Vihet gurthemeli i shkollës së mesme profesionale në Komoran
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të premten kanë vënë gurthemelin e shkollës së mesme profesionale në Komoran të Drenasit.
Me këtë rast, ministri Bytyqi, ka thënë se fillimi i ndërtimit të kësaj shkolle është një ngjarje e veçantë për Komoranin dhe rrethinën, veç tjerash edhe për faktin se, Ministria ka vënë prioritet zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.
Bytyqi ka thënë se investimi nga MAShT-i dhe mbikëqyrja nga Ministria e Administratës Publike, si dhe sigurimi i lokacionit nga ana Komunës së Drenasit për ndërtimin e kësaj shkolle, është dëshmi e përkushtimit tonë që të sigurojmë kushte për një arsim cilësor.
Ministri Bytyqi gjithashtu ka thënë se në bashkëpunim me Komunën e Drenasit do të bashkërendohen veprimet, në mënyrë që të sigurohen informatat e nevojshme për nevojat e tregut të punës dhe mbi bazën e nevojave të bizneseve të kemi profile që të rinjtë tanë të moshës 18 vjeçare të jenë të gatshëm për tregun e punës.
“Kjo shkollë do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me bizneset ku nxënësit do të kenë mundësinë e zhvillimit të anës praktike të të mësuarit”, ka thënë ministri Bytyqi.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm deputetë të Parlamentit të Kosovës, zëvendësministra dhe përfaqësues të Komunës së Drenasit.
/Epoka e re/