Viti i mandatimit ushtarak të Forcës sonë!

31 dhjetor 2018 | 10:58

Duke përmbyllur kornizën institucionale për ta aftësuar Kosovën në tërësi që ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, temat e radhës kanë të bëjnë me domosdoshmërinë që Kosova të avancojë dhe modernizojë institucionet publike, ta rrisë efiçiencën në sundimin e ligjit, si dhe të garantojë përshpejtim të zhvillimit ekonomik

BURIM RAMADANI

Kosova nuk është më e njëjtë! Ka Forcën me mandat ushtarak. Ky është ndryshimi i madh që ndodhi në vitin 2018! Situata ka ndryshuar dukshëm. Realiteti kosovar tashmë është formësuar në esencën e një shteti serioz dhe të përgjegjshëm. Askush dhe asnjëherë nuk e ka vënë në pikëpyetje qëllimin tonë kombëtar për ta konsoliduar shtetin. Për ta përmbyllur Arkitekturën e Sigurisë Kombëtare që po ndodh.
FSK-ja në mandatin e ri do të ketë katër detyra themelore: Mbrojtjen e territorit të vendit, mbështetjen për autoritete civile, mbështetjen qendrore dhe pjesëmarrjen në operacione paqësore. Si të tilla, këto do të ndërtojnë kapacitetet e FSK-së në një proces transparent dhe gradual. Duhet larguar ekzagjerimin dhe, herë-herë, edhe folklorin. FSK-ja merr mandat ushtarak mbrojtës, ndërkaq kapacitetet për këtë mandat do të marrin kohë. Sepse ato janë çështje që nuk mund të ndërtohen për një kohë shumë të shkurtër. Sistemi i armatimit dhe sistemi i pajisjeve do të jetë në përputhje të plotë me standardet e NATO-s, sepse kështu është ndërtuar FSK-ja deri tash. Do të jetë sistem ndërveprues me partnerët strategjikë dhe vendet e NATO-s dhe do të jenë në përputhje me mundësitë buxhetore dhe mbështetjen e partnerëve. Nuk mund ta disbalancojmë buxhetin e Kosovës për shkak të investimeve në programin e mbrojtjes apo në FSK, por do të ketë rritje graduale të investimit që, në fund të fundit, e bën FSK-në një institucion profesional dhe kredibil.

Një zhvillim i tillë në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes ka qenë pritje e vazhdueshme publike, qytetare dhe institucionale. Tash kjo çështje u mbyll. Me sukses. Në tërësi, në kuptimin profesional e institucional, janë edhe çështje të tjera që do të adresohen gjatë vitit 2019.
Duke përmbyllur kornizën institucionale për ta aftësuar Kosovën në tërësi qa të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, temat e radhës kanë të bëjnë me domosdoshmërinë që Kosova t’i avancojë dhe modernizojë institucionet publike, ta rrisë efiçiencën në sundimin e ligjit, si dhe të garantojë përshpejtim të zhvillimit ekonomik.
Tashmë, sigurisht e tërë puna nuk është kryer në kuptimin e proceseve për Kosovën. Tema e rëndësishme është dialogu dhe marrëveshja eventuale me Serbinë. Këtu nuk ka dilemë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë do të ishte një ndihmesë për rrugën përpara. Sepse shumë angazhime të Kosovës në rrugën e saj të qëndrueshmërisë janë të ndërlidhura me nevojën për ta tejkaluar konfliktin me shtetin fqinj. Sidoqoftë, assesi kjo nuk nënkupton domosdoshmërinë që një marrëveshje e tillë të bëhet në kurriz të Kosovës. Unë i takoj të menduarit se marrëveshja është e domosdoshme, ndërsa domosdoshmëria e saj nuk duhet t’i prekë elementet themelore të shtetësisë.

Më tutje, Kosova duhet ta shfrytëzojë përparësinë e institucioneve të reja të zbatimit të ligjit në veçanti, me qëllim të forcimit, avancimit dhe modernizimit të të gjitha niveleve të qeverisjes dhe komunikimit të tyre. Duhet të fokusohemi në profesionalizimin e sektorit të shërbimit civil përmes trajnimeve, edukimit profesional, testimeve dhe vlerësimeve të të punësuarve në shërbimin civil. Duhet të rishikojmë, azhurnojmë sipas nevojës dhe zbatojmë rregullat e brendshme për të siguruar efiçiencë në ofrimin e shërbimeve të sektorit civil për qytetarët. Duhet të zbatojmë strategji të qeverisjes elektronike me plan të veprimit dhe rezultate të matshme. Duhet të zhvillojmë dhe zbatojmë një plan për azhurnimin e teknologjisë dhe sistemeve ndërvepruese përmes agjencive të ndryshme qeveritare. Duhet të sigurojmë që Kosova t’i adresojë rreziqet dhe kërcënimet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe do ta forcojmë sundimin e ligjit.

Në aspektin e ndërtimit të qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve të jashtme armiqësore, sigurisht pjesa kryesore ka të bëjë me tendencat në rritje të influencës armiqësore të Federatës Ruse. Një strategji e tillë ruse po përdoret në dimensione të ngjashme në tërë rajonin e Ballkanit, ndërsa në substancë nuk ndryshon as nga strategjia vepruese në rajonin e shteteve baltike, skandinave dhe të Kaukazit.
Krijimi i mekanizmave dhe politikave adekuate për ta rritur ekspertizën, ngritur vetëdijesimin publik, dokumentuar dhe përballur me këto aktivitete armiqësore, do të duhet të jetë një prej synimeve të rëndësishme në vitin që po hyjmë. Zaten, shumë prej këtyre aktiviteteve armiqësore – si për nga natyra, po ashtu edhe për nga qëllimi – janë të ngjashme me aktivitetet armiqësore që zhvillon Serbia brenda Kosovës dhe më gjerë.

Më tutje, janë edhe aktorë të tjerë shtetërorë dhe joshtetërorë që në dimensione të ndryshme dhe nivele të ndryshme bëjnë të njëjtën gjë. Duke përfshirë aktivitete kryesisht që ndërlidhen me dezinformimin, përhapjen e ideologjive të caktuara apo edhe ndërhyrjen për konfuzion identitar, këto aktivitete shkaktojnë apo mund të rrisin situata jopërfituese për Kosovën. Në përgjithësi, Kosova ka avantazhe të theksuara në sigurinë e vet kombëtare. Të njëjtat duhet të shumëfishohen.

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korea e Veriut ka dërguar një mesazh “pajtues” tek Presidenti…