
Vinicius Jr. dhe Marquinhos: Brazili luajti keq, s’duam të humbasim Botërorin
Ylli i Real Madridit, Vinicius Jr. nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes së Brazilit ndaj Argjentinës (1-4) në kualifikueset e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës 2026 dhe kërkoi ndryshime në kombëtare.
“Të martën hymë në dhomat e zhveshjes dhe nuk kishte shumë për të thënë. Duhet vetëm të reflektojmë mbi atë që bëmë në fushë, luajtëm shumë keq dhe Argjentina zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer para tifozëve të saj. Duhet të rishqyrtojmë gjithçka që po bëjmë”, ka thënë Vinicius Jr.
Marquinhos, kapiteni i Brazilit, theksoi se skuadra duhet të bëjë shumë më mirë dhe se faji nuk mund t’i atribuohet vetëm trajnerit Dorival Junior. “Na mbetet vetëm një vit deri në Kupën e Botës, kam luajtur një Botëror dhe nuk dua ta humbas sërish”, ka nënvizuar ylli brazilian.
“Duhet të bëjmë shumë gjëra ndryshe, por edhe të vazhdojmë gjërat e mira që po bëjmë për të ndërtuar një ekip të madh. Të gjithë e dinë peshën e kësaj fanelle, vështirësitë që sjell… Duhet të përmirësohemi, të ecim përpara me kokën lart, nuk dorëzohemi kurrë. Do të kualifikohemi për Kupën e Botës”, ka shtuar ai.
“Besoj se Argjentina ka shumë vite punë pas, janë lojtarë që luajnë prej kohësh bashkë dhe fituan Kupën e Botës së fundit. Ne po përpiqemi të gjejmë mënyrën tonë të lojës dhe të krijojmë besim te tifozët. Puna është e gjatë dhe duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”, ka deklaruar Marquinhos.