Viti 1981, sidomos pranvera e tij, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (5)
Shkruan: Bedri Islami
Ramiz Alia ka qenë gjithnjë njeriu enigmë i komunizmit. Asaj kohe nuk e dija se isha borxhli ndaj tij dhe ai vetë nuk më tha gjë. Ose e kishte harruar, ose kishte lënë kohën ta bënte për të.
Kur në vitin 1972 shkrova romanin “Ditët e një qyteti”, dhe e dërgova për botim, redaksia e romanit në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, dërgoi një relacion të gjatë në Komitetin Qendror, që i kaloi edhe Ramiz Alisë. Mes të tjerave, gjatë, shumë gjatë, shkruhej për romanin tim si vepër dekadante dhe mosnjohëse e luftës antifashiste.
Thelbi i romanit është historia e një gazetari të ri dhe të dashurës së tij, të cilët kërkojnë të mësojnë historinë e babait të vrarë gjatë luftës, në mënyrë enigmatike, kur ai kishte qenë drejtues i qarkorit të partisë në një qytet jugor. Aluzioni ishte i qartë, kisha menduar se nuk do të kapej nga askush.
Ramiz Alia, në një letër që i dërgonte Pirro Kondit, me shkrim dore, ku dallohej një kaliografi e bukur, si e kishin gjimnazistët e para luftës, ndërsa e porosiste që ndaj dy shkrimtarëve të njohur të merreshin masa, për mua, ndoshta ngaqë kishte qenë mik me babanë tim apo se shtëpitë e Gjylbegjve në Shkodër ishin kulm më kulm me shtëpinë e tij, i shkroi që të dërgohej një kritik i njohur dhe të ndihmohesha. Dallimi i një fjale, “ndëshkim” apo “këshillim”, asokohe kishte të bënte me jetën. Nuk e kam falënderuar kurrë. Kur studiuesi Dashnor Kaloçi më dërgoi faksimilet e gjetura në arkivin e KQ, Ramiz Alia nuk ishte më në jetë.
Sidoqoftë, në vitin 1981, ai e drejtoi mrekullisht mirëfushatën e Shqipërisë ndaj Kosovës, aq sa shumë njerëz besonin se po futeshim në luftë, pa qenë në luftë, dhe arriti atë që kishte dashur shefi i tij: ndjenja nacionale kaloi përmbi hallet njerëzore.
Nëse Shqipëria e bëri këtë për të mbuluar gjymtyrët e saj të laskuriqura, apo se ashtu ia ndjeu shpirti, këtë asnjëherë nuk do të mund ta zbulojmë deri në fund. Edhe hapja e arkivave të Komitetit Qendror nuk është se solli diçka vendimtare dhe të patjetërsuar. Është e habitshme se si, në të gjitha mbledhjet e Byrosë Politike apo të Sekretariatit të KQ, është folur me të njëjtën gjuhë dhe ka pasur të njëjtën mendësi, si ajo që është shkruar më pas. Duke qenë se i gjithë shteti ishte nën një censurë të rreptë dhe të pabesuar për nga kontrolli, ishte e qartë se çdo prononcim, ngado që vinte, që nga shkencëtarët më të shquar dhe deri te barinjtë në male, që nga organi kryesor mediatik “Zëri i Popullit” e deri te fletushkat lokale merrej si qëndrim zyrtar dhe trajtohej si i tillë.
Të gjithë e dinin se artikujt e muajit prill 1981, apo ata të disa javëve më pas, kishin dalë nga zyra e Enver Hoxhës. Duke luajtur me enigmën e autorit të panjohur, ai rriste veten, shushaste të tjerët dhe përcaktonte vijën. Jashtë saj nuk mund të dilje, edhe sikur të doje një mijë herë. Në fakt, po krijohej një kohë me heronj të rremë dhe, të rremët, janë më të rrezikshëm, sepse janë të padukshëm. Por më shumë, me heronj të vetëshpallur, pra të dëmshëm.
