Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, po u refuzohet statusi
Një numri të konsiderueshëm të grave, por edhe burrave që pretendojnë se kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, po u refuzohet statusi i viktimës, me çka edhe humbin të drejtën për beneficione ligjore.
Bazuar në deklaratat e zyrtarëve më të lartë të shtetit, në Kosovë gjatë luftës së fundit, konsiderohen se kanë qenë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale.
Megjithatë, deri më tani, vetëm 175 prej tyre u është pranuar statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u mundësohet edhe një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.
Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, thotë se gjithsej kanë aplikuar 890 persona, që pretendojnë se janë viktima të dhunës seksuale.
Prej këtij numri të aplikacioneve janë 15 meshkuj, ku vetëm 6 prej tyre kanë përfituar këtë status.
“Në nivel vendi, kemi pranuar 890 aplikacione, prej tyre numri i të pranuarve është 175. Një numër i konsiderueshëm janë përfshirë edhe në pension. Prej të shqyrtuarve, 97 janë refuzuar për herë të parë, pra gjithë këta kanë të drejtë në kërkesë për rishqyrtim. Aktualisht, në proces janë 46 raste që presin intervistë dhe u kemi kërkuar dokumente shtesë”, u shprej Begaj./REL