VITI 1968, VIT I KTHESËS SË MADHE HISTORIKE
Selatin Novosella
Në 50-vjetorin e demonstratave të vitit 1968
Viti 1968 në historiografinë botërore tashmë ka hyrë si “viti i demonstratave”. Kështu mund të thuhet për faktin se gjatë këtij viti u zhvilluan demonstrata gjithandej nëpër botë si dhe në disa qytete të Jugosllavisë dhe në hapësirat shqiptare nën administrimin e këtij shteti
- Demonstratat e vitit 1968 në Çekosllovaki pas pushtimit nga Traktati i Varshavës
Traktati i Varshavës, i cili ishte bashkim politiko-ushtarak i Bashkim Sovjetik, Çekosllovakisë, Polonisë, Hungarisë, Rumanisë, Gjermanisë Lindore, Bullgarisë dhe Shqipërisë, do të intervenojë, përkatësisht, do ta pushtoj ushtarakisht Çekosllovakinë, në verën e vitit 1968, si kundërshtim i një lëvizjeje liberale në këtë shtet. Populli liridashës i këtij vendi do të ngritët në demonstrata masovike në kundërshtim të këtij akti të papresedan kur një aleancë e pushton pjesëtaren e vet! Ndonëse kishte shumë qytetarë të Çekosllovakisë që u mbytën, u plagosën, u torturuan dhe u burgosën nga ushtria “aleate” sovjetike, megjithatë, do të jetë akti heroik i studentit Jan Pallah, që në shenjë të protestës, do të del para tankeve ruse, në Pragën liridashëse, dhe do ta vetëdigjet me benzinë!
Ndonëse Shqipëria ishte tërhequr nga Traktati i Varshavës në vitin 1961, pas këtij pushtimi klasik të njërit prej “aleatëve” të këtij formacioni më të fuqishëm në botë, par Paktik Veriatlentik, përkatësisht, NATO-s, Shqipëria, në shenjë mospajtimi dhe proteste, përfundimisht, do të braktis këtë aleancë.
- Demonstrata e vitit 1968 për barazi racore në ShBA dhe kundër luftës në Vietnam
Gjatë këtij viti historik, në vitin, 1968, SHBA-ja po ziente nga protestat, grevat dhe demonstratat milionëshe të zezakëve të Amerikës duke kërkuar të drejtat e mohuara politike, shoqërore dhe kulturore. Në ballë të kësaj lëvizjeje ishte vënë, duke u shndërruar në metaforë të njeriut liridashës, Martin Luter – “Kingu”. Paralel me këtë lëvizje masovike pa vazhdonin edhe demonstratat masovike, posaçërisht të rinisë studentore amerikane, kundër luftës në Vietnam. Në mesin e këtyre demonstruesve do të bie në sy edhe Bill Klinton, presidenti i më vonshëm i SHBA-ve dhe përkrahësi i flakët i vendimit për bombardimin e Serbisë gjatë vitit 1999, në mbrojtje të lirisë së Kosovës. Biografët e Klintonit, do ta theksojnë se gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në SHBA, me rastin e zgjedhjes së Kintonit president, do të akuzohet ai nga rivalët e tij se i “kishte tradhtuar interesat e shtetit amerikan” pse kishte qenë në ballë të demonstratave, në vitin 1968, dhe kishte kundërshtuar edhe shkuarjen e tij në luftën në Vietnamit.
- Demonstratat e rinisë studentore në Evropën Perëndimore të vitit 1968
Rinia studentore e shteteve demokratike të Evropës Perëndimore, në vitin e madh, vitin 1968, e kishte të zgjidhur çështjen e lirisë kombëtare, çështjen e sistemeve demokratike, çështjen e të drejtave sociale etj. Me parullën e kohës për “liberalizmin e majtë” rina studentore e Evropës Perëndimore, e posaçërisht ajo e Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë Perëndimore dhe Spanjës, do të shndërrohet në një lëvizje masovike të paparë pas Luftës së Dytë Botërore. Sidomos universitet e këtyre shteteve do të shndërrohen në arena të përleshjeve dhe kacafytjeve me arganët e rendit. Do të mbylleshin shumë universitetet, do demonstrohet në qytetet kryesore të këtyre shteteve, do të bëhen barrikada të fuqishme në rrugët dhe udhëkryqet e kryeqyteteve, në Paris, në Londër, në Berlin dhe në Madrid.
