Agresioni rus në Ukrainë e zhyti Europën në luftën më të madhe tokësore që prej Luftës së Dytë Botërore, duke ndezur një konflikt që ka vrarë me mijëra, ka shpërngulur miliona, ka kthyer në pluhur qytete ukrainase dhe gjunjëzuar ekonominë globale. Pavarësisht paralajmërimeve nga inteligjenca amerikane para 24 shkurtit, shumë në Europë dhe Ukrainë nuk e besuan se lufta do të ndodhte.
Megjithatë, i zemëruar nga ai që e konsideronte si orientim i pabesë i Ukrainës drejt perëndimit, 70-vjeçari Putin urdhëroi nisjen e ‘operacionit special” . Qëllimi ishte çrrënjosja e ndikimit eksesiv dhe të rrezikshëm të perëndimit, për të shpejtuar atë që e shihte si zhvendosje e pashmangshme në një botë shumë polare…
Forcat ruse lëshuan raketa në disa qytete ukrainase dhe zbarkuan trupat përgjatë bregdetit jugor më 24 shkurt, pasi presidenti rus Vladimir Putin, autorizoi atë që e quajti operacion special ushtarak në lindje të vendit…
Republika popullore e Donbasit i kërkoi ndihmë Rusisë. Kështu, mbi bazë të artikullit të 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, me miratimin e Këshillit Federal Shtetëror të Rusisë, dhe në përputhje me traktatet e miqësisë dhe mbështetjes reciproke me republikat popullore të Luhansk dhe Donetsk, vendosa të urdhëroj nisjen e operacionit special ushtarak…Ai synon të mbrojë qytetarët që kanë vuajtur gjenocide nga regjimi i Kievit për 8 vite. Për këtë arsye do të demilitarizojmë dhe denazifikojmë Ukrainën dhe do të nxjerrim para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime të përgjakshme kundër civilëve përfshirë ata rusë.Vladimir Putin, President i Rusisë
Ky është një pushtim gjakftohtë i planifikuar me kohë. Pavarësisht morisë së gënjeshtrave, mohimeve dhe dezinformimit, qëllimet e Kremlinit tani janë të qarta për të gjithë botën. Lideri rus do të mbajë përgjegjësi të plotë për këto veprime të papërgjegjshme dhe humbjet e jetëve njerëzore.Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje qytetarëve që ishin të gatshëm të mbronin vendin nga ushtria ruse të bënin përpara, duke thënë se Kievi do të siguronte armë për secilin prej tyre.
Ne kemi filluar shpërndarjen e armëve dhe do t’ia japim të gjithë atyre që duan dhe kanë aftësinë për të mbrojtur sovranitetin tonë. E ardhmja e Ukrainës varet nga çdo qytetar. Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës
Presidenti amerikan Joe Biden, cili prej javësh kishte paralajmëruar botën mbi planet ogurzeza të Moskës, njoftoi një valë sanksionesh që siç tha do të pengonin aftësinë e Rusisë për të bërë biznes ne monedha të huaja, bashkë me masa ndëshkimore kundër bankave dhe sipërmarrjeve shtetërore…
Ushtria ruse ka nisur një sulm brutal kundër popullit të Ukrainës, pa provokim, pa justifikim e pa nevojë. Ky është një sulm i paramenduar. Joe Biden, President i Shteteve të Bashkuara
Në rrjetet sociale filluan të shfaqeshin orë pas ore, pamjet e asaj që po vërtetohej të ishte një luftë e plotë nga të gjithë frontet…Godina banimi të goditura nga predhat, ndërtesa në flakë, avionë lufte dhe sirena konstante alarmi edhe në kryeqytetin Kiev… Operacioni special i Putinit, ishte i pamëshirshëm që prej fillimit dhe kishte një synim të qartë; pushtimin e të gjithë Ukrainës dhe përmbysjen e qeverisë properëndimore të Zelensky.
Frika “bërthamore”
Ukrainasit, të cilët deri më 24 shkurt kishin qenë mosbesues ndaj paralajmërimeve të amerikanëve për një luftë në prag, i kthyen stacionët nëntokësorë të metrosë në shtëpitë e tyre të reja për t’iu shpëtuar bombave. Mijëra të tjerë, kryesisht gra e fëmijë e panë zgjidhjen përtej kufijve dhe trena të tejmbushur u nisën drejt vendeve fqinjëve anëtare të BE, si Polonia dhe Hungaria… Mes skenave kaotike të qytetarëve që përpiqeshin dëshpërimisht të siguronin një biletë jashtë Ukrainës, forcat e Kievit u detyruan të qëllonin me armë zjarri në ajër….
