Virusi ‘Nil’ përhapet edhe në Kosovë. Këto janë simptomat e këtij virusi
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) përmes një komunikatë për medie ka njoftuar se në laboratorët e këtij instituti të martën është detektuar prania e virusit të ‘Nilit’ Perëndimor te pacienti i shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Instituti Kombëtar ka bërë me dije se është në vazhdimësi në kontakt me Klinikën infektive.
“Ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të korrikut në nivel qendror dhe periferik janë në gjendje gatishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes. Laboratorët e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes”, është thënë në komunikatën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Instituti Kombëtar ka njoftuar se virusi i ‘Nilit’ Perëndimor përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri.
“Duhet përcjell situatën epizootologjike te kafshët me aksent të veçantë te kuajt dhe duhet shikuar mundësinë e hulumtimit aktiv të rasteve gjatë muajve të verës dhe vjeshtës. Deri tani 17 persona kanë vdekur si pasojë e virusit të ‘Nilit’ perëndimor në gjithë Evropën brenda një jave, kurse në Kosovë një person i moshuar me sëmundje kronike të cilit ia ka rënduar gjendjen virusi i Nilit Perëndimor”, është thënë në këtë komunikatë.
IKSHPK-ja ka theksuar në komunikatë se është duke hulumtuar burimet e këtij infeksioni dhe situata është nën kontroll.
“Aktualisht nuk ka vend për panik. Nga qytetarët kërkohet që të kenë kujdes këtyre ditëve ku vërehet numër i shtuar i mushkonjave”, është bërë me dije në komunikatën e IKSHPK-së.
IKSHPK-ja ka kërkuar nga departamentet komunale të bëjnë dezinsektimin në komunat e veta sipas rekomandimeve të OBSH-së.
Edhe pse në rreth 80 për qind të rasteve, pacientët e infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë, virusi i Nilit perëndimor” mund të shkaktojë përfundim fatal te njerëzit.
Virusi transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave, të cilat janë të infektuara.
“Infeksioni tek njerëzit kryesisht është rezultat i kafshimit nga mushkonjat e infektuara. Mushkonjat infektohen pasi ushqehen me gjakun e zogjve të infektuar, të cilat qarkullojnë virusin në gjakun e tyre për disa ditë. Virusi përfundimisht futet në gjëndrat pështymore të mushkonjave. Gjatë konsumimit të mëvonshëm të gjakut (kur mushkonjat thumbojnë), virusi mund të injektohet në njerëz dhe kafshë, prej ku shumëzohet dhe mund të shkaktoj sëmundje. Virusi mund të bartet gjithashtu edhe nëpërmjet kontaktit me kafshët tjera të infektuara, nga gjaku apo indet tjera. Një përqindje shumë e vogël e infeksioneve në njerëz është paraqitur nëpërmjet transplantimit të organeve, transfuzionit të gjakut dhe me qumështin e gjirit. Është i regjistruar vetëm një rast i bartjes së virusit NP prej nënë tek fëmija me rrugë transplacentare”, është theksuar ndër të tjera në komunikatën e IKSHPK-së.
/Epoka e re/