, familjarë të të pagjeturve e martirëve, si dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi ka përshëndetur të pranishmit dhe familjarët e të rënëve, ka thënë se ata do të kujtohen çdo herë sepse janë njerëzit më të devotshëm të këtij vendi të cilët i kontribuuan lirisë sonë.
“Sot 20 vite ka ndodhur kjo masakër makabër ku shumë viktima pësuan në shtëpitë e tyre dhe në trojet e tyre. Me njerëzit me të cilët kemi jetuar dhe kemi punuar së bashku dhe në fund të ndodh një gjë e tillë këtë mund ta bëjë vetëm nacionaliteti serb. Ky muaj është më i vështiri për ne pasi që kujtojmë shumë të rënë por njëkohësisht jemi edhe shumë krenar. Ne sot do të bëjmë edhe gurëthemelin e Shtëpisë Muze për t’i nderuar të gjithë të rënët dhe kjo të jetë pasqyrë e asaj çfarë ka ndodhur vite më parë për ne dhe të gjithë gjeneratat e ardhshme”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.
Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për çështjen e personave të zhdukur, ka thënë se Mitrovica sot ka shumë dhimbje e lot, por edhe pas 20 viteve është krenare e stoike.
/Epoka e re/