Viti 1961: Muri i Berlinit, gara hapësinore dhe BRSS-ja e turpëruar nga Shqipëria
Enver Hoxha e Mao Ce Duni, janë si buka e një brumi (poster i vitit 1969 me këtë përmbajtje: Rroftë miqësia e partive komuniste të Kinës dhe Shqipërisë)
Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1961?
Lufta e Ftohtë i tregon dhëmbët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i acarojnë raportet me Kubën. Amerikanët ndërmarrin edhe invadimin e dështuar në Gjirin e Derrave. Një vit më vonë, Kuba do të shkaktojë një nga krizat më të mëdha të shekullit XX, që njihet shkurtimisht si Kriza e Kubës, pasi Bashkimi Sovjetik tentoi të dërgojë raketat nukleare në Kubë. Bota kurrë më afër luftës nukleare nuk ka qenë.
Lufta e Ftohtë vazhdon edhe me garën me teknologji. Sovjetët më parë lansuan satelitin e parë në orbitë. Më 1961 fluturakja Venera-1 kalon te planeti Afërditë. Ndërsa, Yuri Gagarin bëhet njeriu i parë në hapësirë.
Po më 1961, John F. Kennedy jep betimin si presidenti i 35-të amerikan. Kennedy lanson Programin Apollo. Qëllimi i tij ishte që deri në fund të dekadës, njeriu amerikan të shkel në Hënë. Dhe, ia dalin. Kjo ishte pika kthesë kur amerikanë e marrin primatin në garën hapësinore.
Më 1961, nis angazhimi i parë amerikan në Luftën e Vietnamit (të cilën vietnamezët e quajnë Lufta e Amerikës), duke dërguar helikopterët në Saigon me 400 trupa. Nga Vietnami amerikanët tërhiqen më 1975. Kjo luftë amerikanëve u kushtoi me afro 60 mijë viktima. Vietnami edhe sot është shtet komunist, një nga pesë të vetmit në botë (krahas Kinës, Koresë së Veriut, Kubës dhe Laosit)
Bota pra ishte në një konflikt të ngrirë, mes Perëndimit demokrat dhe Lindjes komuniste diktatoriale. Kjo ndarje shprehet më së miri me Murin e Berlinit që nisi të ndërtohet më 13 gusht 1961, menjëherë pasi liderët komunistë të Bllokut lindor, gjatë një takimi në Moskë, u pajtuan për mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore. Ky mur ishte barriera më famëkeqe e Luftës së Ftohtë. Ishte i gjatë 155 kilometra. Propaganda komuniste thoshte se muri u ndërtua për “mbrojtjen nga sulmet e Perëndimit”, por, në fakt, qëllimi ishte për ta ndaluar ikjen e gjermanëve fatkeq që vuanin nga pushteti komunist në të ashtuquajturën Gjermania Demokratike (lindore). Nga ky mur sot kanë mbetur pak gjurmë, që pas rënies së tij më 1989. Deri më 1989, 136 gjermanë u vranë në tentimin për ta kapërcyer.
Më 1961 ndodhë një masakër në Paris, ndaj protestuesve algjerianë pro-pavarësisë së Algjerisë. 40-200 vetë vriten dhe 11 mijë të tjerë arrestohen më 17 tetor, pak muaj para se Algjeria ta fitonte pavarësinë (më 1962). Në qershor 1961 përfundon protektorati britanik në Kuvajt. Kuvajti shpallet emirat. Ndërsa, më 1961 në Jerusalem nis dhe përfundon gjykimi, me dënimin me vdekje, kundër nazistit Adolf Eichmann. Në mbrojtje ai thotë se ka bërë atë që i kanë thënë. Kjo deklaratë e ka shtyrë psikologun amerikan Stanley Milgram, t’i hulumtojë dëmet që i shkakton bindja ndaj autoriteteve.
