Viktimat e 21 Janarit, dëmshpërblim 2.1 milionë euro për 4 familjet
Një muaj përpara 21 janarit qeveria i ka akorduar 970 mijë euro shtesë familjeve të katër viktimave. Ky është dëmshpërblimi i dytë pas atij të 18 janarit të këtij viti, që e çon shifrën në një total mbi 2 milionë euro.
Qeveria argumenton se detyrimi për dëmshpërblim rrjedh nga vendimet e gjykatës së Tiranës. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia dhe ka dënuar ish-komandantin e gardës, Andrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vjet.
Gjatë kohës që ishte në opozitë, Partia Socialiste e quajti vrasjen e protestuesve një krim shtetëror, duke akuzuar drejtëpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin kryesor dhe madje duke premtuar dhënien e drejtësisë.
Me këtë këst të dytë dëmshpërblimi dhe 2.1 milionë euro në total, socialistët i kanë vënë premtimit të tyre për drejtësi një çmim financiar prej 525 mijë euro për çdo të vrarë nga Garda e Republikës, raporton “TCh”.
Por pas këstit të parë në fillim të vitit, xhaxhai i njërës prej viktimave, Aleks Nika, u shpreh për Top Channel se drejtësia për familjarët nuk ka marrë fund, pasi çështja, në aspektin civil të saj, është në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg. Më 21 janar 2011, gjatë protestës përpara kryeministrisë humbën jetën Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.