Ofensiva vijonte e ethshme…por rezistenca ukrainase përvijohej gjithmonë e më e vendosur…Edhe pse Rusia këmbëngulte se po shënjestronte infrastrukturë ushtarake, imazhet e banesave, e impianteve të naftës të gllabëruara nga flakët dëshmonin të kundërtën…shpejt vëmendja u përqendrua në zonë famëkeqe të Ukrainës, shtëpi e katastrofës më të madhe bërthamore në Europë.
Imazhe satelitore të BlackSky treguan trupat rusë teksa i afroheshin impiantit bërthamor. Nuk do të vononte para se ta merrnin nën kontroll, duke alarmuar Europën që i druhej një tjetër incidenti radioaktiv.
E gjendur në mesin e një lufte të nga fqinji agresiv, që i shihte si kërcënim aspiratat e Kievit për t’iu bashkuar NATO-s dhe be, Ukraina nuk kishte më kohë për të humbur para se të formalizonte kërkesën për t’iu bashkuar bllokut prej 27 anëtarësh… Presidenti Zelensky e firmosi aplikimin 3 ditë pas nisjes së luftës… Në po të njëjtën ditë, numri një i Kremlinit Vladimir Putin urdhëroi komandën ushtarake të vendoste në gjendje gatishmërie të lartë forcat bërthamore, duke cituar deklaratat agresive të NATO-s dhe sanksionet ekonomike kundër Moskës.
Ndërsa lufta zhvillohej në dy fronte, atë në terren dhe diplomatik, një rreze e zbehtë shprese për armëpushim të mundshëm erdhi pasi Moska dhe Kievi njoftuan nisje të bisedimeve të paqes, me ekipe negociatore nga të dyja vendet që takuan në kufirin me Bjellorusinë…Përballja ishte e vështirë, dhe rezultatet inekzistente… pavarësisht zotimit për hapjen e korridoreve humanitare në zonat më të prekura nga luftimet, përgjatë itinerareve të evakuimit, bombat nuk u ndalën….
Synimi i Moskës për të kapur kryeqytetin Kiev, dhe për të kurorëzuar kështu me sukses ofensivën që kishte menduar ta mbyllte për pak ditë.. u bë edhe më i qartë pasi imazhe satelitore të realizuara nga kompania teknologjike Maxar tregun një autokolonë ushtarake 64 km e gjatë, jo shumë larg kryeqytetit. Por avancimi i trupave pushtuese u pengua nga rezistenca e fortë e ukrainasve…Qytezat dhe fshatrat në rrugën e rusëve drejt Kievit, të tilla si Irpin, Bucha dhe Borodianka u bënë arenë e përleshjeve e masakrave më të ashpra që prej fillimit të luftës, por krimet do të dilnin në dritë vetëm më vonë, pas tërheqjes së trupave të Vladimir Putin.
Qyteti i dytë më i madh në vend, ai i Kharkiv vuajti një prej ofensivave më të egra të fillim luftës me forcat ruse që shënjestruan qendrën historike dhe zona rezidenciale në qytetet. Presidenti ukrainas i bëri thirrje rusëve të ngrihen në protesta pas kapjes së impiantit më të madh bërthamor në Europë, atë të Zaporizhias….
NATO refuzoi thirrjen e Ukrainës për ta ndihmuar në mbrojtjen e qiejve nga raketat dhe avionët rusë, por Europa premtoi më shumë sanksione për të ndëshkuar presidentin rus Vladimir Putin.
E vetmja mënyre për të implementuar zonën e ndalim fluturimit është duke dërguar avion të NATO-s në hapësirën ajrore Ukraina për të qëlluar avionët rusë. Por kjo do të çonte në një luftë të plotë ne Europë. Presidenti Biden ka qenë i qartë se nuk do të hyjmë në luftë me Rusinë. Antony Blinken, Sekretar i Shtetit, SHBA
Bota shihte e tmerruar vuajtjet që po mbillte fushata agresive e Rusisë, të cilën për herë të parë 6 mars, Papa Francesku e quajti me emrin e saj, luftë. Në situatën më të rrezikshme që prej luftës së ftohtë, NATO e gjeti veten përballë sfidës për të mbështetur Ukrainën në luftën e paprovokuar e njëkohësisht për të shmangur përshkallëzim të konfliktit me fuqinë më të madhe bërthamore në botë.