* * *
Pa as më të voglin dyshim, viti 1981 dhe, sidomos pranvera e tij, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës.
Përgjithësisht, secila dekadë e ka gurin e vet themeltar, ose më saktë, ka një datë ose një moment të caktuar, që vendos pikëmbështetjet e së ardhmes. Për shqiptarët në Kosovë ka ndodhur disi ndryshe: një ngjarje ka mbajtur mbi vete më shumë se dy dekada dhe si duket, do të vazhdojë të mbajë mbi vete edhe shumë vite të tjerë. Demonstratat e pranverës, mars – prill 1981, janë pikënyja e viteve që erdhën më pas dhe, si të tilla, ata kanë mbetur në kujtesën e kombit dhe në dëshminë historike të tij.
Prej këtij viti, duam apo nuk duam, jemi të vetëdijshëm ose jo, kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet e tjera madhore që lidhen me Kosovën dhe, një pjesë e rëndësishme e tyre, edhe me Shqipërinë londineze.
Viti 1981, me pranverën që nisi më 11 mars, për të shkuar më pas tek ditët e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit, mbante në vete farën e hedhur të shumë ditëve të ardhshme, që dha fryt, shumë më tepër se sa ishte menduar, 17 vite më pas, në qershorin e vitit 1999.
Them se ka qenë një vit prove, sepse, në strukturat iluzore që kishte krijuar regjimi i Beogradit, do të ngrihej një brez, i cili nuk do të ishte kurrsesi i humbur, për të çuar më tej atë që kishin dashur etërit e tyre. Ky brez, thellësisht romantik dhe krejtësisht atdhetar, doli nëpër rrugë për të filluar një jetë ndryshe. Ishte një brez që dëshmoi historikisht se, në Kosovë, nuk kishte humbur asgjë dhe se kështu nuk mund të vazhdohej më.
Pas dhunës së tankeve, Beogradi njoftoi për 11 të vrarë. Një shërbëtor i tyre në Prishtinë, Vllasi, tha se ishin vrarë vetëm nëntë vetë. Nëse kishte filluar kështu gjakshëm, nuk do të kishte të ndalur. Romantikës dhe atdhedashurisë së një brezi të ri, Beogradi i kundërvuri tanket, dhunën policore, vrasjet, burgimet, arrestimet, gjakimet, dënimet e ashpra, dhe, si të mos mjaftonte e gjithë kjo, filloi procesin e jashtëzakonshëm fëlliqës të diferencimit.
Kërkohej të diferencohej vëllai nga vëllai, ati nga djemtë, fëmijët nga prindërit, miqtë nga miku, shokët nga shoku, të afërmit nga të largëtit, të zakonshmit nga të pazakonshmit, kërkohej të bëhej gjithçka e diferencuar.
Dosjet e diferencimit janë diku, por, mbi të gjitha, janë njerëzit që kanë mbajtur mbi supet e vet gjithë barrën e këtij diferencimi. Gjithçka që donte të krijonte regjimi i Beograd-Prishtinës qëndronte në mundësinë që, të pazakonshmit të ishin të huaj për Kosovën, të lëçiturit e saj; ndërsa pushtimi, si i zakonshëm, të kishte të drejtën e qytetarisë.
Këto njerëz, të pazakonshmit, të prangosur, të gjakuar, ashtu si edhe të afërmit e tyre, djemtë apo vajzat nëpër burgjet serbe, u ndjenë të vetmuar, qoftë edhe përkohësisht. Megjithatë, të dy pjesët, edhe ata që ishin jashtë e të burgosur, edhe ata që ishin të burgosur e me mendimin se çfarë do të bënin më tej, kur të ishin të lirë, kishin në atë kohë një shpresë, një sfond ku mbështetej halli i tyre, kishin momentin e tyre të pritjes për mbështetjen. Duam apo nuk duam sot, e pranojmë apo nuk e pranojmë, fakt është se ata këtë mbështetje e kërkonin dhe e prisnin nga shteti amë, Shqipëria. Heshtja e Kosovës i çoi ata drejt fjalës së Shqipërisë.
