Viti 2024, një vit i suksesshëm në fushën e artit
30 dhjetor 2024
| 10:03
Ilir Muharremi, kritik i artit
Ky vit ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për artin dhe kulturën e Kosovës, një dëshmi e fuqisë krijuese që buron nga një histori e thellë dhe një pasion i pashuar për të shprehur të pathënën. Në një botë ku arti është ura që lidh të kaluarën me të ardhmen dhe individualen me universalen, artistët tanë kanë treguar se krijimtaria nuk njeh kufij, as gjeografikë dhe as shpirtërorë. Kosova, një vend i vogël në madhësi, por i madh në shpirt dhe vizion, ka lartësuar zërin e saj përmes gjuhës së artit bashkëkohor.
Kjo arritje kulmoi me suksesin e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, ku instalacioni skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, i artistes Doruntina Kastrati dhe kuruar nga Erëmirë Krasniqi, u nderua me Mirënjohjen e Veçantë. Në një konkurrencë me mbi 80 shtete, kjo vepër trajtoi me mjeshtëri dhe ndjeshmëri çështjen e punës së feminizuar dhe trupave të dërmuar nga ekonomitë e parregulluara.
Instalacioni skulpturor i Kastratit është më shumë se një vepër arti; është një thirrje e heshtur, një jehonë që ngrihet nga thellësitë e historive të heshtura dhe të trupave të dërmuar lëkurës së brishtë, Kastrati krijon një dialog të fuqishëm midis forcës dhe cenueshmërisë, midis strukturës industriale dhe intimitetit njerëzor. Skulpturat e saj nuk janë vetëm objekte vizuale, por bartëse të përvojave të heshtura dhe të dhimbjeve të grumbulluara ndër vite nga gratë që mbajnë mbi supe barrën e ekonomive të padrejta.
Metalike dhe të fuqishme, skulpturat simbolizojnë qëndrueshmërinë e grave, ndërsa lëkura organike mishëron ndjeshmërinë dhe cenueshmërinë e tyre. Ky kontrast flet fuqishëm për tensionet e përditshme të një realiteti të heshtur dhe shpesh të injoruar. Përmes këtij ndërthurjeje, instalacioni shkon përtej një përshkrimi të thjeshtë, duke i dhënë zë përvojave të heshtura që janë të pranishme jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht.
Një element thelbësor i instalacionit është peizazhi tingullor, i cili përshkon hapësirën dhe rezonon fizikisht në trupat e vizitorëve. Kjo valë tingujsh i bën audiencat jo vetëm vëzhgues, por edhe pjesëmarrës në një dialog të heshtur që fton reflektim. Zhurmat e prodhuara nuk janë thjesht element estetik; ato janë një jehonë që ndërgjegjëson, duke përshkruar fuqinë dhe dhimbjen e një realiteti të hidhur.
Artistja Doruntina Kastrati, në fjalën e saj pas pranimit të çmimit, citoi shkrimtaren Elif Shafak: “Historitë na bëjnë bashkë, ndërsa historitë e parrëfyera na mbajnë larg njëri-tjetrit. Për të pasur mundësinë për të treguar historinë tënde, të heshtësh për të do të thotë që je e dehumanizuar.” Kastrati shprehu kënaqësinë që përmes kësaj vepre mundi të ndante një histori që ka qenë prezente si në përvojat lokale ashtu edhe ato globale.
Ky sukses i Pavijonit të Kosovës, i arritur në një bienale ku çdo pjesëmarrje është një fitore, përfaqëson një moment historik për artin kosovar. Mirënjohja e Veçantë shënon jo vetëm arritjen e kësaj vepre të fuqishme, por edhe një hap të madh përpara për të gjithë skenën kulturore dhe artistike të Kosovës. Në këtë mënyrë, viti 2024 po përmbyllet me një kurorëzim të meritueshëm të artit tonë, duke dëshmuar se Kosova, përmes zërit të grave dhe artistëve të saj, është një djep i krijimtarisë dhe shpirtit të rezistencës kulturore.