Virusi që shkaktoi miliarda dollarë dëme, ShBA akuzon Korenë e Veriut
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë akuzuar Korenë e Veriut si përgjegjëse direkte për virusin “WannaCry”, që në muajin maj infektoi kompjuterët dhe sistemet e spitaleve, bizneseve dhe bankave në mbarë botën.
Besohet se nga ky virus u infektuan mbi 300 mijë kompjuterë në 150 vende të ndryshme të botës, duke shkaktuar një dëm prej miliarda dollarësh. Vendi më i goditur ishte Rusia, ku infektimi çoroditi sistemin postar.
Këshilltari i presidentit Donald Trump, Thomas Bossert, ka adresuar gishtin nga Koreja e Veriut gjatë një interviste dhënë për “Wall Street Journal”.
“Akuzat janë të bazuara mbi provat që kemi grumbulluar edhe nga qeveritë dhe partnerët tanë anembanë botës”, ka thënë Bossert.
Kjo është hera e parë që Peniani akuzohet direkt nga Shtetet e Bashkuara si autore e virusit, ndërsa në nëntor Britania e Madhe doli me një deklaratë ku thoshte se ishte “thuajse e sigurt” që pas sulmit fshihej vendi komunist.
Shënjestër e virusit ishin kompjuterët me sistemin Windows. Menjëherë sapo depërtonte në sistem, “WannaCry” enkriptonte (kodonte) të gjithë përmbajtjen dhe në ekran shfaqej një mesazh ku kërkohej kryerja e një pagese për të rifituar aksesin e kompjuterit. (Tch)