Vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut në Prizren
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, të enjten në Prizren është vendosur gurthemeli i shtatores së Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, projekt ky që ka kushtuar 70 mijë euro dhe që do të jetë i gatshëm në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Në ceremoninë solemne të vendosjes së këtij gurthemeli kanë marrë pjesë një numër i madh qytetarësh të Prizrenit, të prirë nga kryetari i Komunës Mytaher Haskuka. Haskuka ka thënë se ky aktivitet bëhet së bashku me “Trojet e Arbrit” dhe se janë dakorduar që vendi ku do të vendoset shtatorja e Gjergj Kastriot-Skënderbeut të marrë emrin e kryetrimit të madh shqiptar.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Intelektualëve gjithëshqiptar, Ndue Oroshi, vendosjen e gurthemelit për heroin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, e ka quajtur një ditë të madhe për Prizrenin, teksa ka bërë me dije se financimi i projektit do të bëhet nga qendra “Trojet e Arbrit”.
Një fjalë rastin në vendosjen e gurthemelit në vendin që në të ardhmen do të quhet sheshi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ka mbajtur edhe Selim Krasniqi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Prizren.
Në anën tjetër, drejtori i Administratës së Komunës së Prizrenit Osman Hajdari, ka thënë e projekti për ngritjen e monumentit kushtuar Gjergj Kastriot-Skënderbeut ka marrë mbështetjen e të gjitha partive politike në këtë komunë. Ngritja e shtatores së Gjergj Kastriot-Skënderbeut do të bëhet më 2 mars 2020.