Viktima nga zjarret në Australi
Banorët e rajoneve lindore të Australisë po përjetojnë ditë ferri nga mbi 100 vatra zjarri që kanë përfshirë disa zona të banuara dhe pyjore.
Autoritetet thanë se deri më tani kanë gjetur trupat e pajetë të shkrumbuar nga flakët në disa banesa të djegura. Disa të tjerë rezultojnë të zhdukur, fati i të cilëve ende nuk dihet.
Më të prekura nga zjarret e shfaqur prej të premtes janë rajonet e New South Wales dhe Queensland. Autoritetet kanë evakuuar mijëra banorë nga shtëpitë e tyre. Vetëm në rajonin e New South Wales, mbi 150 shtëpi janë djegur. Banorët e mbetur e mbetur e përshkruajnë situatën si apokaliptike.
Erërat e forta, moti i thatë dhe temperaturat verore që kanë arritur deri në 35 gradë Celcius, po ndihmojnë në përhapjen me shpejtësi të flakëve. Mbi 1500 trupa zjarrëfikëse dhe disa avionë e helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve.