Viti 2020 për Kosovën mbaroi aty ku filloi
Prof. Lisen Bashkurti
Një rrotullim i plotë për Kosovën ndodhi në vitin 2020. Viti mbaroi aty ku filloi. Në fillim të vitit 2020 Kosova ishte e përfshirë në proceset politike postzgjedhore, të vjeshtës, e cila votoi LV-në dhe Albin Kurtin për të udhëhequr bisedimet për formimin e koalicionit të ri qeveritar me LV-LDK. Bisedimet zgjatën relativisht shumë, por më në fund konkluduan me krijimin e koalicionit midis LV-së dhe LDK-së, posaçërisht të kryesuar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Kështu, fillimi i 2020 e gjeti Kosovën me një qeveri të re, plot shpresa te qytetarët e Kosovës, sidomos tek të rinjtë dhe intelektualët që bartnin më së shumti dëshpërimin për qeverisjet e dobëta, pa principe evropiane, pa profesionalitet dhe pa integritet moral. E shpallur si qeveri patriotike anti-korrupsion e antikrim, qeveria Kurti-Osmani po sillnin entuziazëm të madh brenda Kosovës, por edhe në nivele rajonale dhe Euro-Atlantike. Por, kjo situatë entuziazmi dhe pritshmërie nuk zgjati shumë, vetëm 50 ditë, pas të cilave çdo gjë u përmbys si me magji.
- Legjitimiteti përballë makinacioneve politike
Prej shumë vitesh qeveritë në Kosovë kanë vënë në dyshim parimin e legjitimitetit, një prej parimeve themelore të qeverisjes në demokracinë liberale e që dominon sot demokracitë e konsoliduara kudo në botë. Disa analistë thonë se “sistemi zgjedhor në Kosovë nuk krijon mundësinë e një partie të vetme të fitojë zgjedhjet për krijimin e qeverisë pa koalicion”. Për këtë ato rendisin edhe argumentin kushtetuese se “në Kosovë çdo qeveri duhet të përfshijë edhe pakicat serbe në përbërjen e saj”. Deri këtu pak a shumë kuptohet sistemi zgjedhor dhe kushtëzimi kushtetues për përfshirjen e pakicave në çdo koalicion qeveritar.
Por ku është parë dhe ku është shkruar që të krijohen qeveri të parakushtëzuara nga koalicione absurde, të cilat prodhojnë qeveri “me legjitimitet pakicash”, ku parti shqiptare të nivelit të dytë dhe të tretë të marrin iniciativat e të krijojnë koalicione me makinacione politike, duke vënë në krye kryeministrat e tyre? Askund, vetëm në Kosovë. Kështu me makinacione të tilla u krijua qeveria Haradinaj dhe u emërua ai kryeministër nga një parti i nivelit të tretë. Po kështu, me makinacione politike u rrëzua qeveria Kurti dhe u zgjodh me një deputet të dënuar pa të drejtë vote qeveria Hoti, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi me vendimin e saj të datës 22 dhjetor 2020.
Prapa makinacioneve politike kanë qëndruar liderë politikë të Kosovës të 20 viteve të fundit, sidomos Thaçi dhe Mustafa, herë-herë edhe Haradinaj, të cilët e kanë konsideruar elektoratin e Kosovës si një makineri amorfe, të vdekur dhe pakurrëfare ndikimi në zgjedhjen e organeve qeverisëse të Kosovës. Zëri i vetëm që u dëgjua fare pak në Kosovën e dy dekadave të fundit ishte ai i qytetarëve të Kosovës. Jashtë dhe pavarësisht vullnetit të tyre, kalkulimet dhe makinacionet politike të votave në Kuvendin e Kosovës e kanë devijuar vazhdimisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës, duke prodhuar qeverisje jo legjitime, por makinacionesh politike.
- Makinacionet politike me “petka diplomatike Amerikane”
Më shqetësues në këtë lojë politike të paskrupullt ishte rasti i rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe zgjedhja në vend të saj e qeverisë Hoti. Në këtë pazar politik, aspak legjitim dhe të ndershëm u përzje edhe diplomati amerikan, Grenell, i dërguari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi. Me një presion të dukshëm dhe të paprinciptë, aspak demokratik dhe diplomatik, Grenell së bashku me Thaçin dhe Mustafën dhe hiena jashtë Kosove, në Tiranë Rama dhe në Beograd Vuçiq, duke shfrytëzuar edhe paditurinë e presidentit Trump mbi situatën e kulisave Ballkanike, ndërtuan makinacionin politik më absurd në Kosovën e re. Kështu, u përdhosën demokracia, vota qytetare, legjitimiteti, sovraniteti, institucionalizmi, përballë makinacioneve politike qëllimkeqe dhe shumë të rrezikshme për Kosovën dhe popullin e saj.
Në krye të fushatës përpara makinacionit për ndryshimin e qeverisë në Kosovë, u vendos slogani “me Kurtin apo me Amerikën”, duke shfrytëzuar poshtërsisht respektin, mirënjohjen dhe besimin e lartë që populli i Kosovës ka për ShBA dhe kontributin e saj për Kosovën. Mbas makinacionit nën këtë slogan manipulativ ala Thaçi-Grenell-Vuçiq-Rama filloi aksioni diplomatik i tejnxituar për përpilimin e një marrëveshje Serbi-Kosovë që do të firmosej në Shtëpinë e Bardhe në prani të presidentit Trump.
