Vitali Klitschko: Nuk ka trupa ruse në kryeqytet
Kryetari i kryeqytetit të Ukrainës, Vitali Klitschko, ka deklaruar se nuk ka trupa ruse në Kiev.
Klitschko ka thënë se zyrtarët “ushtarakë, të zbatimit të ligjit dhe të mbrojtjes territoriale” po vazhdonin të “zbulonin dhe neutralizonin sabotatorët”.
Sipas “BBC”-së, qytetarët e Kievit janë urdhëruar që të qëndrojnë brenda deri të hënën, me paralajmërime nga autoritetet se kushdo që del jashtë “do të konsiderohet anëtar i grupeve sabotuese të armikut”.
Kathy Long ka thënë për “BBC”-në se e diela ka zbardhur e ftohtë dhe e qetë në Kiev, ndërsa policia, ushtria dhe vullnetarët e armatosur ishin të vetmit njerëz që dukeshin në rrugë.
Në mesazhin në kanalin e tij “Telegram” të dielën, Klitschko ka thënë se që nga fillimi i pushtimit rus, nëntë civilë ishin “humbur ose vrarë” në Kiev, duke përfshirë një fëmijë.
Forcat ruse thuhet se janë vendosur në periferi të qytetit që nga e premtja.