Visar Bekaj si ‘bankomat’ për Tiranën
Visar Bekaj nuk është vetëm një nga lojtarët më të mirë të Tiranës, por është edhe si “bankomat” për bardheblutë. Gardiani sërish vazhdon që t’i sjellë Tiranës të ardhura. Së fundmi për bardheblutë ka ardhur një shumë tjetër e majme nga FIFA.
Janë 36 mijë euro të transferuara në emër të Tiranës. Në fakt, është lojtari i Tiranës, Visar Bekaj, i cili ka sjellë këtë shumë në arkat e bardhebluve. Bekaj ka qenë i grumbulluar gjithmonë me Kosovën dhe në këto kushte Tirana ka përfituar nga prania e tij në përfaqësuesen e “Dardanëve”.
Shqipëria ka humbur mundësinë për të shumëfishuar këtë shumë, pasi janë larguar Taulant Seferi dhe Erjon Hoxhallari, të cilët janë te Vorskla Poltava. Toshevski dhe Hasani nuk grumbullohen më me përfaqësueset e tyre.
Nëse këta lojtarë do të ishin pjesë e kombëtareve, atëherë Tirana do të grumbullonte me shumë para nga pjesëmarrja e tyre me kombëtaret respektive.
BEKAJ – Visar Bekaj është lojtari i vetëm i Tiranës që këtë sezon ka luajtur të gjitha ndeshjet me fanellën bardheblu.
Së fundmi ai luajti titullar në sfidën miqësore mes Kosovës dhe Armenisë, duke qenë edhe kapiteni i skuadrës kosovare.
Lojtari u bashkua me Tiranën në shtatorin e 2020-ës dhe sfidën e parë e luajti me Jang Bojsin në “play-off”-in e Ligës së Evropës së atij sezoni.
Portieri që ka lindur në Kosovë ka 90 takime me Tiranën. Ka pësuar 68 gola. Në 42 ndeshje nuk ka pësuar gol, ndërsa numëron 8103 minuta si bardheblu.
Gjithashtu, “dardani” numëron edhe 12 ndeshje mes kombëtares A dhe 21-vjeçarëve të Kosovës.