Violinistja Hana Abdullahi mban koncertin e dytë në Tetovë
Lulëzim ETEMAJ
Hana Abdullahi është 15 vjeçe. Ka lindur në Tetovë. Është nxënëse e vitit të parë në Shkollën e Mesme të Muzikës “Todor Skallovski Tetoec” në këtë qytet. Violinën filloi ta mësojë që nga mosha gjashtë vjeçe.
Profesionistë të njohur të fushës së muzikës, përfshirë edhe profesorin e saj të violinës, Shkelzen Pajaziti, e vlerësojnë Hanën talente me perspektivë për skenat botërore.
Viti 2014: Gara shtetërore – çmimi i tretë; 2015: Gara shtetërore – çmimi i dytë; Gara ndërkombëtare në Serbi – çmimi i tretë; Gara ndërkombëtare Sergej Mihajlov – çmimi i parë, 12 maj 2021; Festivali ndërkombëtar Polyhymnia (Shkup) – çmimi i parë, më 11 maj 2021.
Këto janë çmimet shtetërore dhe ndërkombëtare që i ka fituar deri më tani violinistja Hana Abdullahi.
Përpos që ka marrë pjesë në gara dhe në koncerte të ndryshme, Hana Abdullahi në qershor të vitit 2019 ka mbajtur në Tetovë koncertin e parë recital. Pas përgatitjeve intensive, ajo tashmë është gati dhe do ta mbajë koncertin e dytë recital.
Koncerti është mbështetur nga Komuna e Tetovës dhe mbahet më 14.06.2021 (e hënë) në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” në Tetovë, me fillim nga ora 19:00.
Korepetitor i koncertit është profesor Shkëlzen Baftiari.