Vinales me Yamahan triumfon në Holandë
Piloti spanjoll Maverick Vinales me Yamaha fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Holandës në Moto GP, zhvilluar në pistën e Assen. Ky është triumfi i parë i motorit japonez për këtë sezon, duke thyer kështu tersin dhe rikthyer te fitorja pas më shumë se një viti.
Në vendin e dytë u rendit kampioni i botës në fuqi, spanjolli Marc Marquez me Honda, ndërsa në vendin e tretë u klasifikua francezi Fabio Quartararo me Yamaha Petronas. Këta tri pilotë dueluan më së shumti mes tyre për fitoren, por në 8 xhirot e fundit mes tyre u krijuan diferenca të mëdha dhe Vinales fitoi me lehtësi. Gjithsesi, nëse Yamaha e spanjollit funksionon mirë ajo e Valentino Rossit po zhgënjen. Piloti italian u rrëzua në xhiron e katërt pas një kontakti me Nagakami, që pasi një aksident të frikshëm, por pa pasoja (ndodhet në qendrën mjekësore të pistës).
Dobët u paraqit edhe motori Ducati, që asnjëherë nuk dueloi dot për fitoren. Dovizioso u klasifikua i katërti, por ishte 14 sekonda më i avashtë se fituesi. Gjithsesi, pas kësaj gare vijon të dominojë në renditjen e përgjithshme Marc Marquez, që shkëputet edhe më shumë karshi rivalëve, 44 pikë nga Dovizioso. Gara e radhës, pas një jave në Gjermani.