Vihet gurëthemeli për ndërtimin e një shkolle të re në Kaçanik
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me kryetarin e komunës, Besim Ilazi, të parin e Nismës në Kaçanik, Agim Çaka, deputetë e zëvendësministra të kësaj zone, morëm pjesë në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e një shkolle të re në Kaçanik.
“Mbi një milion euro për një shkollë moderne në Kaçanik. Vënia e gurëthemelit për ndërtimin e një shkolle të re, është lajmi më i mirë që i kemi dhënë sot fshatit Doganaj të Kaçanikut. Bashkë me kryetarin e komunës, z. Besim Ilazi, të parin e Nismës në Kaçanik, z. Agim Çaka, deputetë e zëvendësministra të kësaj zone, morëm pjesë në këtë ceremoni festive për shkollën fillore ‘Ali Asllani”, ka shkruar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thën se ky nuk është vetëm një premtim i realizuar, por është edhe obligim si MAShT pasi janë zotuar për të investuar në objekte moderne në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim.
“Angazhimi ynë i sinqertë, çdo ditë, në çdo vend të Kosovës, po jetësohet dhe po jep frytet e saj. Si ministër i Arsimit, në asnjë moment nuk do ndalem së angazhuari për të jetësuar të gjitha zotimet e bëra për një arsim më të mirë në Kosovë”, ka thënë ministri Bytyqi.
/Epoka e re/