Vihet gurthemeli për ndërtimin e shkollës në Fortesë të Rahovecit

05 shtator 2019 | 11:40

Në fshatin Fortesë të Rahovecit është vënë gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Liria”, projekt ky i cili kap shumën 759 mijë euro.

Kryetari i Komunës se Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se ndërtimi i kësaj shkolle ka qenë jetik për nxënësit dhe mësimdhënësit e fshatit Fortesë.

Ai ka theksuar se kjo shkollë do t’i plotësojë nevojat për mësimdhënie  dhe mësimnxënie pasi, krahas shkollës, do të ketë edhe objekte të tjera përcjellëse.

Latifi ka deklaruar se renovimi i shkollës së mëhershme ka qenë i pamundur pasi pozita e shkollës ka qenë jo e përshtatshme dhe në kohën e shirave gjithnjë është vërshuar.

“Objekti i ri i Shkollës Fillore ‘Liria’ në Fortesë ka qenë jetik dhe më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm pasi objekti ekzistues është në pikën më të ulët dhe sa herë që ka rënë pak shi, pothuajse kati i parë ka qenë i mbuluar me ujë. Dhe asnjë mundësi për renovim të objektit ekzistues nuk ka pasur sepse investimet do të ishin të paqëndrueshme. Si rezultat i një analize të njerëzve që e njohin këtë fushë kemi marrë rekomandim që të nisim një objekt të ri që është funksional, që ka edhe sallën e edukatës fizike dhe mjediset përreth shkollës do të jenë të rregulluara mirë. Standardet e kushteve që do t’i plotësojë për mësimdhënie dhe mësimnxënie janë të larta. Vlera e kontratës është 759 mijë e ca euro”, ka thënë Latifi.

Ndërsa drejtori i Shkollës Fillore “Liria”, Elhami Zhuniqi, ka thënë se ndërtimi i shkollës së re do të ndikojë në rritjen e cilësisë në arsimim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës,…