
Vinicius do ta vazhdojë kontratën me Realin, zbulohen detajet
Vinicius Junior është afër vazhdimit të kontratës me Real Madridin.
Përkundër momentit të komplikuar, i cili kulmoi me eliminimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Arsenali, “Los Blancos” po mendojnë qysh tash për të ardhmen.
Braziliani është afër vazhdimit të kontratës së tij aktuale, e cila do të skadojë më 30 qershor të vitit 2027.
Sipas mediumit spanjoll “Cadena Ser”, lojtari më i mirë në botë i shpallur nga FIFA do të nënshkruajë për tri vjet të tjerë, pra deri në vitin 2030.
Gjithnjë sipas mediumit spanjoll, besimi i klubit mbretëror karshi sulmuesit është total, kështu që marrëveshja mund të zyrtarizohet në javët në vazhdim.
Reali nuk dëshiron ta humbasë absolutisht lojtarin, ndërsa në ditët e fundit ka pasur takime mes drejtuesve të klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit, me synim që të gjendet gjuha e përbashkët para fundit të sezonit.
Dëshira për ta vazhduar bashkëpunimin është reciproke, ndërsa vetë lojtari në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit e kishte përsëritur dëshirën e tij për ta vazhduar karrierën në Madrid.
Natyrisht, nuk mungojnë skuadrat e interesuara për kartonin e tij, por për momentin situata është e qartë: Vinicius është afër ta hedh të zezën mbi të bardhë me “Merengues”.
Kështu, vështirësohet puna për klubet nga Arabia Saudite, të cilat janë të gatshme të paguajnë shuma marramendëse të parave për lojtarin.
Megjithatë, kampionët e Evropës me këtë veprim do ta “blindonin” lojtarin dhe do t’i “trembnin” klubet nga Saudi Pro League.