Nëse bota nuk ishte ndërgjegjësuar ende mbi përmasat e asaj që po ndodhte në Ukrainë, pas 9 marsit panorama ishte e qartë… tronditëse ishin pamjet e grave shtatzënë apo që sapo kishin lindur, të cilat nxirreshin të mbuluara me gjak nga godina ku kishin hyrë plotë shpresë… Një maternitet dhe spital fëmijësh ishte qëlluar me raketa, pikërisht më ditën kur Moska kishte njoftuar armëpushim të përkohshëm për evakuimin e disa prej mijëra qytetarëve të bllokuar atje. Pamjet u kthyen në simbol të mizorisë së luftës.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se do të lejonte vullnetarët të luftonin kundër forcave ukrainase dhe aprovoi dorëzimin e sistemeve të kapura raketore të perëndimit për rebelet e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lidore. Konflikti u intensifikua rreth Kievit dhe zyrtarët ukrainas ku disa qyteza ishin të rrethuara dhe nën bombardime konstante nga pushtuesit…Zjarri i pandalshëm i artilerisë po pengonte përpjekjet për evakuimin e civilëve të dëshpëruar, ndërsa forcat e Moskës ishin 25 km larg kryeqytetit. Por në shënjestër të tërbimit rus u vu edhe Ukraina perëndimore….
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i ra kambanave të alarmit pasi Moska rriti nivelin e gatishmërisë së forcave bërthamore, duke e cilësuar një zhvillim drithërues. “Përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës, si aksidentalisht ashtu edhe me qëllim, kërcënon të gjithë njerëzimin. rritja e nivelit të gatishmërisë së forcave bërthamore është zhvillim drithërues. Mundësia e një konfikti bërthamor, dikur i paimagjinueshëm, tani bëhet reale”, tha ai.
Ndërsa Ukraina shkrumbohej nga bombat e Putinit, rusët, jetonin një realitet paralel; nën censurën e mediave që flisnin për një operacion që i kundërvihej gjoja gjenocidit të qeverisë së Kievit kundër rebeleve pro rusë në Donbas…. E megjithatë, pavarësisht ashpërsimit të ligjeve që kriminalizonin informacionet për konfliktin, zërat që i thanë jo luftës, filluan të dëgjoheshin gradualisht nga Moska.
Protesta masive që rezultuan me mijëra të arrestuar u mbajtën rreth vendit, ndërsa një moment për tu mbajtur mend është kur Marina Ovsyannikova, një punonjëse e Kanalit 1 ndërpreu edicionin e lajmeve në 15 mars, dhe u shfaq para kamerave me një baner të madh në duar ku lexohej: “Jo luftës; Mos i besoni propagandës. Ata po na gënjejnë…”.
Kryeministri Polak Mateusz Morawiecki u tha ukrainasve se Bashkimi Europian nuk do ta braktisë vendin, pasi ai, kryeministri polak, dhe liderët e Republikës Ceke dhe Sllovenisë mbërritën në Kiev, në një shfaqje të mbështetjes se fuqishme për Zelenskin…Ata udhëtuan me tren, dhe ishin të parët liderë të huaj që vizitonin kryeqytetin që prej pushtimit rus në muajin e shkurt…
Qytetet më të prekur nga lufta
Nëse ka një qytet në Ukrainë që e provoi deri në palcë, mizorinë e luftës, ai me siguri ishte Mariupoli. Qyteti strategjik jug lindor, me dalje në detin Azov u bë fushëbeteja më e përgjakur e konfliktit, dhe njëkohësisht simbol i rezistencës së ukrainasve të guximshëm. Batalioni Azov, siç quhej njësia ushtarake e caktuar me mbrojtën e qytetit, i rezistoi për muaj me radhë ofensivës nga toka dhe ajri të trupave të Moskës, që e kthyen në gërmadhë qytetin dikur të lavdishëm.