Në mesin e demonstruesve dhe në ballë të tyre do të jenë: në Paris edhe shkrimtari dhe filozofi, Zhan Pol Sartër; në Londër edhe Toni Bler; në Gjermani edhe Joshka Fisher; ndërsa në Madrid edhe Javier Solana. Thënia “rasti është mbreti i botës!”, në rastin e shqiptarëve të Kosovës verifikohet plotësisht. Në çastet vendimtare për fatin e Kosovës, gjatë vitit 1999, kur qenja shqiptare në Kosovë po rrezikohej si asnjëherë më parë, do të jenë pikërisht këta katër liderë botërorë, studentët e rebeluar të vitit 1968, Bill Klinton, Toni Beler, Javier Solana dhe Joshka Fisher, që do të jetë “kuarteti” vendimtar për vendimin e intervenimit të NATO-s kundër ushtrisë vrastare serbe.
Për nivelin e organizimit, masovitetin dhe kryengritjen e llojit të vet gjatë këtij vite, vitit 1968, le të theksohet këtu një moment domethënës. Në situatën kur rinisë studentore në Parisit i ishin bashkuar edhe punëtorë e qytetarë të shumtë, me ç’rast thuhej se kalonte numri mbi një milionë pjesëmarrës, kur po rrezikohej edhe qeveria franceze, gjeneralin Sharl De Gol, do ta transferojnë me aeroplan ushtarak në një bazë të NATO-s në Gjermanë Perëndimore.
- Demonstrata e vitit 1968 në qytetet e Jugosllavisë
Pas rrëzimit nga pushteti të Aleksandër Rankoviqit, më 1 korrik 1966, ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, UDB-së, dhe ndër bashkëpunëtorët më të afërm dhe më të besuar të kreut jugosllav, Josip Broz Titos, ishte ndier një lloj liberalizmi në tërë hapësirat e Jugosllavisë, që nuk kishte ndodhur asnjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në rrethana të tilla, por edhe duke marrë si shembull lëvizjen masovike studentore të vitit 1968 gjithandej nëpër botë, siç u theksua në cilat shtete, edhe në kryeqendrën e shtetit jugosllav, në Beograd, dhe në kryeqytetin e Republikës së Kroacisë, në Zagreb, gjatë këtij vit do të organizohen dhe zhvillohen demonstrata të rinisë studentore. Posaçërisht ato të Beogradit ishin shumë masovike dhe të fuqishme.
Masa dhjetëra e mijëra studentëve të Universitetit të Beogradit, në verën e vitit 1968, ia kishte mësyrë objekteve shtetërore-qeveritare të Beogradit. Demonstruesit ishin bllokuar në njërën prej urave kryesore të kryeqytetit jugosllav. Policia e përforcuar me njësi speciale nuk i kishte lejuar demonstruesit të kalonin Urën mbi Lumin Sava. Dëshmitarët e kohës flasin se do të jetë vendimtare që studentët të mos vazhdimin më tutje takimi i një personaliteti të kohës Vellko Vllahoviq, një ish-luftëtar i Brigadave Vullnetare të Luftës Qytetare të Spanjës.
Fjalët e këtij luftëtari të njohur dhe autoriteti që gëzonte ai tek rinia studentore e Beogradit do t’i ndalojë ata që të mos shndërrohej një kacafytje dhe përleshje në mes rinisë dhe policisë jugosllave, fundi i të cilës përleshje nuk do t’i dihej fundi!
- Kërkesat e politikanëve dhe intelektualëve shqiptarë në vitin 1968 për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të republikës në ish-Jugosllavi
Që nga viti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, me ç’rast jashtë trungut etnik shqiptar kishin mbetur pothuaj gjysma e territoreve shqiptare, me po aq popullsi, në jetën politike te shqiptarët kishte lindur një rrymë e re politike, e panjohur më herët, rryma irredentiste, e cila synonte që territoret e mbetura jashtë kufijve politike të Shqipërisë, të çliroheshin dhe t’i ribashkoheshin asaj. Kjo lëvizje politike, që për simbol do ta ketë, fillimisht, ideologun e shquar Hasan Prishtinën, do të organizojë veprimtarinë e saj herë me mjete politike e herë me mjete ushtarake, me synim e cekur më lart. Kështu do të jetë deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945, kur shqiptarët e të gjithë hapësirës kombëtare, pra jo vetëm të Shqipërisë së shtetëzuar, por edhe shqiptarët e Kosovës e më gjerë, do të rreshtohen me aleancën antifashiste, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo po ndodhet, kështu, jo vetëm për ta çliruar Shqipërinë nga pushtimi fashist dhe nazistë, por edhe që në rrethanat e reja historike, pas kësaj lufte të ribashkoheshin territoret jashtë shtetit amë me të. Andaj, me këtë qëllim do të mbahet Kuvendi i Bujanit, ku, në deklaratën e njohur, thuhej se pas çlirimit të hapësirave të Jugosllavisë, të banuara me shumë prej shqiptarësh, d.m.th, edhe Kosova, do të bashkoheshin me Shqipërinë sipas të drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes. Rezultatet e kësaj lufte dhe pasojat e sajë, tashmë, janë të njohura.
