Vijon rënia e çmimeve të arit të zi në bursa
Shqetësimet për mungesën e hapësirave depozituese të naftës së papërdorur amerikane vijojnë të ndikojnë çmimet e saj në bursa. Standardi i naftës europiane gjithashtu është ulur, por vendet kryesore eksportuese zotohen për stabilizim të situatës.
Një nga arsyet për rënien pingul të çmimeve të naftës bruto amerikane në bursa është mungesa e hapësirave për depozitimin e lëndës hidrokarbure.
Në kohën kur kërkesa për të është minimale pasi miliarda njerëz qëndrojnë mbyllur në shtëpi prej krizës së koronavirusit, të dhënat zyrtare tregojnë se e gjithë hapësira e magazinës kryesore amerikane në shtetin jugor të Oklahomës, me kapacitet rreth 76 milionë fuçi, është e prenotuar nga firmat.
Departmenti amerikan i Energjisë ka njoftuar se do të lirojë disa hapësira të rezervës së vet strategjike për t’i ardhur në ndihmë tregut, ndërsa po studiohen alternativat edhe për magazinimin e naftës bruto në platforma detare, që mendohet se arrijnë kapacitetin 160 milionë fuçi.
Rënia e lirë me mbi 30 për qind e kërkesës për naftë në botë të mërkurën po ashtu lëkundi tregjet, duke e çuar vlerën e naftës të standardit amerikan poshtë 11 dollarë fuçia për kontratat e qershorit, ndërsa Brenti europian, 10 për qind më ulët në 17 dollarë.
Në fillimin e javës u arrit edhe rekordi historik, që e zbritur vlerën e brutos amerikane në minus 37,6 dollarë fuçia, ndërsa Brenti në pikën më të ulët të dy dekadave.
Çmimet e ulëta dhe reduktimi i prodhimit të naftës, përpos ekonomisë së SHBA-së rrezikojnë kryesisht vendet latinoamerikane, si Venezuela, Kolumbia apo Meksika, shtete ku situata me hidrokarburet kushtëzon planet buxhetore të qeverive.
“Situata është shumë e vështirë. Mendoj se kompania jonë shtetërore, Pemex, duhet të fillojë të mbyllë disa nga puset dhe vetëm ulja e prodhimit global do e rikthejë çmimin e naftës në vlera pozitive,” shprehet senatori Armando Guadiana, kreu i komisionit të Senatit meksikan për energjinë.
Në bazë të marrëveshjes së arritur nga vendet e OPEK-ut në 1 maj, shtetet eksportuese të naftës do të ulin prodhimin me 9,7 milionë fuçi naftë në ditë duke nisur nga muaji i ardshëm.
Kabineti ekzekutiv i Arabisë Saudite, një prej vendeve me zonat më të mëdha naftëmbajtëse të botës pas Venezuelës, është zotuar se do të ndërhyjë për të stabilizuar tregun e naftës.
Zhvillimet u reflektuan në orët e paradites me optimizëm në bursat europiane dhe ato aziatike. /oranews/