Vinca: Librat shkruhen në heshtje e vetmi, por libri nuk ka kuptim pa atë që i dedikohet

08 qershor 2022 | 14:11

Fjala në hapje të Panairit të Librit “Prishtina 2022”

Agim Vinca

Të nderuar miq dhe kolegë,

Krijues, botues, lexues e të tjerë,

Zonja dhe zotërinj!

Pas një pauze të imponuar dyvjeçare, Prishtina po i hap sot përsëri dyert e Panairit të Librit, dyert e artit dhe të letërsisë, të dijes dhe kulturës, ato dyer që s’ka mundur t’i mbyllë kurrë asnjë epidemi, asnjë pushtet dhe asnjë pushtues.

Fjala shqipe është treguar më e fuqishme se pengesat me të cilat është ndeshur në shekuj; i ka mposhtur ato dhe ka ardhur edhe më e gjallë e më e bukur, sikurse gjuha me të cilën shkruhet. Fjala në përgjithësi, ajo që në Bibël është e para, kurse fjala e shkruar në veçanti, i ka hapur gjithmonë dyert e shpirtit dhe të mendjes, të lirisë dhe paqes, me një fjalë dyert e Jetës, që askund tjetër nuk frymojnë si në Libër.

Librat shkruhen në heshtje e vetmi, por libri nuk ka kuptim pa atë që i dedikohet, Lexuesin. Dikur në këtë vend ka ndodhur që janë djegur librat si në mesjetë. Djegia e librit është krim, por shpërfillja e librit krim edhe më i madh. Kur vlerën e librit e shpërfill një person pëson kultura e tij, ndërsa kur këtë e bën një shoqëri vihet në pyetje ardhmëria e saj.

Të dashur miq,

Pesëdhjetë vjet më parë, në vitin 1972, atëherë kur panairet mbarëkombëtare të librit, siç është ky, as që mund të imagjinoheshin, pata botuar librin tim të parë me poezi, Feniksi, nga i cili me këtë rast do t’ju lexoj një poezi. Titullohet: E urrej heshtjen. Në kohën e trysnisë dhe censurës, çfarë ishte ajo e para gjysmë shekulli, por edhe shumë kohë më vonë, ishte akt guximi qytetar dhe krijues t’i kundërviheshe heshtjes.

Ju faleminderit!

(Prishtinë, 7 qershor 2022)

E URREJ HESHTJEN

S’më pëlqen

kur zogjtë pushojnë së kënduari

s’më pëlqen

kur përrenjtë pushojnë së gurgulluari

s’më pëlqen

kur rrugët pushojnë së jetuari

(Përmallohem për zënka dhe sharje fëmijësh)

S’më pëlqen

kur njerëzit bëhen gurë varresh

qofshin edhe buzë varrit.

E urrej heshtjen

e urrej dhe pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vjen edhe firma, pasi palët kishin arritur marrëveshjen për të…