Edhe pas ripushtimit të Kosovës nga forcat çetnike-partizane, në dimrin e egër 1944-45, përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera, nuk do të ndërpriten për asnjë çast. Për të arritur qëllim e Lëvizjes Irredentiste, shqiptarët formojnë shumë grupe, organizata dhe parti politike, të cilat, pa përjashtim, organizohen dhe veprojnë në fshehtësi të thellë. Andaj, kjo periudhë e veprimtarisë atdhetare-politike në historiografi do të hyjë si “Lëvizja atdhetare ilegale”. Kjo Lëvizje, me të gjitha baticat dhe zbaticat, me të gjitha ngritjet dhe rëniet, megjithatë, nuk ishte ndërprerë asnjëherë. Po t’i referohem të dhënave historike del se në periudhën e pas LDB-së, ndonëse shqiptarët në jugosllavi përbënin rreth 20 për qind të popullsisë, numri i shqiptarëve të burgosur ishte rreth 70-80 për qind nga numri i përgjithshëm i të burgosurve politikë në ish-Jugosllavi.
Në vitin 1968, siç u theksua më parë, si rezultat i luftës për pushtet dhe si rezultat i ndërrimeve konjukturale të udhëheqjes jugosllave, vije deri tek rrëzimi nga maja e pushtetit më të lartë të Aleksandër Rankoviqit. Ndonëse të gjitha zezonat që i kishte planifikuar, organizuar, udhëhequr dhe realizuar Rankoviqi kundër shqiptarëve i kishte kryer në marrëveshje dhe koordinim të ngushtë me Titon, si do që të jetë, Titoja do ta luaj letrën e njohur në politikë të larjes së duarve nga krimet, ku kishte marrë pjesë edhe vet. Kështu, për të dëshmuar para shqiptarëve se, ja ky ishte “shpëtimtari” i tyre dhe se ajo që kishte ndodhur gjatë aksionit të grumbullimit të armëve nga ta, si dhe presionit të paparë për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, në Shqipëri dhe shkapërderdhjen në hapësirat tjera të Jugosllavisë, tashti, në vitin 1968, Titoja kishte formuar Komisionet për Ndryshimet Kushtetuare në gjashtë republikat e Jugosllavisë (Serbi, Kroaci, Slloveni, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Maqedoni) si dhe dy krahinat në (Kosovë dhe Vojvodinë). Këtë Komision, në Kosovë, e udhëhiqte Fadil Hoxha – kryetar i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.
Pas hapjes së diskutimeve për ndryshimet kushtetutare, në vitin 1968 ishin mbajtur shumë tubime në komitetet komunale gjithandej Kosovës, si dhe në nivelet e institucioneve të shkencës, por edhe në nivelet më të ulëta të pushtetit lokal. Fillimisht, në këto tubime ishte kërkuar avancimi i statusit të Krahinës së Kosovës në nivel të Republikës. Po ashtu ishte kërkuar që në nivelet e federatës jugosllave krahina e Kosovës dhe e Vojvodinës të përfaqësoheshin me numër të njëjtë të delegatëve, në nivel të Federatës, si edhe republikat e Jugosllavisë: Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi. Çka është edhe më e rëndësishme ishte kërkuar edhe e drejta e vetëvendosjes për Kosovën. Këto diskutime kishin vazhduar deri në verën e vitit 1968. Historiografia e ka për detyrë të studioj dhe hulumtoj në dokumentet e kohës për të konstatuar se përse u ndërprenë këto diskutime?!
