Viti i çudirave në Kosovë
Bedri Islami
2019-shi, pa dyshim, ka qenë viti më i çuditshëm i pasluftës në Kosovë. Ndodhën të gjitha që nuk mund të ishin llogaritur. Taksa 100 për qind ndaj prodhimeve serbe, deri-diku edhe boshnjake, u bë mollë sherri jo vetëm në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shtetit serb, që gjeti sebep t’i ndërpresë bisedimet, që edhe ashtu do t’i kishte ndërprerë, por edhe mes shefit të qeverisë dhe diplomatëve ndërkombëtarë, e më përtej saj, mes dy qeverive simotra, asaj të përtej Drinit dhe kësaj, të vjetrës, këndej Drinit. Dy shefat e qeverive u kënaqën duke sharë njëri-tjetrin, bënë qejf si ata fëmijët kur gjuhen me topa bore, pastaj e shtuan tonin dhe puna shkoi deri aty ku nuk e merr vesh as dreqi e as i biri. Rama, si zëdhënës i pashpallur i ndërkombëtarëve, i binte lehtë me bërryl Ramushit dhe i thoshte: “Hiqe, bre, Ramush, se do të hiqen vizat”. Më kujtohet një episod, kur pas disa ditësh qëndrimi në Rambuje, i lodhur dhe i mërzitur, pasi për herë të parë pas 10 vjetëve kaloi në margjinë, Rugova, ende pa lexuar as draftin e parë, i binte me bërryl Thaçit dhe i thoshte, “nënshkruaje, bre Hashim, e të kthehemi në shtëpi”.
Kjo puna e bërrylit u bë mullar. Secili ia fut bërrylin shoqit dhe të gjithë të tjerët bëjnë sikur nuk e vërejnë. Isa Mustafa kërkoi t’ia ngjeshë Albin Kurtit. Isa është ujk i vjetër, ka shkollën e dikujt tjetër dhe i merr punët ngadalë. Kurti, më agresiv, i do gjërat më shpejt, se tre muaj me qeveri e pa qeveri janë pak si shumë, dhe ia fut bërrylin në fb Isë Mustafës dhe ky ia kthen. Votuesit ia futën bërrylin PDK-së, të lodhur prej saj, por edhe ajo vetë e lodhur nga pushteti. Në një orë, jo më shumë, kjo e fundit, nën drejtimin e Veselit vendosi se do të kalojë në opozitë. Kurrë kaq shpejt nuk ka ndodhur, por edhe nëse do të kërkonte pushtet, askush nuk ia jepte. Të gjithë, ashtu si në tragjedinë e famshme, “Të shtatë kundër Tebës”, u bënë si një kor antik dhe thanë, “jo koalicion me PDK-në”. Secili, edhe Nisma, edhe AAK, shpejtoi t’i lajë duart e veta nga bashkëqeverisja me PDK-në dhe menduan se, duke ia futur bërrylin, PDK-ja do të jetë macja e zezë e ata vetë do të jenë zbardhur. “Nisma” ka dalë nga PDK-ja, AAK-ja ka dalë nga gjithkund.
Pastaj u bënë përleshje e debate për kufirin. Dikush thoshte se do të synojë ta bëjë korrigjimin e kufirit, ky ishte Thaçi, i cili, si duket, edhe një herë ua futi bërrylin të gjithëve dhe Kurti duhet të jetë i lumtur që, edhe këtë herë rivali i tij Thaçi ishte president dhe nuk u fut në fushatë. Nëse do të ishte ndryshe, askush nuk e di se si do të ishin shifrat. Thaçi është nuhatës i mirë i politikës, më i afti që ka Kosova mirëpo, si duket, dy forca politike, si askush tjetër kaq haptas, po duan t’ia shkurtojnë ditët e presidencës dhe t’ia afrojnë edhe një herë ditët e pushtetit. E kam thënë një herë dhe e them përsëri, ua kam thënë edhe figurave të njohura të LV-së, se “Thaçi, që më 1 janar, në mëngjes, e di se ku do të jetë më 31 dhjetor në mbrëmje”.
Ta lëmë Thaçin në shejtaninë e tij. Thaçi nuk është i rrezikshëm për kundërshtarët kur gjëmon, por kur të buzëqesh. Nëse i ka qeshur këto ditë Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, të dy duhet ta dinë se ai po luan lojën e tij.
Haredinaj, njeriu që, nga të gjithë liderët e Kosovës, e kam më për zemër, nuk e ndien se si kolegët e vet në Tiranë po e futin në një lojë që nuk është e tij dhe nuk ka pse të jetë. Herë-herë, përmes tij, flet Ilir Meta, që ka hallet e tij, dhe herë të tjera flet Berisha, që nuk e di fundin e tij. Lulzim Basha nuk ka zë as për vete e jo për Ramushin. Nuk njoh politikan më të sinqertë, por edhe më të papritur. Nuk e di se kush ia ka mbushur mendjen se e shpëtoi Kosovën, kur asnjë ditë nuk ishte e rrezikuar. Thaçi, edhe me Ramën bashkë, miq që herë-herë i japin krahun njëri-tjetrit dhe jo larg do t’ia ndiejnë edhe bërrylin, edhe po të duan, nuk kanë tagër me shit Kosovën. Nëse ky, Thaçi, merr Luginën e Preshevës, pa dhënë asgjë nga Kosova, do të jetë lideri i viteve, ndryshe, të mos futet në një pyll pa sëpatë dhe t’ia lë ahishtat dikujt tjetër, si ndodhi me definimin e kufijve me Malin e Zi. Demarkacion quhet, por lëvizja e kufirit është.
