Viti i Ri 2020 të jetë fillimi i njohjes ndërkombëtare të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë

01 janar 2020 | 19:04

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka vlerësuar se Viti i Ri 2020 duhet të jetë fillimi i njohjes ndërkombëtare të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë

“Dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës miratuan rezolutën lidhur me gjenocidin që Serbia kreu kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës 1998-1999. Nga ky aspekt, viti 2019 shënon një kthesë të rëndësishme, sepse krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë zyrtarisht përkufizohen si gjenocid. Ajo që është shpresëdhënëse, kjo rezolutë shpreh vendosmërinë e institucionit ligjvënës të Kosovës, që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në rrafshin ndërkombëtar dhe atë kombëtar, me qëllim që të sigurohet ndëshkimi i atyre që kanë planifikuar, që kanë kryer apo që kanë nxitur të kryhet gjenocidi”, është thënë në urimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

“Duke u përballur me mohimin e vazhdueshëm të gjenocidit nga ana e shtetit serb, Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur’ do të vazhdojë me angazhimet e veta me qëllim që e vërteta për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë të pranohet botërisht. Vetëm duke u angazhuar për të ngadhënjyer drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit, për ata mijëra fëmijë, gra, pleq, plaka dhe shqiptarë të të gjitha moshave që u vranë mizorisht nga forcat e armatosura të Serbisë, për ato dhjetëra mijëra femra shqiptare të përdhunuara seksualisht dhe për poshtërimet që u janë bërë rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e tyre, ne mund t’i urojmë njëri-tjetrit një vit të ri të përpjekjes për të mbyllur plagën e gjenocidit që kullon gjak, dhembje dhe vuajtje të qindra mijëra familjeve shqiptare”, është theksuar në këtë urim.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2020, me shpresë që angazhimet tona individuale dhe kolektive të kurorëzohen me rezultate pozitive në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Getoar Selimi dhe Marina  Vjollca kanë disa vite të martuar,…