Pas ndërprerjes së diskutimeve në nivelet partiake dhe shtetërore të Kosovës për dyshimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, në këto diskutime u kyçën personalitetet e njohura të shkencës dhe dijes në Kosovë. Në këto propozime dhe diskutime do të dallohen, posaçërisht: Gazmend Zajmi, Fehmi Agani, Ali Hadri, Syrja Pupovci, Mark Krasniqi, Hajredin Hoxha etj. Duke u thirrur në argumente historike por edhe në proceset dhe ngjarjet politike nga e kaluara, këta intelektualë do të përpiqen ta argumentojnë se Kosova kishte të drejtë të shpallej republikë. Pas një periudhe të shkurtër kohore edhe këta intelektualë do të heshtin, disa prej tyre edhe do t’i mohojnë deklarimet e tyre të mëparshme për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të republikës në përbërje të ish-Jugosllavisë. Ajo që vlen për vlerësimet e historianëve dhe analistëve për ndërprerjet e qëndrimeve të politikanëve shqiptarë, e njëjta vlen edhe për vlerësimet dhe për qëndrimet e intelektualëve pse u tërhoqën nga kërkesa dhe pozicioni i drejtë historikisht për avancimin e pozitës kushtetuese të Krahinës së Kosovës në nivel të Republikës?!
- Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi
Siç u theksua edhe më parë, Lëvizja Çlirimtare Kombëtare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi asnjëherë nuk kishte pushuar së përpjekuri që të realizohej kërkesa bosht e shqiptarëve – ribashkimi me shtetin amë Shqipërinë. Megjithatë, viti 1968 në Kosovë do të sjellë një frymë të re dhe një qëndrim pak më ndryshe që bënte përjashtim nga programet politike të Lëvizjes Kombëtare të deriatëhershme, e kjo ishte qëndrimi që të kërkohej Republika e Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë, gjithsesi, si hap fillestar për realizimin e formimit të Republikës së pavarur të Kosovës.
Në vitin 1968 në Prishtinë vepronte një formacion i organizatës atdhetare Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e cila ishte themeluar nga Adem Demaçi në vitin 1963. Ky formacion ishte i përbërë, kryesisht, nga anëtarët e Grupit të të Rinjve të LRBSH-së, të cilit në vitin 1964 kishin vepruar në të organizatë, për çka ishin dënuar me dënime jo të gjata dhe ishin përjashtuar nga shkollat e mesme ku po shkolloheshin. Tashti, në verën e vitit 1968, ky grup do të riorganizohet dhe të shtrojë mundësinë të avancojë në veprimtarinë atdhetare – politike. Bërthamën e këtij formacioni e përbënin: Osman Dumoshi, Ibrahim Gashi, Adil Pireva, Shemsi Hoxha, Ilaz Pireva dhe Selatin Novosella. Pas dilemave dhe shqetësimeve që ishin krijuar në opinionin politik të Kosovës, pas tërheqjes së politikanëve dhe intelektualëve, nga kërkesat për statusin e Republikës së Kosovës, pikërisht në këto rrethana politike do të merret vendimi, definitiv, që të organizoheshin demonstrata në Prishtinë dhe në sa më shumë qytete të Kosovës. Kjo ide do të merë mbështetje dhe shtytje nga intelektuali i shquar Ismail Dumoshi, i cili ishte në relacione të afërta me disa udhëheqës politikë dhe intelektual të kohës. Pas konstatimit të Ismail Dumoshti se janë ndërprerë të gjitha mundësitë që të realizohej avancimi nivelit politikë të Kosovës në vi institucionale, merret vendimi, përfundimtar, që ky avancim i statusit politik të Kosovës të kërkohej me mjete të presionit politik, nëpërmes demonstratave masive.