Kryengritja shqiptare në ish-Jugosllavi, në fillimin e viteve ’80 ka qenë, padyshim, njëra nga ngjarjet rreth së cilës e për të cilën janë bërë analiza të shumta. Me të janë marrë e, sigurisht, do të merren njerëz të mendimit nga të gjitha fushat, por njëkohësisht edhe spekulues; janë marrë shkrimtarë e sociologë, historianë, protagonistë e gazetarë. Janë ringritur ngjarjet, duke filluar që nga mbrëmja e 11 marsit dhe deri tek arrestimet masive; janë ngritur teza të ndryshme, hipozeza të sakta e nga më të çuditshmet; ka pasur gjykime e paragjykime, hamendje halucionante, të sakta dhe nga më të pazakonshmet; ka pasur fillimisht çjerrje dhe përbaltim institucional, pastaj heshtje, por kurrë mbrojtje institucionale në Kosovë.
Tezat, hipotezat, pikëpyetjet, hamendjet, thëniet, gjykimet dhe debatet, nga më të ashprat e më të vrullshmit, kanë qenë për rolin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar.
Që në fillim, janë hedhur të gjitha pyetjet e mundshme dhe janë synuar të gjithë dilemat hipotetike. Në të vërtetë, është bërë përpjekja, herë serioze dhe herë e rreme, për të sqaruar disa nga momentet më thelbësore të qëndrimit të shtetit shqiptar ose për t’i përbaltur ato. Pak ose aspak kanë qenë përpjekjet për të ditur gjykimin e njerëzve të zakonshëm në Shqipëri, apo atë të mendimit intelektual. Vërtet si i kanë pritur ata ngjarjet e pranverës kosovare; si kanë depërtuar ato në thelbin e jetës së tyre të zakonshme? Ishte merak spontan, njerëzor a i organizuar, apo e vërteta qëndron diku në mesin e tyre? Kishte më shumë se hall, brengë, shqetësim a mërzi? Kishte diçka më shumë ndaj vetes dhe përtej së zakonshmes? Kishte thjeshtë brengë njerëzore apo edhe kombëtare?…
Tek qëndrimi i njerëzve të thjeshtë, ndoshta asnjëherë, nuk është shprehur si duhet mendimi i sociologëve, gazetarëve, dijetarëve, sepse, në pamjen e parë,ata nuk duken edhe aq interesantë, ata nuk përbejnë ‘ngjarje’, pra nuk mbajnë në vete ankthin e zbulimit të së vërtetës, nuk përbëjnë lajm, nuk kanë mister…. ndonëse kjo nuk është aspak e vërtetë. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, tek njerëzit e zakonshëm, politika bën vend nëpërmjet shfaqjeve që nuk janë edhe aq të dukshme politikisht, por që në të vërtetë bëjnë vetë thelbin e politikës.
Le të sjell dy shembuj të mëvonshëm. Në vitin 1991, pas lëvizjes studentore dhe ndryshimeve jetike politike në Shqipëri, të dy partitë e mëdha, si ajo demokratike ashtu edhe ajo socialiste, në programin e tyre elektoral përfshinë edhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Partia Demokratike e kishte shumë më të theksuar e shumë më të dukshme këtë pikë sa u krijua ideja, se, pas fitores së saj, zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare ishte punë e disa pak kohëve. Afishimi i tepruar i këtij koncepti nuk e pengoi këtë forcë politike, përkundrazi e ndihmoi që, në votimet e 22 marsit 1992, të merrte rreth 70 për qind të votave të shqiptarëve.
Katër vite më pas, të dy partitë e mëdha politike shqiptare, krejt ndryshe nga katër vite më parë, nuk e përmendnin as në kontekstin me të largët çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe vetë Kosova kalonte në planin e dhjetë.
Kjo sepse, të dy partitë politike e dinin se, në rrethanat e krijuara, afishimi i një qëndrimi të tillë sillte humbjen e votave.