Teksti i marrëveshjes e mënjanoi idenë e shkëmbimit, më saktë të ndryshimit të kufijve, sepse u kundërshtua fort dhe publikisht nga Gjermania dhe shumë vende të BE-së dhe të Ballkanit dhe mbështetej vetëm nga Vuçiq, Thaçi, Rama dhe Grenell. E çliruar nga ideja për shkëmbime territoriale dhe ndryshime kufijsh midis Serbisë dhe Kosovës, draft-marrëveshja, tanimë po bëhej si një përzierje e shumë marrëveshjeve të mëparshme midis Kosovës dhe Serbisë të inicuara nga BE-ja, të cilat Serbia kurrë nuk i zbatoi, me disa ide, projekte pragmatike ekonomiko-tregtare së bashku me idenë e Beogradit për minishengenin Ballkanik. Minishengeni Ballkanik nuk është produkt i konsultimin, dakordimit dhe mbështetjes nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, por vetëm nga trojka Vuçiq-Rama-Zaev dhe Grenell, me tendencë për t’iu imponuar Kosovës dhe vendeve të tjera.
Mirëpo, kur ceremonia po përgatitej në Shtëpinë e Bardhë dhe tapeti i kuq po shtrohej për mysafirët nga Kosova dhe Serbia, ndodhi e papritura për dikë, por e pritura për shumëkënd, publikimi i akt-akuzës për Hashim Thaçin nga prokurori special në Hagë. Gjithçka u gris në skenën e teatrit që po luhej në mënyrën më dramatike e keqndjellëse për Kosovën. Thaçi anuloi vizitën dhe në vend të projektfjalimit për në Shtëpinë e Bardhë, nisi përgatitjen e fjalës funebër për dorëheqjen e tij për t’u paraqitur në Hagë, pasuar edhe nga kolegët e tij udhëheqës të UÇK-së.
Në vendin e Thaçit në avionin drejt Uashingtonit hypi kryeministri Hoti, si pjesë e skenarit alternativ të Grenellit. Marrëveshja amalgamë u firmosur në mënyrë pompoze në sy të presidentit Trump. Kjo marrëveshje, më së shumti e parealizueshme në tërësinë e saj u bë jashtë syve të opinionit publik kosovar dhe jashtë çdo lloj gjithëpërfshirje institucionale të Kosovës. E prodhuar nga pak koka dhe e përpiluar me nxitim nga pak duar kjo marrëveshje amalgamë iu servir presidentit Trump, i cili ishte i etur për një arritje diplomatike përpara zgjedhjeve presidenciale pas dështimeve skandaloze në Korenë e Jugut, në Iran, në Venezuelë, në Kinë e në shumë iniciativa të tjera diplomatike pa rezultate. Duke u shprehur se marrëveshja “i jep fund luftës së përgjakur shekullore në Kosovë” dhe se një “komb musliman njihet nga Izraeli dhe do të vendosë ambasadën e tij në Jeruzalem”, presidenti Trump demonstroi sesa konfuz, i paqartë dhe i painformuar ishte për Ballkanin, për Kosovën dhe Serbinë si dhe për identitetin kulturor-fetar të shqiptarëve. Por këto arsye entuziazmi i 4 shtatorit do ishte shumë i shkurtër e jehona shumë e zbehtë.
Shumë kush nga aktorët lokal u përpoq të kapej mbas marrëveshjes së 4 shtatorit. Vuçiqi ishte i pari që u përpoq ta lansonte si fitore e diplomacisë Serbe dhe e rritjes së ndikimit të saj mbi Shtëpinë e Bardhë. Rama e mbështeti për shkak të përfshirjes në të idesë së minishengenit Ballkanik, të cilën kryeministri i Shqipërisë e mbështeti fort, duke e konsideruar në tregun e brendshëm politik si Eureka në politikës së tij të jashtme. Më zbehtë marrëveshjen e 4 shtatorit e mbështeti Kosova, e cila u vu përballë një teksti të shkruar anglisht, të cilin lypej ta firmoste pa zë dhe pa figurë.
- Për Kosovën 2020 po mbaron atje ku filloi
Por situatat u përmbysën me fushatën presidenciale në ShBA. Trump humbi spektakuralisht. Biden po hyn tanimë në Shtëpinë e Bardhë. Politika e jashtme e ShBA-së mbas një devijimi të paparishikueshëm katërvjeçar, po i rikthehet normalitetit të trasuar qysh pas Luftës së Dytë Botërore.
Aktorët qeveritar Ballkanik të mbetur në lojë prej vitesh, mjeshtër të kulisave, të makinacioneve politike dhe presioneve diplomatike ndodhen në panik. Të frustruar nga Bashkimi Evropian për procesin e ngecur të integrimit dhe të surprizuar nga ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë, aktorët qeveritar Ballkanik të mbetur po i vënë gishtin kokës për sfidat që i presin.
Kambana e parë e sfidave për 2020 po bie në Kosovë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi qeverinë Hoti për palegjitimitet dhe shpalli kështu zgjedhjet e përgjithshme politike të parakohshme mbas 40 ditësh, pra në fillim të shkurtit 2021. Mbas këtyre zgjedhjeve që priten të sjellin ndryshimin e nisur dhe të lënë në mes në fillim të këtij viti 2020, do vijojnë sfidat me zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Një reshufle politik pritet të përfshijë qeverisjet në Ballkanin Perëndimor. Është koha e legjitimitetit qeverisës jashtë makinacioneve politike dhe lojërave diplomatike. Era e Shtëpisë së Bardhë po fryn dukshëm edhe mbi Ballkanin Perëndimor. Lavdi Zotit!