Ndërkohë në Shqipëri, në janar, Enver Hoxha e akuzon rëndë Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë në Kongresin e IV-të të Partisë së Punës. Lideri sovjetik, Nikita Khrushchevi, në Kongresin e XXII-të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të mbajtur në tetor 1961, e cilëson Hoxhën majtist devijant nacionalist, i cili duhet të përmbyset. “Jemi të bindur se do të vijë koha kur komunistët shqiptarë dhe populli shqiptar do ta shprehin zërin e tyre dhe atëherë liderët shqiptarë do të përgjigjen për dëmet që ia kanë bërë shtetit, njerëzve dhe kauzës së ndërtimit socialist në Shqipëri”, ka thënë Khruschev. Ai po ashtu ka thënë se imperialistët janë të gatshëm t’i paguajnë 30 monedha argjendi (shuma me të cilën Juda e tradhtoi Krishtin), për ata që i ndajnë komunistët. Hoxha ia kthen kështu liderit sovjetik, në nëntor: “Populli shqiptar dhe Partia e Punës do të jetojnë me bar nëse është e nevojshme, por nuk do ta shesin veten për 30 monedha argjendi”. Ndërsa, në dhjetor, te “Zëri i Popullit” Hoxha shkruan se arsyeja e prishjes së marrëdhënieve me sovjetikët ishte politika revizioniste e Khrushchevit dhe përpjekjet e tij antimarksiste për ta imponuar veten te partitë tjera … “për ta heshtur partinë tonë”. “Në këtë rrugë, marshojmë krah për krah me partitë simotra marksiste-leniniste dhe me popujt vëllazërorë të vendeve socialiste, si dhe me të gjitha forcat revolucionare të botës. Partia dhe populli ynë do të shënojnë fitore të plotë mbi armiqtë imperialistë dhe revizionistë … Marksizëm-Leninizmi nuk mund të mposhtet! Socializmi dhe komunizmi do të triumfojnë”, ka thënë Hoxha.
BRSS i ndalon ndihmat dhe armatimet për Shqipërinë. 40 projekte të planit pesëvjeçar mbeten pa u përfunduar në Shqipëri. Ndalohet edhe shkollimi i ushtarakëve, për çka forcat ushtarake shqiptare nuk përditësohen as me mjete as me strategji.
Kulmi i konfliktit shqiptaro-sovjetik ishte Pasha Limani, një nga bazat më të madhe detare në Evropë. Në mbledhjen e vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, në mars të vitit 1961 – ku nuk ftohet Shqipëria – kërkohet që baza e Vlorës të kalonte në mënyrë të padiskutueshme nën komandën e forcave të Traktatit të Varshavës. Por, shqiptarët e hodhën poshtë këtë plan. Shqipëria e vogël ia doli t’i largojë nga territori ushtarët sovjetikë dhe të mbajë katër nga gjithsej 12 nëndetëset sa ishin aty.
Në dhjetor prishen përfundimisht marrëdhëniet diplomatike BRSS-Shqipëri. Kjo bënë që shtetet tjera komuniste të reduktojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Ky ishte një vit goxha kritik, meqë BRSS bënte plane për pushtimin e Vlorës, nga deti dhe toka. Por, acarimi i marrëdhënieve sovjeto-amerikane për shkak të Kubës nuk e lejoi realizimin e planit në afatet e parashikuara. Shqipëria nga ky vit i drejtohet për ndihmë Kinës.
Në kohën e këtyre zhvillimeve, më 23 qershor 1961, revista “Time” publikon artikullin “Shqipëria: Delja e zezë”, ku ndër të tjera mund të lexohet: “Çfarëdo që të jetë Bosi i Kuq i Shqipërisë, Enver Hoxha ka demonstruar se është një burrë trim. Kush tjetër do të guxonte të ecte në takim të madh ndërkombëtar komunist në Moskë, nëntorin e kaluar (1960), dhe ta quante Nikita Khrushchovin ‘revizionist’, përpara fytyrës së tij”?
Më 1961 lindin aktorët Eddie Murphy, George Clooney, Tim Roth, Michael J. Fox, Forest Whitaker, Woody Harrelson, Meg Ryan dhe një prej aktorëve të preferuar të regjisorit të madh polak Krzysztof Kieslowski, Zbigniew Zamachowski. Më 1961 lindi edhe Princesa e Uellsit, Diana, që është nëna e trashëgimtarit të fronit mbretëror të Britanisë së Madhe. Më 1961 lindi edhe presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, i pari në historinë amerikane që ka gjak afrikan. Obama ishte një nga presidentët më të dashur amerikanë, por që bëri pak në politikën e jashtme amerikane. Jo edhe aq në aspektin e brendshëm. Më 1961 lindi edhe Halil Matoshi, gazetari, shkrimtari dhe publicist i mirënjohur nga Kosova, i cili me kolegët në javoren “Zëri i Rinisë”, kontribuon në thyerjen e censurës në Kosovë në fillim të viteve 1990.
Në shkurt të vitit 1961, The Beatles interpreton në Londër. Legjenda … lindi!
Më 1961 u hap Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë, që u mbështet financiarisht nga “Trepça”. Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë u themelua me vendimin e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës nr. 2671 me datë 10 maj 1961, gazeta zyrtare e Kosovës nr. 25/61. Në vitin e parë u regjistruan 42 studentë të rregullt dhe 32 me korrespodencë. Studentët e parë (inxhinierë reparti) të diplomuar, dolën në qershor të vitit 1963. Në këtë shkollë, lëndën e kimisë e ka ligjëruar edhe babai i autorit të këtij shkrimi, veteran i arsimit në Kosovë, Sokol Shala. /Telegrafi/