Viti 2019 ishte viti i befasive. Gjykata Speciale po thërret një nga një të gjithë ata që ngritën duart për ta miratuar. Asokohe patën ngritur një dorë, tani do të ketë, ndoshta, edhe nga ata që do të lidhin dy duart. Shefi i qeverisë, sapo e thirrën, dha dorëheqje, por prapë është shef i qeverisë. Lideri i opozitës shkoi, po ashtu. Pastaj të tjerë e të tjerë. Dikush ka filluar t’ia fusë bërrylin shokut të vjetër, me mendje se do t’i hiqet bërryli nga fati i tij. LDK-ja fërkon duart se në fund të fundit është edhe punë e saj kjo çështja e dosjeve. Ia patën filluar herët, që në vitin 1998, të shtojnë shënime dhe shefi i tyre ishte një korozi, si i thonë në jug, Ekrem Kryeziu i Prizrenit.
Nejse, Dhoma e Specializuar, që po bëhet gati të hapë shumë dhoma, ka punën e vet, Kosova ka punën tjetër.
Zgjedhjet e 6 tetorit u mendua se ishte fillesa e së mbarës dhe fundi i një viti të ngatërruar. Albin Kurti, lideri karizmatik i LV-së, si ishte pritur, i fitoi zgjedhjet, por jo si ishte pritur. Një fitore në zgrip, që ngriti peshë zemrat e militantëve të zjarrtë të LV-së dhe, si duket, ose nuk mjafton për të krijuar qeverinë, ose Kurti po bën llogari të tjera. Kurti është lideri më i lexuar dhe më i artikuluar në Kosovë e, besa, edhe jashtë saj. Pragmatist në atë masë që duhet, njohës i mirë i teorive të kohës moderne, por edhe të historisë, i lidhur me luftën, më shumë si ide sesa veprimtari praktike, ia doli ta merrte “pronësinë” e luftës, që nuk e mbajti dot PDK-ja dhe që e kishte lëshuar prej kohësh Thaçi. Shqipëria, kjo e këndej Drinit, mbajti frymën. Rezultati doli kur ende njerëzit nuk kishin fjetur më 6 tetor. Nuk kishte ndodhur kurrë. Habitërisht, “hajdutët” e votave, si i kishin akuzuar me javë e muaj, i zhvilluan zgjedhjet e qeta, nuk u hasmëruan me askënd, vodhën më pak se të tjerët në emra të përveçëm dhe e lëshuan qeverinë. Por, nuk ka ende njeri ta marrë. Habia e 6 tetorit u kthye në habinë e funddhjetorit, ku askush nuk troket me forcë te porta e presidentit, duke i thënë “ma jep mandatin”. Ndodh e kundërta, presidenti i thërret dhe ata nuk shkojnë. Ndoshta e kanë mësuar atë që shkrova në fillim të shkrimit. Nga Thaçi ruaju jo kur zemërohet, por kur të buzëqesh. Sepse tash 20 vjet në politikë, jam i bindur se qesh me vete kur dëgjon e shikon se si grinden për një post presidencial, që ai, dy herë e zgjidhi për pak minuta… një herë për vete dhe një herë duke ia premtuar Pacollit.
Në Shqipërinë e këndej Drinit u gëzuan që fitoi Albini. Megjithëse shumë janë të habitur se çfarë e lidh atë me Berishën, dy skajet e një litari të politikës, përsëri e deshën dhe shumë vazhdojnë ta duan… megjithëse, kur një lider, në tre muaj, nuk bën dot një qeveri, pyetja tjetër, për dreq, është se si do ta bëjë Kosovën. Megjithatë, unë besoj se do të bëjë diçka ndryshe, nëse e lë Isa Mustafa, i cili askush nuk e di se nga e ka kokën… thonë se buka e vjetër nuk harrohet, ashtu si dashuria e parë… e Isa e ka pasur dashurinë e parë për politikën jashtë Kosovës.
Ndoshta Kurti ka menduar se do të jetë e lehtë të ndërtohet një qeveri me Isa Mustafën, mirëpo jo gjithmonë hesapet e shtëpisë të dalin në pazar. Fitorja e tij, që Mustafa ia përmend përditë, me vetëm një deputet më shumë, është aq e paktë sa nuk është pritur, por edhe aq shpresëdhënëse sa nuk është menduar. Shumë njerëz, megjithëse e kanë ditur se nuk janë veç 240 mijë vota, e kanë pritur si një fitore plebishitare.. mirëpo, ja që nuk paska qenë kështu dhe LV duhet të zbresë nga qielli. Se Isa dhe dikush tjetër, shpejt e shpejt mund t’ia tjetërsojnë një grusht deputetësh, si ndodhi më parë dhe, më pas, rrëmuja do të jetë më e madhe.
Mirë më shkruan një mik i veçantë, se “ka edhe shqiptarë që e duan Kosovën më shumë brenda Serbisë sesa brenda Shqipërisë”.
Kurti duhet të zgjedhë mes dy gjërave: ose një koalicion më të gjerë, nëse Mustafa nuk bie dakord dhe gjen “gozhdën e Nastradinit” te posti i presidentit, dhe, kur them më të gjerë ai, Kurti, e di më mirë se unë, ose të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kosova qeveri ka e qeveri nuk ka. Ka shef qeverie në largim dhe shef qeverie që dihet se kush mund të jetë e nuk po vjen. Ka tregtarë që vajtuan se u mbyll kufiri me Serbinë, por që kanë gjetur deriçka për të futur mall si të duan. Kosova nuk e ka luksin të rrijë pa qeveri dhe koha e gjatë që po shkon është nga ata që gërryejnë themelin e shtetit.
Viti 2019 po mbyllet. Gjërat lëvizën dhe tani kanë mbetur.
Një vit i ri erdhi. Do t’i shtyjë ai?
Kush e di!
Shkruar enkas për “Epokën e re”