Vihet gurthemeli i shkollës fillore në Gushavc të Mitrovicës
Në fshatin Gushavc të Mitrovicës, të premten është vënë gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore “Harun Beka”, projekt ky i cili kap shumën 1 milion e 300 mijë euro.
Në vënien e gurthemelit të kësaj shkolle ishte i pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari, Faruk Mujka, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Hysen Muzliukaj, zyrtarë komunal, si dhe banorë të këtij fshati.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e ndërtimit të kësaj shkolle të re, duke theksuar se gjithmonë prioritet e ka pasur ngritjen e cilësisë së arsimit në qytetin e Mitrovicës.
Gjithashtu kryetari Bahtiri falënderon edhe MASHT-in për mbështetjen e dhënë në bashkëfinancimin e këtij projekti, dhe se me ndërtimin e kësaj shkolle do të krijohet ambient më i përshtatshëm dhe do të plotësohen nevojat për mësimdhënie dhe mësimxënie.
Ky projekt po realizohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëfinancimit mes Komunës së Mitrovicës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
/Epoka e re/