Dëshmi e kostove të kësaj luftë të pamëshirshme ishin edhe masakrat e zbuluara në qytezat rreth Kievit, Bucha, Borodianka dhe Irpin…
Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se 90 për qind e godinave në Mariupol u shkatërruan pasi Rusia përdori, tanke, artileri dhe sulme ajrore për të larguar mbrojtësit e tij. Një zyrtar i lartë i OKB tha në qershor se të paktën 1348 civilë ishin konfirmuar të vrarë në luftime, përfshirë 70 fëmijë, edhe pse shifrat reale mendohet të jenë mijëra herë më të larta…Kievi vlerëson se 22 mijë civilë ishin vrarë.
Një prej momenteve më dramatike të betejës për Mariupolin, ishte bombardimi i një teatri ku ishin strehuar qindra njerëz, përfshirë të moshaur, gra e fëmijë, të cilët kishin menduar se kishin gjetur një vend të sigurt për tu shpëtuar luftimeve. Pranë teatrit, me shkronja të mëdha njoftohej se brenda tij gjendeshin fëmijë, e megjithatë kjo nuk i ndali rusët…
Civilët u evakuuan më 1 maj nga bunkerët e fabrikës së çelikut të Azovstal, ku po qëndronin bashkë me luftëtarët që mbrojtën me heroizëm qytetin. OKB dhe kryqi i kuq ndërmjetësuan një marrëveshje që do ti jepte fund vuajtjes në qytetin që Rusia e ktheu në një pirg mbeturinash, me një numër ende të panjohur viktimash dhe mijëra të tjerë që mbijetonin pa ujë, higjienë apo ushqim. Rrethimi i Mariupolit do të shkonte drejt fundit në 19 maj, pas dorëzimit të qindra luftëtarëve, të pasigurt për atë që i priste…
Kievi, i cili në fillimet e luftës mundi ti shpëtonte më të keqes, nisi të bëhej shënjestër e bombardimeve. Disa godina banimi u shënjestruan nga ushtria e Moskës, me pasojë vdekjen e disa personave, por sulmi më i rëndë ishte ai në 20 mars. 8 persona humbën jetën pasi raketat goditën një qendër tregtare, duke e kthyer zonën në një mak me rrënoja, e makina të djegura…6 ditë më vonë, presidenti biden do të bente deklaratën më të fortë që prej fillimit të luftës, duke sugjeruar se Putin nuk mund të qëndronte në pushtet.
Por pavarësisht se po i shkaktonte Ukrainës, vdekje, vuajtje dhe dëme të pamasa, lufta nuk po shkonte ashtu si Putin e kishte imagjinuar. morali i dobët mes ushtareve, ezaurimi i kapaciteteve, keqllogaritjet, mungesa e organizimit dhe armatosja e vazhdueshme e Ukrainës nga perëndimi, ndërgjegjësoi Moskën, se objektivi i një pushtimi të madh me qëllimin e rrëzimit të qeverisë në Kiev ishte i parealizueshëm. Strategjia ruse ndryshoi, dhe lufta hyri në një fazë të dytë; atë ku ofensiva përqendrohej kryesisht në rajonin lindor të Donbas, dhe ku Ukraina, nga mbrojtja kaloi në kundërsulm.
Pasi tërhoqi trupat nga zonat veriore dhe rreth kryeqytetit Kiev, Putin do të merrte një goditje turpëruese. Luftanija kryesore e flotës ruse në Detin e Zi, Moskva, simbol i forcës dhe krenarisë së ushtrisë së Moskës, u qëllua dhe fundos nga raketat ukrainase, edhe pse Moska këmbënguli se bëhej fjalë për një aksident..
Rusia nisi një ofensivë të re madhore në zonën lindore të Ukrainës më 18 prill, me presidentin Volodymyr Zelensky që njoftoi se Beteja për Donbasin, kishte filluar.
Ukraina tha se beteja për donbasin ishte më e madhja dhe përgjakshmja në tokën europiane qe prej luftës së dytë botërore. i banuar kryesisht nga rusë etnike, rajoni ka qene në oreksin e Rusisë që prej aneksimit të Krimesë. Rusia e donte me çdo kusht fitoren aty, por Ukraina e vendosur për të mos humbur asnjë copëz tjetër territori, angazhoi pjesën më të madhe të trupave, në një luftë të zhvilluar trup më trup e dhëmbë për dhëmbë.
