VII. Në mbrojtje të albanologjisë
Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj-Baliu
Prof. dr. Begzad Baliu
Pikëpamjet e profesor Rexhep Qosjes për Albanologjinë (5)
Gjatë viteve të tij shkencore dhe intelektuale profesor Rexhep Qosja është shquar në mënyrë të veçantë me përpjekjet e tij integruese në fushë të mendimit shkencor, si dhe për etikën e fjalës e të mendimit në kulturën shqiptare, në kohën kur ajo ndalohej për shkaqe politike, ideologjike dhe ‘parimore’. Krijues, që nuk e ka pranuar dogmatizmin dhe folklorizmin, profesor Qosja me kohë është çliruar prej fjalësit ideologjik dhe fjalësit krahinor, por duke qenë krijues me njohje të gjerë të traditës kombëtare dhe trashëgimisë letrare të përbotshme, ai ka ditur t’i bëjë të përdorshme vlerat historike dhe mitike nacionale si vlera estetike universale.
Pas demonstratave të vitit 1981, ai u bë pjesë e lëvizjes së madhe studentore dhe kombëtare në mbrojtjen politike, fizike dhe qytetare të popullit shqiptar në Kosovë nga gjenocidi i politikës së Beogradit, duke u bërë edhe bardi moral e intelektual i saj. Në këtë periudhë, me fjalën e tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, ai përfundimisht e ka bërë dejugosllavizimin e mendimit shqiptar.
Po në këtë periudhë atij i takoi të mbronte jo vetëm lirinë e popullit të tij, po edhe disa prej përbërësve etnikë, historikë e gjuhësorë të popullit shqiptar. Në mënyrë të veçantë mbrojti albanologjinë si koncept, si dije, si kulturë dhe si vlerë institucionale shqiptare.
Kush nuk i kujton sot tekstet e tij, intervistat, polemikat, studimet dhe protestat e tij në shtypin jugosllav për shqiptarët dhe pozitën e tij në ish-Jugosllavi, ku albanologjia zinte gjithashtu vendin e veçantë. Kush nuk i kujton sot analizat dhe polemikat e tij, në mbrojtje të albanologjisë dhe të institucioneve të saj, si ai: Akademik apo censor, në mbrojtje të Fjalorit të gjuhës shqipe, (1985); esenë Atentate mbi kulturën, në mbrojtje të trashëgimisë etno-historike e kulturore të shqiptarëve në Maqedoni (1987); përgjigjen Fjala është, vërtet, për lirinë, albanologjinë dhe Shqipërinë, tekst i dërguar në gazetën e Beogradit Borba (1987) si përgjigje në reagimet që në këtë gazetë ishin botuar në lidhje me intervistën Liria që s’e kemi të botuar në gazetën sllovene Delo (1987); esenë Ambasadori pa vullnet të mirë, tekst i dërguar gazetës Borba (1988), si përgjigje në fejtonin e ambasadorit jugosllav në Tiranë Arsa Millatoviqit, Si i njohin shqiptarët; reagimin Albanizmi apo albanofobia, përgjigje në artikullin e Shoqatës së arsimtarëve universitarë dhe punonjësve të tjerë shkencorë të Serbisë dhe Shoqatës Shkencore të Serbisë, në të cilin veç tjerash Profesor Qosja ankohej për mungesën e bashkëpunimit me studiuesit dhe institucionet në Shqipëri; intervistën E drejta historike dhe e drejta etnike, për gazetën Delo (1989) etj. Të gjitha këto u botuan të përmbledhura në librin Fati i pambrojtur, në kroatishte, në mesin e të cilave pastaj edhe studimi Dobrica Qosiqi dhe çështja shqiptare (1989). Nuk e dimë a është e domosdoshme të theksohet se të mbroje albanologjinë në vitet ‘80 në Kosovë, ishte sikur të mbroje gjuhën shqipe në fund të shekullit XIX.