Demonstratat e zhvilluara gjithandej në botë, me theks të veçantë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në disa qytete të ish-Jugosllavisë si dhe demonstratat e zhvilluara në tri qytetet e Rrafshit të Dukagjinit, në Prizren më 6 tetor, në Therandë më 9 tetor dhe në Pejë më 19 tetor, ishin trimërim, kurajim dhe shtytje e fuqishme që në Prishtinë të ngritej niveli i organizimit dhe të mos pritej më tutje. Për këtë qëllim do të mbahen disa mbledhje, në fshehtësi të thellë, të Grupit të të rinjve të LRBSH-së, që, tashmë, ishte zgjeruar me anëtarë të rinj. Në këto takime, që do të mbahen në shtëpi të ndryshme duke i ikur syrit zhbirues të UDB-së, do të mirren këto vendime:
- Caktohen anëtarët e Grupit për konsultime me veteranët e Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare: Osman Dumoshi me Kadri Halimin, Hasan Dërmaku me Metush Krasniqin dhe Selatin Novosella me Hyrije Hanën;
- Caktohen anëtarët e Grupit për koordinimin e veprimeve organizative me qytetet tjera të Kosovës: më Podujevën – Xheladin Rekaliu, me Ferizajn – Skënder Kastrati dhe me Gjilanin – Asllan Kastrati;
- Caktohet data e mbajtjes së demonstratave në Podujevë, në Gjilan dhe në Ferizaj, më 27 nëntor, në ora 5 minuta në 12, ndërsa në Prishtinë, po më 27 nëntor, por n ë ora 5 minuta në 16;
- Caktohen tekstet e 50 pankartave që do të shkruhen dhe do të brohoriten gjatë demonstratave në Prishtinë: Skënder Muçolli, Afrim Loxha dhe Ilaz Pireva;
- Caktohen autorët që do ta shkruajnë, lekturojnë dhe shtypin fjalimin që do të lexohej para demonstruesve në Prishtinë: ta shkruajnë Adil Pireva dhe Osman Dumoshi, ta lekturoj Ismail Dumoshi, ndërsa ta shtypë në makinë shkrimi Selatin Novosella;
- Caktohen personat që do ta lexonin fjalimin gjatë demonstratave: Osman Dumoshi dhe Hasan Dërmaku;
- Caktohen personat që do t’i transportonin pankartat dhe flamujt, nga vendi ku ishin shkruar transparentat, deri tek objekti i Fakultetit Filozofik, në Prishtinë, prej nga do të fillonin demonstratat;
- Caktohet data e mbledhjes së ardhshme, pas përfundimit demonstratave, më 30 nëntor.
Të gjitha këto detyra të caktuara do të realizohen me disiplinë, pothuaj, ushtarake. Propozimet, sugjerimet dhe idetë e dhëna nga Kadri Halimi, Metush Krasniqi dhe Hyrije Hana, nëpërmes personave të caktuar nga Grupi i të Rinjve, do jenë mbështetje e fortë dhe ndihmesë me shumë interes për mbarëvajtjen, organizimin dhe zhvillimin e demonstratave, sidomos të atyre të në Prishtinë.
Kështu, veprimtarja e shquar, Hyrije Hana, ish-partizane, ish e burgosur politike nga pushteti jugosllav në vitin 1961 dhe motra e dëshmorit Xheladin Hana, në takimin e fundit, vetëm pesë ditë para demonstratave, i jep këto propozimi organizatorëve nëpërmes Selatin Novosellës:
- Të mos shkruhen parullat:
– “Duam Republikën e Kosovës!”
– “Poshtë Fadil Hoxha!”
– “Rroftë Enver Hoxha!”
– “Poshtë Josip Broz Tito!”
- Shkruhen parullat:
– “Duam vetëvendosje deri në shkëputje!”
– “Lufta Nacionalçlirimtare nuk na ke sjellë barazi!”
– “Kërkojmë bashkimin e viseve tjera shqiptare në Jugosllavi me Kosovën!”
– “Poshtë Veli Deva!”
– “Poshtë Misha Sekulloviqi!”
Ndërsa organizatorët e demonstratave do të vendosin që të shkruhen edhe këto parulla:
– “Kërkojmë përdorimin e lirë të flamurit kombëtar!”
– “Kërkojmë Universitetin e Prishtinës!”
– “Kërkojmë kushte më të mira për studentët!”
– “Më mirë vdekje se robëri!”
– “Në njërën dorë kazmën – në tjetrën pushkën!”
– “Rroftë klasa punëtore!”
– “Rroftë fshatarësia!”
– “Liri për të burgosurit politikë!”
– “Rroftë Adem Demaçi!”
Etj.
Demonstratat në Podujevë, në Gjilan, në Ferizaj dhe në Mitrovicë, do të zhvillohen, sipas planifikimit, bashkorganizimit dhe koordinimit në mes organizatorëve të këtyre qyteteve dhe qendrës në Prishtinë, në orët e paradites së 27 nëntor 1968, ndërkohë që një numër i madh i demonstruesve nga këto qytete ku ishin zhvilluar demonstrata por edhe nga qytetet tjera të Kosovës do t’i bashkëngjiten demonstratës kryesore në Prishtinë, në ora 5 minuta në 16.
Prej fillimit të demonstratës në Prishtinë, në kohën e caktuar, 5 minuta në 16, e deri në përfundimin e tyre rreth orës 22, do të jetë një manifestim kombëtar – politik, masovik, i dinjitetshëm, i guximshëm, i vendosur dhe gjithëpopullor. Nga të gjitha parullat e përgatitura paraprakisht nga organizatorët, qofshin ato të shkruara në pankarta, qofshin ato në fjalimin e përgatitur enkas, më së tepërmi do të brohoriten parullat:
– “Duam Republikën e Kosovës!”
