Viti 2025: stabilizim, transparencë, zhvillim

02 janar 2025 | 12:29

Kosova duhet të dalë nga bllokada brenda vetes dhe në raport me botën demokratike. Destabilizimi nuk është i ndërlidhur vetëm me përkeqësimin e situatës së sigurisë. Prandaj, shpresoj që viti 2025 të jetë vit për stabilizim, transparencë dhe zhvillim të Kosovës

Shkruan: Burim RAMADANI

Nuk ishte fare vit i lehtë. Për botën në përgjithësi, për Kosovën në mënyrë krejtësisht specifike. Viti 2024 u harroftë për nga dimensionet e rritjes së pasigurisë edhe publike, edhe kombëtare! Një vit tjetër qoftë viti 2025! Me domosdoshmërinë për stabilizimin, transparencën dhe zhvillimin.

Destabilizimi që duhet kaluar

Destabilizimi nuk është i ndërlidhur vetëm me përkeqësimin e situatës së sigurisë. Kur shtetet ballafaqohen me çrregullimin e prioriteteve politike e shoqërore, ekonomike e diplomatike, dhe kur shtetet përballen me mungesë besimi brenda sistemit të vet politik e juridik, atëherë mund të vlerësohet se destabilizimi ka ndodhur. E tillë ishte e tërë kjo kohë e vitit 2024. Pak muaj pas sulmit terrorist nga grupi paramilitar serb në Banjskë, viti 2024 filloi dhe u përmbyll me tema të sigurizuara. Pra, një vit plot me tematika të sigurisë kombëtare, që dorën në zemër në pjesën më të madhe të ditëve të vitit ishte tema të abuzuara dhe të keqpërdorura për motive jo të sigurisë kombëtare. Kryesisht, motiveve të politikave të brendshme dhe grupeve të ngushta të njerëzve e elitave politike e shoqërore.
Viti 2025 do të duhej (shpresoj!) t’i japë një përgjigje edhe popullore, edhe politike e institucionale, edhe ekonomike e diplomatike situatës së këtillë të destabilizuar. Qytetarët e Kosovës as nuk meritojnë dhe as nuk do të duhej të tundoheshin deri në detaje për tema të këtilla të sigurisë, që në parim dhe substancë janë detyra të përditshme të sektorit të sigurisë. Pra, edhe pa i diskutuar në publik, në konferenca për media ditën e natën, sektori i sigurisë e kryen punën e vet në nivel edhe profesional, edhe sakrifikues. Në anën tjetër, sa më shumë që vlerësimet e sektorit të sigurisë sillen nëpër konferenca për media dhe (rrjedhimisht) në opinionin publik, aq më shumë kjo ndikon në vështirësimin e punës së tyre, sepse fokusi, përkatësisht vendosja e ‘reflektorëve’ në punën e tyre nuk do të duhej të ishte përditshmëri.
Por, për çfarë destabilizimi po flasim? Për çfarë sfidash, rreziqesh e kërcënimesh të sigurisë kombëtare po diskutojmë?
Një luftë hibride tashmë e më shumë se një dekadë kundër Kosovës ka marrë edhe formën e influencimit armiqësor, edhe ka shkaktuar panik tek opinioni publik. Tek e fundit, cili do të ishte qëllimi i parë i një qasjeje armiqësore ndaj Kosovës? Sigurisht, krijimi i konfuzionit, shpërqendrimit, pesimizmit dhe mosbesimit brenda Kosovës, për Kosovën dhe ndaj partnerëve demokratik. Kjo, fatkeqësisht, në dimensione të caktuara është arritur, derisa nivele tjera kanë vazhduar refuzimin, përkatësisht rezistencën ndaj kësaj.
Mungesa e një zhvillimi të qëndrueshëm, të mirëplanifikuar dhe të koordinuar me palët pjesëmarrëse është e dukshme. Sot, qytetari i Kosovës as nuk jeton më mirë, as më lirë, as më sigurt. Të tri këto e kanë vënë Kosovën në një situatë jo të përshtatshme.
Qytetari më keq, institucionet më neglizhente, ndjenja e pasigurisë e rritur.

