Vihet gurthemeli për ndërtimin e 44 shtëpive në fshatin Frashër të Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri, së bashku me drejtorin e organizatës “Qatar Charity”, Muhamoud Abbas Shkaer, kanë vënë të hënën gurthemelin për ndërtimin e 44 shtëpive, një shkolle, një shtëpi të shëndetit, katër lokale afariste, një objekt i destinuar për shfrytëzim nga “Qatar Charity” dhe një xhami për familjet në nevojë, në fshatin Frashër të Mitrovicës.
Në vënien e gurthemelit ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, drejtori për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Besnik Beka, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Hysen Muzliukaj, si dhe përfaqësues nga organizata “Qatar Charity”.
Me këtë rast kryetari Bahtiri ka falënderuar përfaqësuesit e “Qatar Charity” për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Komunës së Mitrovicës, duke sjellë projekte madhore në sektorë të ndryshëm, për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë.
“Ky projekt i mbështetur nga organizata juaj është shumë i rëndësishëm si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social, por mbi të gjitha ka vlera humanitare sepse i atribuohet qytetarëve të cilët jetojnë në kushte jo të mira ekonomike. Dhe ne ndihemi shumë falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe realizimin e shumë projekteve në qytetin tonë, kur dihet se aktualisht qyteti i Mitrovicës përballet me vështirësi të mëdha ekonomike”, tha ndër të tjerash Bahtiri.
Ndërsa, drejtori i organizatës “Qatar Charity”, Muhamoud Abbas Shkaer, theksoi se ata do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të ndihmojmë qytetarët e Mitrovicës me projekte të ndryshme, e veçmas ato familje që me të vërtetë kanë nevojë.
Ky projekt realizohet nga bashkëfinancimi i Komunës së Mitrovicës, dhe organizatës “Qatar Charity”, me ç’rast Komuna e Mitrovicës do të participojë me mjete financiare në shumë totale prej 760,000.00 euro, si dhe ka siguruar pronën komunale për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë.
/Epoka e re/