Disa muaj para zgjedhjeve politike të majit 1996 në Shqipëri, së bashku me një nga drejtuesit e lartë socialistë të kohës, që ishte edhe nënkryetar i Parlamentit, mikun e vjetër, Shaqir Vukaj, shkuam të rrinim në shtëpinë e Fehmi Lladrovcit. Lart, në banesën e tij, në Haar, pjesë e qytetit të madh të Mynihut, ulur në shilte, në një kohë kur sapo kishin nisur aksionet e para të organizuara dhe të njësuara të UÇK-së, po bisedohej për gjithçka që kishte lidhje me Kosovën. Befas, Fehmiu, i drejtpërdrejtë si ishte, pyeti mikun:
– Ju, socialistët, a do e keni në programin tuaj bashkimin e shqiptarëve?
– Jo, – u përgjigj sinqerisht Shaqiri. – Nuk do e kemi.
– Pse? – e pyeti Fehmiu. – Humbni vota nëse e keni apo çfarë?
– Humbim vota, – pranoi sinqerisht Vukaj.
– S’paskeni qenë gjë as ju socialistët! Për besë, atyre që ndërrojnë kaq shpejt nuk u duhet zënë besë, e ju, si bukur shpesh po ndërroni.
Shaqiri e kuptoi dhe nuk foli, e u bënë miq të mirë.
Ndodhi që po ato ditë, me ftesë të një klubi shqiptar, erdhi në Shtutgart një ambasador i rëndësishëm i Shqipërisë në vendet perëndimore. Ishim miq të vjetër. Kishim biseduar gjatë me njëri tjetrin. Në njërën nga ditët e qëndrimit të tij, ndërsa rrinim në banesën time, i thashë se tashmë bisedat tona do të ishin më të rralla, meqë e kisha ndarë mendjen prej disa kohëve të isha pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe bisedat tona telefonike mund të përgjoheshin. Ai, pasi më tha se duhet të bëja kujdes se gjithçka mund të më ndodhë, më tregoi se do të kishte një zmbrapsje në qëndrimin ndaj Kosovës.
– Ndaj, – shtoi lehtas – mos prit që miqtë e dikurshëm të të kuptojnë. Gjërat kanë ndryshuar, – më tha dhe biseda vijoi me gjërat e zakonshme.
Nuk është koha të analizoj se çfarë ndodhi në katër vite, që solli një regres kombëtar kështu të dhimbshëm. Shembujt i solla për të pasur një lidhje mes asaj që quhet e zakonshme, e nganjëherë e rëndomtë, kur analizojmë ngjarjet e marsit 1981 e ndalemi tek qëndrimi i qytetarëve të thjeshtë dhe mendimit politik zyrtar.
Për këdo, natyrisht, lajm përbën dilema e shtruar atëherë, nëse kishte dijeni Shqipëria zyrtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Kosovë. A kishte dijeni Enver Hoxha, prej strukturave të tij, se viti 1981 do të ishte njëkohësisht edhe viti i kryengritjes shqiptare? A ndikuan strukturat e fshehta të shtetit shqiptar në organizimin, apo të paktën nxitjen e kryengritjes dhe afishimin e parullës “Kosova-Republikë”, apo të thirrjes “Republikë, Kushtetutë – ja me hatër – ja me luftë”? A kanë qenë të përgatitura dhe të instruktuara organizatat ilegale që u vunë në ballë të demonstratave nga strukturat e fshehta të shtetit shqiptar? A kishte në Tiranën zyrtare përkrahjen e duhur kërkesa për republikën e Kosovës apo shteti shqiptar ishte vetëm pro krijimit të një shteti të dytë shqiptar në Ballkan? Përkrahja e shtetit shqiptar ishte e vonuar apo u ndërmor në kohën e duhur? E gjithë ajo që ndodhi në polemikën e madhe mes shtetit shqiptar dhe shtetit jugosllav ishte thjeshtë një retorikë ideologjike apo pas saj fshihej edhe çështja kombëtare?… (Vijon)