Analisti Visar Ymeri e ka parë me një sy tejet kritik mënyrën e trajtimit të situatës nga ana e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me KFOR-in dhe Urën e tejet të diskutueshme të Ibrit, për shkak të qëllimeve të Qeverisë së Kosovës për rihapjen e saj.
Ymeri e nisi duke kujtuar rolin që ka KFOR-i në Kosovë, mandati i të cilit buron nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 1244.
Ymeri theksoi se mandati i KFOR-it mbetet i fuqishëm dhe i vlefshëm, duke thënë se “ne harrojmë që KFOR-i në Kosovë e ka mandantin më të fuqishëm. Harrojmë që KFOR-i e ka një mandat e cila është e vetmja pikë me të cilin është pajtuar e gjithë bota, e që është mandati i ardhur nga Këshilli i Sigurimit.”
Ai theksoi se KFOR-i nuk është i pranishëm për të lehtësuar ndonjë marrëveshje përtej kornizës së përcaktuar, ndërsa shtoi se besimi i Kurtit se një deklaratë për hapjen e urës do ta ndryshonte situatën në terren, reflekton “naivitet” nga ana e tij.
“Ai mandat është ende i vlefshëm për KFOR-in. Të mos harrojmë, KFOR-i këtu nuk është për asnjë marrëveshje tjetër përveçse me marrëveshjen e Komunovës dhe Rezolutën 1244. Unë mendoj që kryeminitri Kurti duhet me dalë më tregu qysh paska mendu ai me hapë Urën. Nëse ai ka mendu që ky e merr një vendim edhe atje ndryshon situata në teren, kjo tregon naivitet shumë të madh.” – tha Ymeri.
Në një skenar më ekstrem, sipas Ymerit, nëse Kurti do të mendonte se ura hapet pa u përballur me misionin paqeruajtës, “kjo nuk e bën vetëm naiv, e bën edhe të rrezikshëm”.
“Nëse ai ka menduar që me dy a tre deklarime publike, se si urat i bashkojnë njerëzit janë ndërrojnë mendjen KFOR-it, kjo e bën edhe më naiv. Nëse ai ka menduar që ne do ta hapim urën duke u ballafaquar me KFOR-in, kjo nuk e bën vetëm naiv, e bën edhe të rrezikshëm. Pra, qysh ka mendu me e hapë Urën e Ibrit?”, tha ai.