Viola von Cramon: Kosova është shembull i demokracisë në rajon
Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve për ushtrimin e qetë dhe paqësor të së drejtës së tyre demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit lokal.
Fushata zgjedhore, sipas saj, ka qenë konkurruese dhe pa incidente madhore. “Këto zgjedhje komunale kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë me një debat të vërtetë mes kandidatëve dhe partive politike që propozojnë politika alternative. Sot, më shumë se kurrë Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për rajonin”, ka thënë Viola von Cramon udhëheqë delegacionin e anëtarëve të Parlamentit Evropian.
Megjithatë, edhe ajo përmendi se në komunat e banuara më shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës ka pas presion nga Lista Serbe dhe aktivistët e saj.
Zgjedhjet e 17 tetorit janë të dytat që janë organizuar në kohë pandemie.
Por, Viola von Cramon, tha se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur që në mënyrë efikase t’i zbatojë procedurat zgjedhore dhe nuk është vërejtur ndonjë parregullsi e madhe, çoftë në periudhën parazgjedhore, çoftë në ditën e zgjedhjeve”.