Për muaj me radhë, raportoheshin shifra tragjike të ushtarëve të vrarë nga të dyja anët, me qytezat e Lisicansk dhe Severodonetks që përjetuan kasaphanën. Pavarësisht rezistencës së fortë, forcat ruse kishin përparësinë në armatime, dhe po acvanconin gradualisht në Luhansk dhe Donetsk. Ndërsa i bënte thirrje botës për më shumë armatime për ti rezistuar armikut dhe me shumë sanksione ndaj Moskës, një zhvillim pozitiv ngrohu zemrat e ukrainasve të sporvuar rëndë… Bashkimi Europian, pranoi t’i jepte Ukrainës statusin e vendit kandidat.
Ndërsa shmangia e zgjerimit të NATO-s në lindje ishte një prej shkaqeve për nisjen e luftës, putin po arrinte të kundërtën me fushatën e tij të agresionit. Finlanda dhe Suedia, shtete ushtarakisht neutrale para 24 shkurtit, aplikuan për t’iu bashkuar aleancës, dhe më 5 korrik, 30 vendet anëtare firmosën protokollin….
Zaporizhia, “minë me sahat”
Përqendrimi i luftimeve pranë centralit bërthamor më të madh në Europë, atë të Zaporizhias, bëri që të binin kambanat e alarmit për një tjetër katastrofë nukleare nga Ukraina. Aktiviteti i shtuar ushtarak në centralin e kontrolluar nga Moska, bëri që autoritetet të shpërndanin tableta jodi dhe të instruktonin banorët mbi përdorimin e tyre, në rastin e një rrjedhje radioaktive.
Një ekipi i Agjencisë ndërkombëtare për energjinë bërthamore mbërriti në Zaporizhia për të inspektuar dëmet e mundshme si pasoje e bombardimeve…
Edhe pse e kishin humbur kontrollin në të gjithë rajonin verior të Kharkivit, duke u tërhequr edhe nga zona të tjera të afërta, rusët vijonin reprezaljen kundër popullsisë civile, me sulme në infrastrukturë dhe godina banimi…njerëz të pafajshëm nuk e shihnin më dritën e diellit në mëngjes, pasi bombat e Putinit, shkatërronin shtëpinë e tyre gjatë natës, duke i zënë nën rrënoja teksa ishin duke fjetur. Trupa me duar të lidhura, civilë të masakruar dhe grumbulluar në varreza masvie… ishin pamje të tjera rrëqethëse që vinin nga qytezat e çliruara rishtazi në verilindje të vendit, si Iziumi…
Rusia dhe Ukraina shkëmbyen numrin më të lartë të të burgosurve më 21 shtator, ku u përfshinë 300 persona, përfshirë edhe komandantët që kishin drejtuar rezistencën e gjatë në Mariupol… Në po të njëjtën ditë, presidenti Vladimir Putin, urdhëroi mobilizimin e parë të rezervistëve qe prej luftës së dytë botërore. Ai paralajmëroi perëndimin se nuk po bënte blofin kur thoshte se ishte gati të përdorte armët bërthamore për mbrojtjen e Rusisë.
Putin kishte thyer papritur paktin e fshehtë mes tij dhe popullsisë; ata nuk do të kërkonin shpjegime për luftën; dhe ai nuk do t’i përfshinte në luftë… Frika për rekrutim në ushtri, nxori në rrugë mijëra njerëz, e qindra prej tyre u vunë në pranga… Djemtë dhe burrat rusë filluan të arratiseshin me shpejtësi në shtetet fqinje, e ishin të gatshëm të paguanin mijëra euro për një biletë jashtë vendit, në mënyrë që ti shpëtonin mobilizimit…
Në 23 shtator, Moska shpalli referendumet për aneksimin e 4 rajoneve të pushtuara në Ukrainë; Luhansk, Donjetks, Zaporizhia dhe Kherson. Ky hap nxiti reagimin e ashpër të Kievit dhe shteteve perëndimore që e cilësuan të paligjshëm referendumin dhe rezultatet që do të dilnin prej tij… Votimi në rajonet që përfaqësojnë 15 për qind të territorit ukrainas, u zhvillua nga data 23 deri në 27 shtator, dhe 3 ditë më vonë, Putin firmosi dokumentet për inkorporimin e tyre në territorit Rus, në një ceremoni të shfaqur në televizion..
