“Vila 300 mijë €uro”, Samir Mane nën hetim nga SPAK, e zbulon Ilir Meta: Më akuzojnë se e favorizova
Në vazhdën e akuzave për SPAK, të cilën e konsideron një organizatë karagjoze, Ilir Meta, ka përmendur se nën hetim për lidhje me të është dhe biznesmeni i njohur Samir Mane.
Mbrëmjen e djeshme, Meta tha se është pyetur nga SPAK, nëse ka ndërhyrë pranë kreut të AKEP, Pirro Xhixha, për llogari të Manes, i cili ka qenë një prej pronarëve të kompanisë telefonike ‘PLUS’. Sipas Metës, SPAK ka kërkuar që të gjejë lidhje mes Manes, dhe tij, për shkak se biznesmeni ka blerë një vilë në Qerret, nga familja e tyre, e cila më pas i është shitur gazetarit Baton Haxhiu.
Vila në fjalë është blerë për shifrën e 300 mijë eurove, dhe sipas Metës, prokuroria po kërkon nëse shitja e saj ka lidhje me çështjen e kompanisë telefonike, ku ai ka pasur një takim me biznesmenin, në cilësinë e ministrit të ekonomisë.
“SPAK është një organizatë karagjoze, do me patjetër të më krijojë një lidhje me mikun tuaj, të dashur, Samir Mane, I kërkoj falje që po i përmend emrin, Unë nuk e kam fshehur raportin miqësor që kam pasur me të, do të krijojë lidhjen se çcfarë ka ndodhur me ato 300 mijë euro që është blerë shtëpia nga ana e Samirit, dhe më pas ta ka shitur ty. Unë nuk e di se pse është deklaruar në atë vit e jo në një vit tjetër. Thonë se nga një përgjim, që del se unë kam ndikuar te Pirro Xhixha, për të favorizuar Samirin për këto te telefonisë”.
“Është rasti i Plus që 10 apo 15 pronarë shqiptarë ngrinin pretendimin se kreu i AKEP po i dëmtonte. Nuk ka qenë vetëm Samiri më takimin që unë kam zhvilluar, ka qenë Armando Duka, kanë qenë pafund pronarë. Do të nxjerrë një lidhje për një gjë që nuk ekziston”, u shpreh Meta, ndërsa denoncoi më tej prokurorinë e posaçme, që i kanë bërë pyetje që nuk i shërbejnë hetimeve.
“Të thotë SPAK-u ty, e njeh ti Elenën, të ka dhënë ndonjëherë lekë ajo ty. Jo I them unë smë ka dhënë, se ka qenë financiare aty. I kam thënë që të vijë dhe të dorëzojë detyrën në PL se ka ikur dhe ka lënë çelësin te roja. Sa herë mund të jem takuar unë me Palmerin, me përralla mo, muhabete kot. Thjesht për të mbajtur të gjalla ato akuza që janë regjistruar atje, kundër Ilir Metës, nga ato fëlliqësira që nuk ia vlen tiu përmendësh as emrin”.
“Nga gjithfarë njerëzish që kanë pasur dhe kanë probleme me drejtësinë, këta janë bashkëpunëtorët e SPAK-ut që duan të mbajnë nën presion Ilir Metën. Unë e kam bërë të qartë se kjo është një betejë pa kthim. Do them një gjë më të rëndë që dëgjova dje, nuk jam marrë me studimet e fëmijëve, janë financuar me të ardhurat e pallatit të Monikës. Pyesni fëmijët ju kam thënë se në moshë madhore janë dhe ata. Nëse fëmijët e mi kanë diçka për të sqaruar të vijnë dhe ta sqarojnë, se kur vij unë që jam president, të vijnë dhe fëmijët e mi. Se unë nuk kërkoj favore nga ju, janë pyetësorë që i bën Engjëll Agaçi”, tha Meta.