Lufta hibride – të kuptuarit dhe përgatitjet që po na mungojnë

Së pari, lufta hibride përfaqëson jo vetëm aktualitetin e këtyre dekadave të formave jo konvencionale dhe jo kinetike të luftës që po ndodh, por edhe një pjesë serioze të asaj nëpër institucionet dhe shoqëria është duke kaluar. Lufta hibride, në rastin tonë, patjetër se ndërlidhet me qëllimet dhe agjendat armiqësore të ndërhyrjes ruse, serbe, kineze dhe të aktorëve të tjerë shtetërorë e joshtetërorë ndaj Kosovës dhe Ballkanit.
Së dyti, në luftë hibride jemi të gjithë së bashku, si shtet dhe si shoqëri. Si institucione dhe si qytetarë. Por, numri i atyre që e kuptojnë thelbin e Luftës Hibride është jo vetëm i vogël, por krejtësisht i pamundshëm për të ndryshuar rrënjësisht gjendjen në Kosovë në këtë aspekt. Për më keq, IDIOTËT E DOBISHËM pretendojnë të jenë qytetarë besnik të këtij shteti, duke qenë në dozë të madhe pretendues të moralizimit, drejtësisë, ndershmërisë dhe vuajtjes. Të tillët jo vetëm që nuk kuptojnë se deri në çfarë niveli kanë arritur të shkaktojnë konfuzion, shpërqendrim, dezinformim dhe traumë në shoqërinë kosovare, por për më keq: mburren me këto! Sidoqoftë, Idiotët e Dobishëm janë ‘yll’ për kundërshtarët e Kosovës, të cilët as nuk kanë nevojë të paguajnë domosdoshmërisht përhapjen e pesimizmit dhe mosbesimit ndaj shtetit të Kosovës.
Së treti, në luftë hibride jo të gjithë aktorët institucionalë e vendimmarrës e mbajnë rolin e vet sipas përgjegjësive kushtetuese e ligjore, profesionale e qytetare. Lufta hibride është term që edhe është keqpërdorur kundër njerëzve që mendojnë ndryshe, qoftë strategjikisht, qoftë strukturalisht, qoftë politikisht apo thjesht kanë vizion tjetër për aktualitetin dhe të ardhmen. Paramendojeni se si titujt bombastik të njerëzve të veshur me pushtet e përgjegjësi adresojnë si luftë hibride kritikat publike rreth, për shembull, vendimeve qeveritare apo ministrore – për të cilat vendime ata marrin pagën nga populli i Kosovës dhe thjesht paguhen për t’i shërbyer po këtij populli.
Së katërti, në luftën hibride kapacitetet ekzistuese të një shteti – në rastin tonë, të Kosovës – as nuk janë të mjaftueshme dhe as nuk duhet të reduktohen. Përkundrazi, nga ShBA-ja, në Evropë e deri në Japoni e Zelandë të Re, shtetet investojnë në rritjen e kapaciteteve për kuptimin dhe përballjen me Luftën Hibride, sikurse edhe ruajnë dhe promovojnë kapacitetet njerëzore që ekzistojnë në ato shoqëri dhe institucione. Prandaj, në rastin tonë, vendimmarrësit duhet të heqin ngarkesat personale, grupore apo të motiveve tjera. Duhet investuar në kapacitete të reja – kryesisht njerëzore – dhe duhet ruajtur e mos hedhur në baltë e nën baltë kapacitetet që janë të konsoliduara ndër vite. Sepse, konsolidimi i kapaciteteve profesionale në luftën hibride (por jo vetëm!) – qoftë si mekanizma institucionalë, e qoftë si individë të profilizuar – arrihet vetëm pas shumë e shumë investimeve vetjake dhe përmes partnerëve të mirë të Kosovës. Kështu, hedhja në dhe nën baltë e mekanizmave dhe individëve – në këtë Kosovën tonë të re dhe pa traditë të gjatë shtetërore – jo vetëm që dëmton sigurinë kombëtare, por realisht i lë rrugë hapur zhvillimit dhe avancimit të Luftës Hibride nga aktorët armiqësorë, si pasojë e mungesave në sistemin e përballjes me to.

Viti 2025 – mundësia që po vjen!

Qytetarët e Kosovës do të vendosin në vitin 2025 se çfarë po duan dhe si e shohin të ardhmen e shtetit e shoqërisë në periudhën që po vjen. Jo shumë prej njerëzve në Kosovë janë abstenues në vendimmarrje kolektive, sikurse janë zgjedhjet. Të paktën deri më tash, shoqëria kosovare duket të jetë shoqëri dukshëm e politizuar, të paktën në kuptimin e interesimit të përditshëm që shfaqin në zhvillimet politike e të sigurisë.
Qytetari në pak javë do të vendos për të ardhmen e vet jo vetëm personale. Prandaj, një mundësi që vjen në këtë periudhë është edhe demokratike, edhe e rregullt, edhe e domosdoshme.
Kosova duhet të del nga bllokada brenda vetes dhe në raport me botën demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka folur…