Vihet në pikëpyetje 1 shtatori si datë për nisjen e regjistrimit të popullsisë
Qeveria e Kosovës nesër (e mërkurë) do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është edhe propozim – vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.28/99 të datës 30 shtator 2022.
Më këtë datë Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare në tërë territorin e Kosovës të nisë më 1 shtator.
Për këtë çështje ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, për “teve1.info”, kishin thënë se data 1 shtatori është ende në vlerësim nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Marrë parasysh regjistrimin e fundit të popullsisë, 12 vjet më parë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë, duke mos përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Ky proces ishte paraparë të bëhet në vitin 2021, por që fillimisht ishte shtyrë për vitin 2022, e pastaj ishte vendosur për vitin 2023.
Regjistrimi i popullsisë konsiderohet ndër proceset më të rëndësishme të një shteti, pasi sigurohen të dhëna për numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë si dhe karakteristika të tjera.