Në vitet ’90, kur zëra të caktuar filluan të shquajnë karakterin krahinor (të kulturës shqiptare), dialektor (të gjuhës shqipe) dhe përdallues (të religjionit të shqiptarëve), duke e shquar njërin më shumë se tjetrin dhe madje njërin kundër tjetrit, Rexhep Qosja mbrojti me guximin e tij intelektual pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen Perëndimore, Lindore a Bizantine të tij. Dhe e bëri këtë edhe në një periudhë tjetër po kaq dramatike në jetën tonë. Situata të tilla për fat të keq në jetën tonë u përsëritën edhe më vonë, kur rrethana të reja u shfaqen jo vetëm në shoqërinë shqiptare në Shqipëri po edhe në shoqërinë shqiptare në Kosovë.
Në fillim të shekullit XXI kur shoqëria shqiptare po përpiqej ta kalonte rubikonin e tranzicionit demokratik në Shqipëri, dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore në Kosovë, u shfaqen mjaft zëra, të cilët shquanin të ashtuquajturin identitet kosovar dhe të ashtuquajturën gjuhë kosovare, duke e kushtëzuar madje edhe mbivendosjen e një shtrese krishterimi në identitetin kosovar, si kusht për t’u identifikuar me përmbajtjen qytetëruese evropiane. Dhe zërat shfaqeshin në një kohë që hapësira e Kosovës ishte vetëm një hapësirë gjeografike e dizajnuar nga strukturat shtetërore jugosllave, që në kushte të reja të zhvillimeve ndërkombëtare po merrte konturat e një shteti të ri, ndërsa etnonimi përkatësisht etimologjia e emrit kosovar në kontekstin historik ishte vetëm një fjalë e prejardhur nga sllavishtja dhe e shtrirë andej në hapësirën sllave të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në këto rrethana të reja, kur inteligjencia në Kosovë dhe përgjithësisht në gjithë hapësirën shqiptare merrej me probleme të karakterit partiak, klanor dhe personal, Profesor Qosja botoi traktatin Ideologjia e shpërbërjes, me të cilin atakoi jo thjesht individë a grupe të caktuara të interesit, po një dimension shumë shqetësues që rrezikonte të merrte përmasa historike në jetën e popullit shqiptar.
Në këtë rrjedhë veprat e tij, që më parë se letrare, kritike, polemizuese, dokumentare, historike, historiko-letrare, teorike etj., do të mund të quheshin me një emër të përbashkët: albanologjike, shquhen për gjuhën e jashtëzakonshme dhe prurjet e tyre, jo vetëm të natyrës fonetike e fjalëformuese, por edhe sintaksore e stilistike, një arritje kjo rrallë e shënuar në letrat shqipe. Ata që kanë lexuar projektet e tij gjithëkombëtare për institucionet albanologjike dhe projektet nacionale për të cilat duhet të punonin në fund të viteve ’60; ata që kanë lexuar konceptet e tij për gjuhën letrare në fillim të vitit ’70; ata që kanë lexuar vlerësimet e tij për shqipen standarde dhe terminologjinë shkencore në studimet kritike dhe historiko-letrare të viteve ’80; në të vërtetë ata që e kanë lexuar veprën e tij letrare, publicistike, historike, politike, historiko-letrare dhe polemike, nuk e kanë vështirë të kuptojnë pse ai e shquan kaq shumë rëndësinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe, si dhe dimensionin përbashkues të saj në jetën e popullit shqiptar. Për më tej, ata që e kanë lexuar dhe shijuar me kujdes pasurinë leksikore dhe kuptimore të fjalësit të tij, nuk e kanë të vështirë të shohin se pasuria e gjuhës shqipe nuk vjen vetëm prej një dialekti a një dialekti tjetër, por edhe prej dhuntisë së krijuesit për të gjurmuar dhe pasuruar gjuhën e tij me fjalë, nocione, terma, neologjizma apo togfjalësha të rinj.
Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera që nuk patëm mundësi t’i theksonim këtu, mund të themi se Profesor Rexhep Qosja më shumë se historian i letërsisë është albanolog në kuptimin e plotë të fjalës! (FUND)