Vit i suksesshëm për Dritën
KF Drita në edicionin 2017/2018 e fitoi titullin e kampiones, më pas debutoi në garat ndërkombëtare.
KF Drita nga Gjilani të enjten në mbrëmje është eliminuar nga Liga e Evropës pasi ka luajtur baras në ndeshjen kthyese ndaj Dudelanges (1-1), derisa ndeshja e parë në Luksemburg kishte përfunduar 2-1. Klubi nga Gjilani paraprakisht ishte eliminuar edhe nga Liga e Kampionëve pasi humbi dy ndeshjet ndaj skuadrës së fortë suedeze, Malmo, me rezultat të përgjithshëm 5-0. Mirëpo paraprakisht, Drita eliminoi dy skuadrat Santa Coloman (2-0) dhe Lincoln Reds Imps (4-1). Kapiteni i kësaj skuadre, Ardian Limani, i cili ishte golashënues në ndeshjen ndaj Dudelanges, ka vlerësuar se ky vit ka qenë i suksesshëm për skuadrën e Dritës.
“Faleminderit tifozëve dhe qytetarëve për përkrahjen e vazhdueshme në garat evropiane! Besojmë fuqishëm të mos ju kemi zhgënjyer gjatë gjithë këtij viti, sepse Drita veçse ka shkruar historinë. Ne presim nga ju përsëri të jeni arma jonë kryesore për arritjen e objektivave, që natyrisht se janë trofetë”, ka thënë Limani.
Drita për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare bëri një edicion të mirë në elitën e futbollit të Kosovës, duke u shpallur kampion pas plot 15 vjetësh. Rezultatet e kësaj skuadre i vlerësoj historike kryetari i klubit, Valon Murseli. “Faleminderit djema për emocionet që na dhuruat! Faleminderit që besimin që e kisha në ju ma kthyet me suksese historike, suksese që vetëm ju mund t’i arrini dhe t’i tejkaloni sezonin që vjen. Kokën lart dhe vazhdojmë së bashku rrugën drejt sukseseve të tjera. Krenar me ju, krenar me ‘Intelektualët’”, ka thënë Murseli.
Pas eliminimit nga garat ndërkombëtare, trajneri Bekim Isufi ka vlerësuar se skuadra e Dritës e ka arritur maksimumin. “Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, kurse në pjesën e dytë u ndëshkuam dhe ai gol na i prishi planet. Krijuam disa raste, por nuk ishim konkret. Jam i kënaqur me paraqiten e lojtarëve në gjashtë ndeshjet e garave evropiane. Ne e kemi arritur maksimumin”, ka deklaruar Isufi. Drita mbrojtjen e titullit e nis me ndeshjen kundër KEK-ut, e cila zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan.
Në edicionin tjetër tri klube të Kosovës në garat evropiane
Paraqitjet e mira të kampiones së Kosovës, Dritës dhe fitues së Kupës, Prishtinës, në garat evropiane, kanë bërë që prej edicionit të ardhshëm në garat e UEFA-s të shkojnë tri ekipe nga Kosova. Skuadra kampione e Kosovës për edicionin e ri do të luajë në Ligën e Kampionëve, kurse nënkampionia dhe fituesja e Kupës do të marrin pjesë në Ligën e Evropës. Drita i ka mposhtur dy kundërshtarë në turneun parakualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa është eliminuar në xhiron e parë kualifikuese. Pastaj gjilanasit vazhduan në xhiron e dytë eliminatore të Ligës së Evropës, por aty u eliminuan. Në dy edicionet e mëparshme Kosova ka marrë pjesë me nga dy klube në garat evropiane. Ndërsa Prishtina në kualifikimet e Ligës së Evropës sivjet e kaloi xhiron e parë, kurse u eliminua në të dytën nga Fola Esch.
/Epoka e re/