Viti 2019, një rast për rimëkëmbjen e ‘Trepçës’
Vitin 2018 Qeveria e Kosovës e pati shpallur si vit të kompleksit metalurgjik “Trepça”, por që nuk arriti të vë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të zgjidhë problemet më të cilat po përballet ndërmarrja.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se 2019-ta do të jetë vit kur do të fillohet me zhvillimin dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes “Trepça”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se “Trepça” gjatë vitit 2018 është përballur me sfida të shumta. Sipas tij, disa prej çështjeve që kanë filluar të zgjidhen pritet të finalizohen gjatë këtij viti.
“Në vitin 2019 presim që në tre muajit e parë të regjistrohet ‘Trepça’ si shoqëri aksinore dhe të punësohet menaxhmenti. Pastaj në tremujorin e dytë të kemi edhe verifikim të rezervave në e dimë sa ka, por janë të viteve të 70-ta, kjo na duhet në mënyrë që investitorët e huaj të dinë saktësisht se çfarë rezerva ka ‘Trepça’. Pastaj gjatë vitit të punohet në promovimin e ‘Trepçës’ dhe një plan të inkuadrimit të kapitalit privat në zhvillimin e ‘Trepçës’ në rritjen e kapaciteteve përpunuese, rritjen e eksporteve dhe me mundësi që në të ardhmen të kemi edhe përpunimin e brendshëm të atyre minerale, pasi që kjo kërkon njohuri dhe investime mjaft të mëdha që duhet të bëhen”, ka thënë Lluka.
Megjithatë, janë bërë më shumë se dy vite nga miratimi i Ligjit për Trepçën i cili si i tillë synonte të rimëkëmbte dhe rivitalizonte ndërmarrjen.
Në bazë të këtij Ligji për Trepçën, pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
Por, ligji nuk arriti të zbatohet duke bërë që ndërmarrja të futej në vështirësi të shumta financiare dhe kapacitete minimale prodhuese.
Faji për moszbatim të ligjit iu vu institucioneve të vendit, të cilat siç thonë përfaqësuesit e minatorëve dhe njohës të zhvillimeve, në këtë ndërmarrje treguan neglizhencë karshi probleme me të cilat përballej ndërmarrja.
Po ashtu zhvillimet politike në Kosovë përgjatë dy viteve nuk ishin në favor të zbatimit të Ligjit për Trepçën. Zgjedhjet e parakohshme dhe ndërrimi i qeverive në Kosovë kishin bërë që shumë procese lidhur me rimëkëmbjen e “Trepçës” të zvarriten.
“Trepça” e cila ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi, aktualisht thuhet të jetë në fazën e mbijetesës dhe me probleme të mëdha.
Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” i cili do të mundësonte zbatimin e ligjit u themelua 18 muaj pas miratimit të këtij ligji.
Ndërkohë, pas një greve të minatorëve të “Trepçës” në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës krijoi grupet punuese të cilat kishin për detyrë t’i vlerësonin asetet që janë në pronësi të “Trepçës” dhe përfshirjen e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare, si dhe të bënin trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga sindikata e minatorëve të “Trepçës”.
Këto grupe punuese dërguan rekomandimet e tyre në Qeverinë e Kosovës. “Radio Evropa e Lirë” kishte raportuar për atë se çfarë përmbanin rekomandimet e grupeve punuese, por edhe pas këtyre rekomandimeve në Qeverinë e Kosovës nuk besojnë se problemet në “Trepçë”, mund të zgjidhen brenda një periudhe të afërt kohore.
“Trepça” llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e ’80-ta, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe aktualisht nuk numëron më shumë se 1,300 punëtorë.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.
Përfaqësues të Sindikatës në “Trepçë” flasin për rënie drastike të prodhimit, Shyqyri Sadiku, kryetar i sindikatës së “Trepçës” në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se prodhimi krahasuar me vitin 2016 dhe 2018 ka rënë për 50 për qind.
Sadiku ka kërkuar nga institucionet e vendit që të marrin masa konkrete në miratimin e statutit të “Trepçës” dhe fillimin e proceseve që rimëkëmbin ndërmarrjen, në të kundërtën, ndërmarrja është në krizë.
“Gjatë këtyre dy viteve që nga miratimi i ligjit ka pasur vonesa. Nga të gjitha qeveritë janë prolonguar proceset. Për momentin gjendja aktuale në ‘Trepçë’ nuk është e mirë, gjendja financiare është e keqe, po ashtu prodhimi krahasuar me vitin 2016 dhe 2018 ka rënë për 50 për qind”, ka thënë Sadiku.
Përfaqësues të kombinatit “Trepça” thonë se ende nuk është arritur të fillohet me politika zhvillimore të kësaj ndërmarrjeje.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve në kombinatin “Trepça” dhe ish-drejtori në këtë ndërmarrje, Ahmet Tmava, la thënë se çdo ditë e humbur ka pasoja të mëdha për zhvillimin e ndërmarrjes.
“’Trepça’ po vuan nga mosdefinimi i statutit të saj sepse nuk ka një statut zhvillimor. Statutin zhvillimor e jep Ligji për Trepçën i cili ka më shumë se dy vjet që është miratuar, por ende nuk është zbatuar. ‘Trepça’ ende në dokumente përdor vulat si ndërmarrje shoqërore, ndërsa vepron si shoqëri aksionare. Top prioritet është regjistrimi i ndërmarrjes sipas ligjit të ri, sepse kjo jep mundësi ristrukturimit dhe zhvillimit të ndërmarrjes”, ka theksuar Tmava.
Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.
“Trepça”, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keqshfrytëzimit në të kaluarën.
Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.