Raketat ruse ranë mbi kryeqytetin ukrainas mëngjesin e 10 tetorit duke copëzuar ndjesinë e brishtë të sigurisë që Kievi kishte shijuar që prej sulmit të fundit 4 muaj më parë, e duke krijuar një valë paniku të pa përjetuar që prej ditëve të para të luftës…
ky ishte vetëm fillimi i një fushatë të rigjallëruar agresioni nga Rusia, e cila me një komandant të ri në krye të trupave të saj, duke e vendosur ti tregonte Ukrainës, por sidomos perëndimit, se pavarësisht disfatave dhe tërheqjes nga territore të caktuara, kishte ende kapacitetet dhe gjithashtu vullnetin, për të shkaktuar shkatërrim dhe vuajtje në shtetin fqinj.
Pozitat e Rusisë në fushëbetejë ishin dobësuar ndjeshëm, me trupat që po tërhiqeshin edhe qyteti i parë i madh, i pushtuar që prej fillimit të luftës, Khersoni… Ukraina sakaq, me mbështetjen ushtarake të perëndimit guxonte të shënjestronte objektivë të armikut, në fshatrat kufitare rusë e po ashtu në Krimenë e aneksuar që në 2014-n.
Mes kundërofensivës së paralajmëruar të Ukrainës në Kherson, dhe thirrjeve të Moskës që banorët të largoheshin për të shpëtuar, qindra prej tyre ju bashkuan eksodit, drejt Rusisë fqinje.
Ministri i mbrojtjes në Rusi Sergei Shoigu urdhëroi më 9 nëntor qe trupat e tij të tërhiqen nga qyteti i pushtuar dhe të ruajnë pozicionet mbrojtëse në anën e tjetër të lumit Dnipro. Me ovacione dhe brohoritma gëzimi, banorët mirëpritën hyrjen e trupave ukrainase në qendrën e Khersonit, pasi Rusia braktisi të vetmin kryeqytet rajonal që prej pushtimit të tij në muajin shkurt.
Ne e shohim ushtrinë tonë të fortë; hap pas hapi po rikthehemi në të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht. Fatkeqësisht është një rrugë e gjatë dhe e vështirë pasi humbëm disa prej heronjve tanë më të mirë.
Por sa herë Ukraina festonte në shtëpi, në Kremlin orkestrohej reprezalja e radhës për të shëruar sedrën e lënduar të Putinit. Vala e re e bombardimeve shënjestroi rrjetet elektrike dhe hidrike rreth Ukrainës duke lënë pa energji dhe ujë banorët e Kievit dhe qyteteve të tjera… Qëllimi i Moskës ishte i qartë; demoralizimi i popullsisë në prag të dimrit. OKB, Ukraina dhe aleatë të saj e quajtën këtë një krim lufte.
Mundësia që konflikti ti kalonte kufijtë e Ukrainës ka qenë një frikë konstante që prej 24 shkurtit, por shumë menduan se ajo u konkretizua më 15 nëntor. Një raketë goditi Poloninë anëtare të NATO-s duke vrarë 2 persona… Ukraina e drejtoi menjëherë gishtin nga Rusia, por pas orëve drithëruese kur filloi të përmendej neni 5 i traktatit të NATO-s, se një sulm kundër njërit është sulm kundër të gjithëve, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg sqaroi se raketa ishte hedhur gabimisht nga forcat e mbrojtjes në Ukrainë.
Ekspertët ushtarakë që dikur diskutonin nëse Kievi mund të rezistonte më shumë se disa ditë, tani pyesin nëse mund ta fitojë luftën. Ukraina thotë se nuk do të ndalet deri sat ë dëbojë pushtuesit nga i gjithë territori i saj, por mundësia e një triumfi të plotë të Kievit për momentin është një skenar më shumë optimist se realist. Me asnjë zhvillim të rëndësishëm në frontin diplomatik shpresa për një zgjidhje në tryezë është e vakët. E sigurt për momentin është se, megjithatë dëshirën për të pasur një botë në paqe, kapitulli i errët i luftës në zemër të Europës do të vijojë te shkruhet edhe në 2023-shin. A2Cnn