
Viti 2025 nis me rritje çmimesh në Kosovë, inflacioni në janar 1.5%
Viti 2025 ka filluar me lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës. Inflacioni në janar është rritur mesatarisht me 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor i matur ishte 0,7 për qind, ndërsa norma vjetore e inflacionit arriti në 1,5 për qind krahasuar me janarin e vitit 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa kategori kryesore të konsumit, raporton monitor.al.
Në krahasim me dhjetorin 2024, çmimet janë rritur më së shumti te perimet, energjia elektrike, duhani, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, kafeja, çaji dhe kakao, si dhe produktet e tjera ushqimore si mishi dhe pemët.
Në krahasim me janarin e vitit të kaluar, çmimet janë rritur ndjeshëm për disa kategori të mallrave dhe shërbimeve.
Ndër produktet dhe shërbimet me rritjen më të lartë të çmimeve janë kafeja, çaji dhe kakao, vajrat dhe yndyrnat, si dhe shërbimet për transportin personal.
Po ashtu, çmime më të larta janë regjistruar për pijet joalkoolike, gazetat dhe materialet për zyra, shërbimet financiare, mishi dhe produktet e qumështit.
Kafja, çaji dhe kakao 14.6%. Vajrat dhe yndyrnat 8.3%. Shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 7.6%. Uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 6.1%. Gazetat, librat dhe materialet për zyra 5.4%. Shërbimet financiare 5.2%. Qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 5.1%.Mishi 4.6%. Mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 4.0%. Pijet alkoolike 3.9%. Qumështi, djathi dhe vezët 3.0%. Veshje 2.9%. Duhani 2.9% Perimet 2.5% Kujdesi personal 2.5%. Buka dhe drithërat 2.1% Shërbimet hoteliere 2.1%.
Që nga viti 2021, inflacioni në Kosovë ka ndjekur një trajektore rritëse eksponenciale, duke arritur kulmin me një normë vjetore prej 11.58% në vitin 2022.
Në vitin 2024, 44 për qind e familjeve raportuan se blejnë më pak produkte ndërsa shpenzojnë më shumë, sipas një ankete të publikuar nga UNDP në shkurt 2024.
Ndërsa çmimet e produkteve kërcënonin mirëqenien e familjeve me të ardhura të ulëta, qeveria Kurti u akuzua për indiferencë ndaj krizës.
Nga ana tjetër, pretendimet e përsëritura të Kurtit se Kosova zbatoi pakon më të madhe mbështetëse në rajon në raport me BPV-në pati efekte minimale në zbutjen e krizës, sipas raporteve ndërkombëtare.
Vlerësimi i Bankës Botërore për vitin 2022 pikturoi një pamje të zymtë të skemave të asistencës sociale të Kosovës, duke i përshkruar ato si “të ngurta” dhe kryesisht joefektive në adresimin e krizës. “Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e ndihmës sociale është e ngurtë dhe mund të ofrojë vetëm mbrojtje të kufizuar.”
Linku: https://monitor.al/viti-2025-nis-me-rritje-cmimesh-ne-kosove-inflacioni-ne-janar-1-5/