– “Duam vetëvendosje!”
– “Duam Kushtetutën e Kosovës!”
Përkundër planifikimit dhe dëshirës së organizatorëve të demonstrative që të mos vinte deri te konfrontimit me organet e rendit, policinë, megjithatë kjo do ndodhë pas sulmit të policisë me armë zjarri, me gaz lotsjellës dhe me topa uji. Gjatë këtyre demonstratave do të vritet i riu 17-vjeçar, nxënësi Murat Mehmeti, do të plagosen mbi 20 demonstrues me armë zjarri dhe do të lëndohen qindra të tjerë gjatë kacafytjeve dhe përleshjeve të demonstruesve me policinë.
Pas përfundimit me sukses të plotë të demonstratave në tri qytetet e Rrafshit të Dukagjinit, në Prizren, në Therandë dhe Pejë dhe në qytetet Rrafshit të Kosovës- në Prishtinë, në Podujevë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Mitrovicë, do të ndërmerren masa ndëshkuese represive të organeve të sigurimit shtetëror, UDB-së, të Gjykatave për Kundërvajtje, Gjykatave Komunale dhe atyre të Qarkut gjithandej Kosovës. Pas demonstratave do të dënohen me qindra demonstrues me dënime të shkurtra nga gjykatat për kundërvajtje, ndërsa nga gjykatat komunale dhe të qarkut do të gjykohen rreth 30 organizatorë të demonstratave me dënime deri në 5 vite burg të rëndë, gjë që nuk kishte ndodhur në asnjë shtet tjetër në botë dhe as në qytetet e Jugosllavisë, në Beograd dhe Zagreb, ku kishte pasur demonstrata.
Edhe pse gjatë demonstratave të vitit 1968 u përgjakën rrugët dhe sheshet e qyteteve të Kosovës, edhe pse u mbushën burgjet me të burgosur politikë shqiptarë, megjithatë, me këto ngjarje të njohura historike, kështu po hapej një kapitull i ri në historinë e gjatë dhe të përgjakshme të Kosovës. Me këto demonstrata po legalizohej kërkesa për republikën e Kosovës.
Demonstratat e vitit 1968 do të jenë një hallkë e fuqishme që lidhte ngjarjet e njohura historike, siç ishin Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, 1939-1945, Lëvizjen Çlirimtare Kombëtare, e njohur si Lëvizja Ilegale Kombëtare, 1945-1968, me ngjarjet edhe më të rëndësishme që do t’i pasojnë këto demonstrata, siç ishin demonstratat e vitit 1981, Lëvizja Politike Paqësore, 1990-1997, duke kulmuar me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, duke u mbështetur gjithanshëm dhe fuqishëm nga Aleanca e NATO-s, nën udhëheqjen e SHBA-ve, i sollën Kosovës lirinë.
Ndonëse me një muaj vonesë demonstratë shumë të fuqishme u zhvillua edhe në Tetovë. Atje u mbajt qyteti në duatë e demonstruesve me 22 dhe 23 dhjetor të vitit 1968. Duke u solidarizuar me kërkesat e demonstratave të manifestuara në demonstratat e Kosovës, demonstruesit e Tetovës por edhe të disa qyteteve tjera shqiptare në Maqedoni, kërkuan realizimin e të drejtave kulturore, shoqërore dhe politike të mohuara nga pushteti maqedonas. Pas demonstratave të shqiptarëve në Tetovë dhe vendbanimet tjera, hakmarrja e pushtetit shovinist maqedonas ishte shumë e egër ndaj demonstruesve. Ajo hakmarrje ishte pakrahasueshëm më e egër sesa e strukturave udhëheqëse në Kosovë që u ushtrua ndaj demonstruesve.
Rezultate të drejtpërdrejta i këtyre demonstratave, duke pasur parasysh edhe ngjarjet historike e zhvilluara deri atëherë, por edhe kontributit të strukturave udhëheqëse të kohës, ishin:
- Lejimi i përdorimit të lirë të Flamurit kombëtar.
- Hapja e Universitetit të Prishtinës.
- Rifillimi dhe fillimi i punës i institucioneve shkencore në Kosovë.
- Fillimi i bashkëpunimit intensiv Kosovë-Shqipëri në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës.
- Aprovimi i Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974.
(Kumtesë e lexuar në konferencën shkencore e mbajtur më 27 nëntor 2018 kushtuar 50-vjetorit të demonstratave të vitit 1968)